Tirana gjen më në fund buzëqeshjen në këtë fillim sezoni. Bardheblutë vuajtën shumë, por arritën të merrnin tri pikët e para në kampionat, pasi fituan 3-1 me Luftëtarin në “Selman Stërmasi”.
Blazhevski dhe Turtulli realizuan golat për formacionin Ze Marias në pjesën e parë, ndërsa autogoli i Albi Dokës barazoi përkohësisht shifrat.
Finalizimi i Grecës në kohën shtesë shuajti shpresat e miqve për të marrë pikë në këtë transfertë.
Tiranës i mjaftuan më pak se tre minuta lojë për të zhbllokuar takimin me Blazhveskin, që i shërbyer nga Asion Daja, nuk i dha mundësinë e reagimit portierit Ruci.
Fillimi i vrullshëm i Tiranës dha përshtypjen e një fitoreje të lehtë, por nuk ndodhi kështu. Në minutën e 14-të gjysmëroveshata e Ymerajt u devijua nga Doka drejt rrjetës, 1-1.
Bardheblutë nuk mund të pajtoheshin me këtë rezultat, duke vijuar presionin në gjysmëfushën e gjirokastritëve, derisa në minutën e 23-të, në zhvillimet e një këndoreje, Turtulli shënoi golin e 2-1, që rezultoi vendimtar për fitoren e Tiranës.
Pjesa e dytë nuk nisi mirë për Tiranën, që në minutën e 55-të mbeti në inferioritet numerik, pas ndëshkimit të Hoxhallarit me kartonin e dytë të verdhë.
Luftëtari rriti presionin për të gjetur golin e barazimit, por planet e Kosticit u prishën kur forcat u barazuan me daljen me karton të kuq të Jancic.
Në kohën shtesë Tirana shfrytëzoi kundërsulmin për të shuar përfundimisht shpresat e bluzinjve për të marrë pikë, teksa Bedri Greca vulosi rezultatin në 3-1.
Tirana pas kësaj fitoreje ngjitet në vendin e 8-të me 4 pikë, ndërsa Luftëtari është skuadra e vetme që ka pësuar vetëm humbje në katër javë kampionat.