Akademiku dhe profesori Artan Fuga ka mbështetur protestën e studentëve të universiteteve publike kundër tarifave dhe kushteve në konvikte.
Në një reagim në rrjetet sociale, Fuga shkruan se revolta e të rinjve duhet të jetë një leksion për të gjithë, pasi “po futemi gradualisht dhe shpejt në hone errësire dhe po mbetemi kombi më budalla në Evropë”.
“Revoltat dhe protestat shumë të drejta studentore duhet të na japin shansin të mbledhim mendtë ne pedagogë, studentë, shoqëri civile, prindër, dikasteret, bota politike, akademi e shkencave e reformuar, intelektualë të vërtetë, jo demagogë rrugësh, që në mënyrë të përgjegjshme dhe të studiuar t’i propozojmë vetes, rinisë, kombin se çfarë do të bëjmë për të patur një arsim performant dhe të aksesueshëm universitar, çfarë do të bëjmë për të zhvilluar dijen kombëtare, çfarë do bëjmë për ta integruar dijen në shoqëri, për ta lidhur rininë me dijen, për të dhënë dije të vërtetë dhe jo përralla folklorike, sepse po futemi gradualisht dhe shpejt në hone errësire dhe po mbetemi kombi më budalla në Evropë.
Poqese protesta e drejtë degjeneron në kërkesa për të futur edhe një student në bordet qesharake jofunksionale dhe që nuk kanë asnjë legjitimitet logjik dhe administrativ, borde që i kanë shkatërruar universitetet shqiptare, atëherë gjithçka do të ishte një flluskë sapuni!”, shkruan Fuga.