Vrasja e të riut në Tiranë/ Hetimet zbulojnë pjesëmarrjen e një tjetër personi në krim

Kthesë në hetimet për vrasjen e Marvi Mihalit, krim i ndodhur në korrik të vitit 2017 në Tiranë. Sipas prokurorisë, përveç katër të pandehurve, në ngjarje është përshirë edhe një tjetër person.

Në seancën e zhvilluar këtë të martë në gjykatën e Tiranës, Prokurori Gjergji Tako zbuloi se në sulmin ndaj Marvi Mihalit nuk kanë qenë katër persona, por pesë. Personi i pestë, ishte i armatosur me thikë dhe është ende i paidentifikuar, bëri me dije prokurori.

Gjykata gjithashtu ka rrëzuar kërkesën për gjykim të shkurtuar për dy kushërinjtë, Dejvi dhe Eugen Bitraj të cilët akuzohen për vrasjen e Marvi Mihalit. Sipas Gjykatës, gjykimi i shkurtuar do ta dëmtonte çështjen. Mësohet se gjykata po ashtu ka rrëzuar sot kërkesën për veçim të çështjes nga vëllezërit Alla.

Ngjarja

Marvi Mihali u vra më 31 korrik të vitit 2017 në zonën e stadiumit “Dinamo”. Sipas hetimeve të deritanishme, miku i tij Armend Haxhiu i kishte shitur një telefon Devi Bitrajt, por nuk i kishte dhënë karikuesin. Pas debateve mes Haxhiut dhe Bitrajve është vendosur që të takohen për t’u sqaruar pranë stadiumit Dinamo. Haxhiu ka kërkuar që aty të shkonte edhe miku i tij Marvi Mihali dhe pas shumë telefonatash ka arritur ta bindë Marvin.

Sapo ka mbërritur Mihali, Haxhiu ka goditur me grusht një prej të akuzuarve. Marvi ka ndërhyrë për t’i ndarë dhe aty është goditur me thikë për vdekje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *