Merkel përsërit në Shkup qëndrimin kundër ndryshimit të kufijve: Integriteti territorial ka rëndësi kyçe për rajonin

Kancelarja gjermane, Angela Merkel ndodhet sot në Shkup të Maqedonisë për të dhënë mbështetje për referundimin e 30 shtatorit.

Në konferencën e përbashkët me homologun maqedonas, Zoran Zaev, Merkel është pyetur edhe për mundësinë e ndryshimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë. Ashtu siç në deklaratat e bëra nga Berlini, edhe në Shkup Merkel ka mbajtur të njëjtin qëndrim, duke u shprehur kundër të tilla ndryshimeve.

“Në aspektin gjerman dhe evropian kemi interes për rajon të qëndrueshëm. Kjo është kyçe për stabilitetin edhe të Evropës dhe BE. Unë besoj se integriteti territorial është kyç për rajonin”, deklaroi Merkel.

Sa i përket votimit në referendumin për ndryshimin e emrit, kancelarja gjermane iu tha maqedonasve se ky është një moment historik që nuk përsëritet shpesh.

“Referendumi është mundësi për hapjen e dyerve të vendit tuaj për të qenë pjesë e BE dhe NATO. Nevojitet shumë punë, por parakushti është referendumi më 30 shtator. Nuk dua të përzihem në punët e qytetarëve, por është shans historik, që nuk vjen shpesh. 30 shtatori është shans historik dhe mos rrini në këtë ditë në shtëpi, por shfrytëzoni të drejtën tuaj demokratike se çfarë mendoni për vendin tuaj”, deklaroi Merkel.

Angela Merkel do të takohet edhe me kreun e opozitës në Maqedoni, Hristijan Mickoski, ndërkohë që nuk është planifikuar një takim me presidentin Gjeorge Ivanov.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *