Falsifikimi/ Lulzim Hamitaj, goditje e rëndë në imazhin e dëmtuar të Komisionit të Vetingut

Nga Boldnews.al

Nëse do të provohet ligjërisht se komisioneri, Lulzim Hamitaj, ka fallsifikuar dokumentat, me të cilat ka kandiduar për këtë post, atëherë kjo do të përbënte goditjen më të rëndë të imazhit, deri më tani, të Komisionit të Vetingut, i cili, edhe aktualisht është në pikëpyetje për shkak të standarteve të dyfishta që po aplikon.

Komisioneri Lulzim Hamitaj u akuzua publikisht nga Partia Demokratike se ka dyshime të forta që ai ka fallsifikuar diplomën e njohurive të gjuhës angleze, e cila përbënte një prej kritereve formale për t’u zgjedhur në institucionin që po kryen vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Prokuroria e Përgjithshme njoftoi pasditen e së Hënës se ka kërkuar nga prokuroria e Tiranës që të verifikojë denoncimin publik dhe dokumentat e prezantuar nga Partia Demokratike. Deri në një sqarim përfundimtar të kësaj situate, hija e skandalit qëndron mbi vetë komisionerin Hamitaj, si edhe mbi të gjitha procedurat e ndjekura deri më tani për zgjedhjen e tij nga shumica socialiste në Parlament.

Nëse provohet ligjërisht se Hamitaj ka fallsifikuar, ai më së paku duhet të shkarkohet nga detyra, në pritje të përballjes me akuzat penale në gjykatë. Gjithashtu, nëse rezulton që ai është fallsifikues dokumentash, kjo vë në pikëpyetje moralin e tij si komisioner, si edhe vendimmarrjen e tij të deritanishme.

Nga një vështrim i shpejtë në faqen zyrtare të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, rezulton se komisioneri Lulzim Hamitaj ka qenë, deri më tani, pjesë e trupave gjyqësore në 10 raste, nga të cilat 3 raste ka qenë kryesues, 3 raste relator dhe 4 raste të tjera anëtar.

Nga totali prej 10 rastesh, për subjektet e rivlerësimit që kanë qenë pjesë e verifikimit të kryer edhe prej tij, janë marrë vendime shkarkimi në 5 raste, në 3 të tjera është vendosur konfirmimi në detyrë për gjyqtarë e prokurorë, si edhe 2 janë ende në proces në momentin e shkrimit të këtij artikulli.

Më konkretisht, Lulzim Hamitaj ka qenë pjesë e trupave gjykuese që kanë vendosur shkarkimin nga detyra për:
1. Gentian Trenova, prokuror në Apelin e Tiranës (20 qershor 2018). L. Hamitaj, kryesues
2. Artan Lazaj, gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Tiranë (11 korrik 2018). L. Hamitaj, relator
3. Admir Thanza, anëtar i Gjykatës së Lartë (17 korrik 2018). L. Hamitaj, relator
4. Rovena Gashi, prokurore në Prokurorinë e Përgjithshme (25 korrik 2018). L. Hamitaj, relator
5. Elsion Sadiku, prokuror në Prokurorinë e Korçës (27 korrik 2018). L. Hamitaj, anëtar

Komisioneri Lulzim Hamitaj ka qenë pjesë e trupave gjykuese që kanë konfirmuar në detyrë, subjektet:

1. Marçela Shehu, gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Kurbin (4 qershor 2018). L. Hamitaj, anëtar
2. Alma Brati, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Tiranë (5 korrik 2018). L. Hamitaj, anëtar
3. Kosta Beluri, prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme (12 korrik 2018). L. Hamitaj, anëtar

Ndërkohë, është kryesues i seancës për dy subjekte të tjerë, të cilët presin rezultatet pas seancave dëgjmore, e konkretisht:

1. Brunilda Kadi, gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit, Tiranë
2. Besnik Muçi, prokuror pranë Krimeve të Rënda.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *