Kuçova bazë e NATO-s, Imami: Projekti, ishte gati që në 2011, por e bllokoi PS

Ish-ministri i Mbrojtjes, Arben Imami përshëndet vendimin e marrë nga Aleanca e Atlantikut Verior, për të modernizuar bazën ajrore të Kuçovës, që mundëson ndërtimin e aeroportit të vetëm të forcave ajrore të Shqipërisë. Por z.Imami thotë për “Gazeta Shqiptare” në një bisedë telefonike se ky projekt ka nisur që në vjeshtën e vitit 2011 dhe sipas tij, PS-ja me ardhjen në pushtet e vonoi për më shumë se 4 vite këtë projekt. Madje, ai përmend arrestimin e gjeneral Syrja Gjokës sapo e majta erdhi në pushtet, ndërsa kishin bllokuar për katër vite projektin e dhënë.

Ish-ministri tregon se bashkë me gjeneralin Gjoka inspektuan zonën, e cila sipas tij ishte në gjendje të tmerrshme prej mbetjeve të kohës së diktaturës. Imami shprehet se u bë një punë shumë e mirë përgjatë atyre viteve të qeverisjes së PD-së për ta shndërruar në aerodrome dhe projekti ishte gati, por PS-ja e bllokoi atë. Gjithsesi, Arben Imami e konsideron hap pozitiv kthimin e saj në bazë të NATO-s, pavarësisht se siç thotë ai, nuk e di konkretisht se çfarë përmban projekti.

Z.Imami, NATO ka vendosur të ndërtojë bazën ajrore në Shqipëri, pikërisht në aerodromin e Kuçovës, e cila do të mund të përdoret nga Aleanca për qëllime logjistike, policimi ajror, furnizimi, trajnimi etj. Si e konsideroni këtë projekt?
Është hap pozitiv, por nuk e di konkretisht se çfarë përmban projekti. Gjithsesi, është një projekt që duhet përshëndetur si mjaft pozitiv.

Ish-kryeministri Berisha është shprehur se ky projekt u përgatit nga një kompani serioze amerikane, ‘Cubik’ që në vjeshtën e vitit 2011, si dhe filluan parapërgatitjet për zbatimin e tij. Ju keni qenë ministër i Mbrojtjes në atë periudhë, ndaj si qëndron e vërteta?
Po, është e vërtetë. Projekti ka që në vitin 2011 dhe ne nisëm përgatitjet e para. Kam shkuar edhe vetë në bazë dhe kam parë gjendjen në të cilën ishte aeroporti i Kuçovës dhe si u shndërrua deri në momentin që erdhën socialistët në pushtet.

Në çfarë gjendjeje ishte baza ajrore e Kuçovës në vitin 2011?
Në gjendje tmerri. I mbërthyer nga papastërtitë dhe mbetjet e kohës së diktaturës nga të gjitha anët e zonës. Rregulluam të gjithë ambientin, kapanonet e gjithçka që ishte e shkatërruar. Ishte në një gjendje të amortizuar. Kam qenë vetë aty, kemi inspektuar zonën dhe kemi nisur nga puna për përgatitjen e bazës deri në momentin e bllokimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *