Nga Boldnews.al
E gjithë vera shkoi mbarë për kryeministrin Edi Rama. I mësoi notin djalit të vogël, theu rekordet personale të qëndrimit në ujë, bëri pak spektakël kur doli rruar e qethur nga një berberhane në Dhërmi, dhe tani ky kryeministër me energji të reja, ka vendosur të shkundë kabinetin e tij. Të paktën ky është parashikimi, që disa koka ministrash Rama do i hajë, duke i bërë “kokë turku” për të shpëtuar “fronin kryeministror”. Por edhe kjo nismë është spektakli i radhës i kreut të qeverisë.
Pasi nuk ka regjistruar asnjë bilanc pozitiv në ekonomi apo turizëm, Rama kërkon t’ia veshë dështimin të besuarve të tij ministra. Edhe këtu thelbi nuk do të preket. Në lojë për nga rëndësia e ministrave mund të jetë emri i Fatmir Xhafajt, por mbetet për tu parë, pasi një vit në këtë dikaster Xhafa di me çtë shantazhojë për të mbajtur postin.
Nuk do preken dy kanakarët e tij që kanë në duar investimet dhe arkën e shtetit. Pikërisht ministri i Finacave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj dhe ai i Infrastrukturës Damian Gjiknuri. Të tjerë janë ende në pritje të fjalës që do të thotë Rama, pasi të kryejë analizën e “thellë” e punës 1-vjeçare të mandatit të dytë qeverisës.
Me pak lëvizje ministrash dhe shumë show, kreu qeverisë synon të mbulojë çdo dështim që po e ndjek. Gjithashtu tenton të mbulojë skandalet ku çdo ditë vetëzbulohen nga zullumi i madh i ministrave dhe deputetëve të rëndësishëm të Partisë Socialiste të lidhur me eksponentë të krimit.
Asgjë shqetësuese për kryeministrin sepse plani mbetet i qartë për të mbuluar keqeverisjen duke bërë një makiazh vjeshtor në këtë fillim shtatori. Kryeministri qeveris me propagandë. Sikurse e shtyu edhe këtë vit në batak, ashtu do e mbyllë deri në zgjedhjet e ardhshme lokale e të përgjithshme. Nuk ka rëndësi bilanci negativ në ekonomi, as papunësia që po varfëron vendin, as mungesa e theksuar e investimeve, e aq më pak problemet me rendin e shëndetësinë.
Finalja mbetet marrja e mbajtja e pushtetit ku votat edhe nëse nuk vijnë nga qytetarët, i marrin “ustallarët” e vjetër të botës jo më të nëndheshme por krejt të dukshme të krimit. Politika dhe krimi po “bashkëqevrisin” në mënyrë të sukseshme, kjo është “shqiperiaqeduam”, sllogan të cilën Rama e ka zbatuar më së miri. Nuk ka skandal që e shemb, për aq kohë sa propaganda “çan bllokadën”.