Gjatë operacionit anti-kanabis në Lazarat në maj të vitit 2015 mbeti i vrarë efektivi i forcave RENEA, Ibrahim Basha. Kjo ngjarje tragjike është rikthyer në vëmendjen e opinionit publik ditët e fundit në lidhje me vendimin e marrë nga drejtësia mbi autorin e vrasjes. Ish Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani deklaroi përmes statusit të tij në facebook se është bërë, sipas tij, kriminalizimi i njerëzve pa prova!
“Jam skandalizuar nga historia që një zonjë nga Lazarati më rrefeu një ditë gushti. Fare rastësisht, në plazh, mu shfaq para syve një grua dhe me lot në sy më rrëfeu gjerë e gjatë historinë se si ja kishin arrestuar dy djemtë e saj adoleshentë dhe ja kishin dënuar, për një vrasje që nuk provohet ta kenë bërë. Njëri nga djemtë është dënuar me burgim të përjetshëm,” shkruan Manjani.
Ngjarja është shumë e rëndë dhe opinioni publik beson menjëherë atë që servir policia. As mediat nuk pranojnë ta referojnë anën tjetër të historisë njerëzore. Askush nuk fillon të arsyetojë, si ka mundësi që një 18 vjeçar qënka një “vrasës” me nishan të përpiktë. Si ka mundësi që një adoleshent përfundon i dënuar përjetë në burg?” deklaron Manjani
Ai shton se “Zyrtarisht Prokuroria dhe Gjykata e shkallës së parë të Krimeve të Rënda nuk kanë arritë të provojnë që ndonjë nga moria e plumbave të shtëna nga grupi i të rinjve Lazaratas, të kenë goditur jo policin e ndjerë, por as furgonin ku ai gjendej! Paska patur akt ekspertimi për këtë gjë dhe furgoni nuk ka patur shenja plumbash! Nuk provohet në asnjë akt ekspertimi që plumbi që i mori jetën policit, të jetë shtënë nga armët e atyre djemve të inatosur me policinë, gjithsesi! Pra pyetja se kush e vrau Policin e ndjerë mbetet ende pa përgjigje nga drejtësia! Ajo çështje që drejtësia po e gjykon në atë mënyrë është krim në vetvete! Sepse kriminalizon pa prova të rinj, të cilët mund të dënohen për rezistencë ndaj policisë apo edhe për ndonjë akuzë tjetër, por jo pë vrasjen e policit.”
Edhe Vangjel Tavo, deputet i qarkut të Gjirokastrës, ka shprehur disa herë shqetësimin për këtë rast. “I kam bërë thirrje të vazhdueshme organeve të drejtësisë,” shprehet Tavo, “Gjykata e Apelit duhet ta shikojë në mënyrë të drejtë këtë rast. Humbja e jetës së Ibrahim Bashës ishte tragjike, dhe po aq tragjike është edhe burgosja e të rinjve pa asnjë provë, e të marrë në konsideratë inskenimet dhe prapavijat e mundshme. Vetëm në këtë vend ndodh që drejtësia mund të vrasë edhe më shumë sesa një snajper. Mungesa e drejtësisë për këtë rast përbën vrasje të dyfishtë ndaj efektivit Basha, familjes së tij, adoleshentëve të burgosur pa prova dhe familjes së tyre.”
Tavo shton me indinjatë se “drejtësia është kriteri minimal i një shteti dhe garancia më bazike e qytetarëve të atij shteti, ndaj pa dashur të bëj avokatin e djallit, apo edhe gjyqtarin, dua ti bëj apel organeve të drejtësisë ta zbardhin ashtu sic duhet këtë ngjarje të rëndë duke nxjerrur në dritë drejtësinë.”