Presidenti Ilir Meta që di vetëm punët e veta!

Nga Boldnews.al

Presidenti Ilir Meta u vendos në qendër të vëmendjes këtë javë me dy zhvillime aspak normale. Në zhvillimin e parë, ku u shfaq i qeshur në krah të deputetit Tom Doshi, Meta risolli në vëmendje të qytetarëve faktin se sa pa moral është politika shqiptare. Ndërsa në zhvillimin e dytë, që lidhet me vonesën në dekretin e ministrit të ri të Brendshëm, tregoi, pa asnjë dobi, se si mund të shitesh i fortë kur nuk ke asgjë në dorë.

Në mesin e javës, Presidenti Meta u shfaq në festën e 90-vjetorit të kardinal Ernest Troshanit. Përtej urimeve të ngrohta për klerikun shqiptar, lajmi në këtë ceremoni ishte fakti që në dy krahët e Troshanit qëndronte dy njerëz, të cilët deri para pak kohësh ishin armiq të betuar-Ilir Meta dhe Tom Doshi.

Tre vjet më parë, deputeti Doshi akuzoi Ilir Metën, në atë kohë kryetar i Parlamentit dhe Kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, se kishte paguar vrasës me pagesë për eleminimin e tij fizik. Denoncimi publik i Doshit, për vetë rëndësinë e tij, shkaktoi pështjellim shumë të madhe politik dhe shoqëror. Për herë të parë në historinë e pluralizimit të Shqipërisë, një deputet akuzonte një politikan të lartë se kishte paguar njerëz për ta vrarë.

Pretendimet e deputetit Doshi nuk u provuan, por gjithësesi debati i ashpër e vendosi atë përballë Metës, në pozicione luftarake. Kjo ndodhi në vitin 2015. Por, me kalimin e muajve, raportet Doshi-Meta filluan të normalizohen.

Në korridoret e politikës përflitej se dy politikanët i kishin stabilizuar raportet. Konfirmimi erdhi me zë e figurë në përvjetorin e kardinal Troshanit, duke konfirmuar në këtë mënyrë se Ilir Meta, pavarësisht se sot “mbi palët”, është politikani tipik me mungesë morali. Ai u shfaq i qeshur dhe miqësor në krah të njeriut, i cili disa kohë më parë e akuzoi se kërkonte ta eleminonte fizikisht.

Në zhvillimin e dytë, presidenti Meta bllokoi për ditë me radhë propozimin e kryeministrit Edi Rama për emrin e Sandër Lleshit në postin e ministrit të Brendshëm, të mbetur vakant pas “dorëheqjes” së Fatmir Xhafajt. Ky qëndrim i Metës është lexuar nga analistë, të cilët gjenden në borderonë e tij, si një provë force përballë kryeministrit. Në fakt, kjo ishte një lëvizje e tepërt, pasi, as politikisht, as administrativisht, nuk i sjell asnjë pasojë kryeministrit Edi Rama.

Nëse Meta, në cilësinë e Presidentit, bllokon një kandidaturë për ministër, atëherë kryeministri dorëzon një tjetër, më pas një tjetër, e kështu me radhë. Pra, Meta thjesht do të ngopë me një lugë bosh force militantët e tij. Por, në fakt, me vonesën në dekretimin e Sandër Lleshit, Meta po tenton të përfshihet në lojën e pushtetit brenda Partisë Socialiste.

Fatmir Xhafaj dha dorëheqjen nga posti i ministrit të Brendshëm pas përplasjeve me kryeministrin Edi Rama. Tashmë, Xhafaj ka krijuar aleancë fluide me Erion Veliajn, me synin për t’i marrë pushtetin partiak Ramës. Në këtë përplasje mes klanit Rama dhe atij Xhafaj-Veliaj, Meta ka zgjedhur që të mbështesë këta të fundit. Mjeti i vetëm ligjor që ka në dorë është pikërisht bllokimi i dekretimit të pasardhësit të Xhafajt. Gjithësesi, kjo është një tentativë e kotë, pasi Fatmir Xhafaj do të zëvendësohet.

Për këdo që e njeh karrierën politike të Ilir Metës, lëvizjet në dukje të çoroditura të kësaj jave nuk i bëjnë aspak përshtypje. Përtej lojërave të vogla politike të ditës apo edhe llogarive për zgjedhjet e ardhshme lokale, shqetësimi kryesor i Ilir Metës është krijimi i strukturës së posaçme hetimore, SPAK. Opinioni vendas dhe një pjesë e rëndësishme e partnerëve ndërkombëtarë e kanë të qartë se “peshku i madh” që duhet të përballet me drejtësinë pas krijimit të SPAK është pikërisht Ilir Meta.

Organizata e mirënjohur ndërkombëtare, “Freedom House”, në raportin e saj për Shqipërinë, për vitin 2017, ndër të tjera theksonte: “…Lufta kundër korrupsionit në Shqipëri mori një goditje të fortë me zgjedhjen e Ilir Metës si President…”.

Ilir Meta e ka të qartë që ai është targeti kryesor i Reformës në Drejtësi ndaj, aleancat e tij me armikun Tom Doshi dhe mbështetja e klanit Xhafaj-Veliaj kundër pushtetit të Edi Ramës, duket se janë manovra për të arritur qëllimin final-t’i shpëtojë me mjete politike përballjes me SPAK-un.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *