Koloneli i Përgjithshëm i Guardia di Finanza Italiane Antonello Maggiore në një intervistë ekskluzive për Ora News ka vlerësuar bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Italisë në luftën kundër trafikut të drogës.
Sipas kolonelit, në vitin 2018 ka një reduktim të madh të këtij trafiku pasi nga janari deri më tetor të 2018 janë sekuestruar rreth 20 tonë marijuanë e trafikuar nga Shqipëria përmes detit.
“Duhet thënë se fenomeni më i rëndësishëm është ai i trafikut të lëndëve narkotike kryesisht marijuanë, kryesisht në pjesën e ulët të Adriatikut e në pjesën e sipërme të detit Jon. Ne analizojmë kryesisht këtë trafik përgjithësisht në territorin e Ballkanit.
Duhet thënë se trafiku i marijuanës arrti pikun më të lartë gjatë vitit 2016 e 2017. Flasim për mbi 20 tonë marijuanë e trafikuar më 2016 e rreth 40 tonë marijuanë e trafikuar përmes detit më 2017.
Në vitin 2018 kemi një reduktim të madh të këtij trafiku pasi nga janari deri më tetor të 2018 janë sekuestruar rreth 20 tonë marijuanë e trafikuar nga Shqipëria përmes detit”, deklaroi Koloneli i Përgjithshëm i Guardia di Finanza Italiane Antonello Maggiore.
Duke iu referuar operacioneve të sekuestrimit të marijaunës së trafikuar përmes detit, koloneli italian, bën edhe një “klasifikim” për vendin dhe rolin e trafikantëve shqiptarë.
“Në referencë të operacioneve të patrullimit ajror të Financës Italiane, konfirmoj se në Shqipëri janë pothuajse zhdukur plantacionet me marijuanë në krahasim me vitet e shkuara. Fenomeni i trafikut të drogës përmes detit i përket të gjithë territorit ballkanik e jo vetëm Shqipërisë, përfshirë vendet si Mal i Zi, Greqia. Fakt është se zona e patrullimit të policisë e financës italiane kundër këtij trafiku nuk i përket vetëm zonës së Adriatikut pranë Shqipërisë, por dhe zonave në kufi me Greqinë, Malin e Zi e Kroacinë.
Sivjet ndër 40 trafikantë të arrestuar 25 janë shqiptarë”, shprehet Kolonel Antonello Maggiore.
Kolonel italian pranon dhe pohon se, “Ekziston një bashkëpunim mes grupeve kriminale italiane e grupeve kriminale shqiptare në territorin italian për trafikun e drogës dhe hetimet vazhdojnë”.