Ky sezon duket se do jetë i talentëve të rinj. Duke filluar nga sulmuesi i Genoas, Krzysztof Piatek, i cili po mahnit me formën e tij në Serie A këtë sezon, një tjetër emër i madh po lind. Bëhet fjalë për sulmuesin e Eintracht Frankfurt, Luka Jovic.
Ky i fundit shënoi pesë herë sonte në portën e Dusseldorf, në fitoren 7:1 të Frankfurtit. Por cila ishte karriera e Jovic, 20-vjeçari që duket se ka një të ardhme të ndritur përpara, shkruan Periskopi. Sulmuesi serb është i huazuar tek ekipi gjerman, me të drejtë blerje, por kartoni i tij i përket momentalisht Benficas.
Ai ka lindur në Bosnje, më saktësisht në fshatin e vogël Batar afër Bijeljinës. Jovicit iu dha mundësia për të luajtur për Red Star Belgrade në 2005. Para se të bashkohej me ta, i ati e mori atë për të stërvitur me Partizanin, i cili kishte tentuar të nënshkruante me të në njëfarë kohe. Ata i ofruan babait të tij 200 euro në muaj për të luajtur me ta, por ai insistoi të qëndrojë me ‘Yllin e Kuq’. Ai ishte klinik përpara golit, teksa nga drejtuesit e ekipit serb cilësohej si një sulmues me ardhme të ndritur.
Dhe duket se drejtuesit e Red Star e kanë vërejtur talentin e tij, pasi ai sonte shpërtheu me pesë gola ndaj Dusseldorf, njëkohësisht u bë golashënuesi më i mirë i kampionatit gjermanë me shtatë gola. Me këto paraqitje, shumë shpejt mund ta shohim në klubet e mëdha evropiane.