Erion Veliaj vë në rresht deputetët e PS, sfidë të hapur Edi Ramës

Nga Boldnews.al

Kushdo që ka pasur dyshimin se Erion Veliaj po projektohet ose po lufton për të qenë kryetari i ardhshëm i Partisë Socialiste, mori konfirmimin zyrtar. Ai, nëpërmjet një statusi në rrjete sociale “urdhëroi” deputetët e maxhorancës që të ri-votojnë ligjin për shkatërrimin e Teatrit Kombëtar, i cili mori “kartonin e kuq” nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta.

Të premten në mesditë, Presidenti Meta refuzoi dekretimin e ligjit që i hap rrugë shkatërrimit të Teatrit Kombëtar dhe ndërtimit të një kompleksi gjigand kullash në qendër të Tiranës. Në shkresën që kreu i shtetit i dërgoi Kuvendit, renditeshin 9 pika, të cilat, sipas Presidentit, përbënin arsye të fortë kushtetuese dhe ligjore që e nxitën për të rrëzuar ligjin e votuar vetëm nga maxhoranca, nën kundërshtitë e forta të opozitës dhe komunitetit të artistëve.

Vetëm pak minuta pasi u publikua vendimi i Presidentit, i pari që reagoi ishte kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Për shkak të kohës së shkurtër nga publikimi i vendimit të Metës e deri tek reagimi i Veliajt, është e qartë që as ai dhe as stafi i tij nuk kanë pasur mundësinë për të lexuar argumentat e Presidentit dhe, aq më tepër, për t’u thelluar mbi shkaqet ligjore.

Veliaj reagoi në mënyrë politike, duke e kritikuar Metën dhe duke renditur disa prej punimeve të tij në Tiranë, ngjashëm me një fëmijë që u tregon shokëve lodrat e reja. Por, thelbi i mesazhit të Veliajt, më shumë se sa për ligjin e Teatrit, lidhet me të ardhmen e tij politike në Partinë Socialiste.

Ndër të tjera, në sulmin ndaj Presidentit, Veliaj shprehet: “…Teksa pritëm 40 vjet për një Teatër të ri, do presim edhe 40 ditë që Parlamenti ta rivotojë në shtator e t’i hapë rrugë projektit modern – në tokën e vet e me teknologjinë më të fundit…”.

Pra, Erion Veliaj, një zyrtar në pozicionin e kryebashkiakut, dha kushtrimin, ose më saktë urdhëron deputetët që pas 40 ditëve, pra pas pushimeve të Gushtit, të ri-votojnë projektin e tij, për të cilin opozita e konsideron si plan mafioz për pastrimin e mbi 200 milionë eurove.

Në planin teorik, një kryebashkiak, qoftë edhe i qytetit më të madh në Shqipërisë, nuk duhet të ketë as forcën dhe as guximin për të urdhëruar deputetët e Parlamentit se si duhet të votojnë. Por, në rastin e Erion Veliajt, situata është më ndryshe.

Ai erdhi në radhët e Partisë Socialiste, si një investim i shoqërisë civile, të financuar nga Fondacioni Soros. Pa asnjë lloj kontributi brenda radhëve të socialistëve, Veliaj, me mbështetjen e Edi Ramës, ngjiti shkallët e karrierës së tij politike.

Fillimisht ai u emërua Ministër i Mirëqënies Sociale, në mandatin e parë të qeverisë “Rama” në vitin 2013. Dy vjet më pas, ai u largua nga ministër, për të kandiduar dhe më pas fituar postin e kryebashkiakut të Tiranës, falë bashkimit të votave ndërmjet Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Sot Veliaj, nëpërmjet lidhjeve të interesit me pronarët-ndërtues të mediave, ka krijuar një profil të kudo-gjendur publik, duke u shndërruar në një lojtar, edhe pse i shtirur, të dorës së parë. Propaganda e tij, falë nënshtrimit të televizioneve, e ka shndërruar në një “yll në ngjitje”, aq sa prej kohësh është përfolur si pasardhësi, në mos edhe sfidanti i kryetarit aktual të Partisë Socialiste dhe kryeministër, Edi Rama.

Përtej përfojeve në korridoret e politikës, të premten Erion Veliaj e dha hapur mesazhin se është aspirant i vendosur për lidershipin e Partisë Socialiste, pavarësisht se Edi Rama nuk ka dhënë asnjë sinjal se ka ndërmend ta lëshojë së shpejti këtë pozicion.

Veliaj guxoi të urdhërojë deputetët të votojnë ligjin e tij për Teatrin, edhe pse, as ai dhe as ligjvënësit nuk kanë lexuar ende argumentat kundërshtues të Presidentit Ilir Meta. Pasi luftoi dhe ia arriti të largonte nga skena politike Saimir Tahirin, rivalin e tij kryesor për postin e kryesocialistit, tashmë Erion Veliaj e ndjen se është në gjendje të sfidojë mentorin e tij, Edi Ramën.

Veliaj prej kohësh ka krijuar një aleancë fluide me ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj, një funksionar i rëndësishëm në PS, i cili nuk ka raporte shumë të ngrohta me Edi Ramën. Xhafaj, nga ana e tij, i ka siguruar Veliajt një tabor zyrtarësh të lartë, të cilët do të jenë nën urdhërat e tij sa herë të jetë e nevojshme politikisht.

Fatmir Xhafaj, teorikisht vartës i Edi Ramës në qeveri, ka nën kontrollin e tij Komisionin e Ligjeve, nëpërmjet Ulsi Manjës e Vasilika Hysin; ka ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e cila i sheh si idhuj Xhafën dhe Vasilika Hysin; nëpërmjet dr. Ulsi Manjës, Xhafaj ka nën kontroll edhe Kryeprokuroren e Përkohshme, Arta Marku dhe taborin e komisionerëve të Vetingut.

Së bashku me zyrtarët e mësipërm, Veliaj kontrollon edhe deputetë të ndryshëm të maxhorancës, të cilët janë falur tek ai për leje ndërtimi dhe favore të tjera. Pra, pozitat e kryebashkiakut të Tiranës janë forcuar ndjeshëm, aq sa tashmë ai e ndjen veten të sigurt, kur merr guximin të urdhërojë deputetët. Deri më tani, Edi Rama ka heshtur dhe nuk ka thënë asnjë fjalë për dekretin refuzues të Ilir Metës për ligjin e Teatrit.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *