Dr.Ulsiu hodhi një fjalë “në lumë”, e u bllokua Gjykata Kushtetuese

Nga Boldnews.al

Një fjalë e hedhur nga kryetari i Komisionit të Ligjeve, dr. Ulsi Manja, në mbledhjen e parë të konstituimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, ka bllokuar prej disa muajsh emërimin e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese.

Aktualisht, kjo gjykatë pret krijimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED), për të nxjerrë kandidaturat për vende vakante në institucionin që është garant i Kushtetutës.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi u krijua në janar 2018 dhe mbledhjen e parë e zhvilloi në muajin Mars. Në atë takim konstituues, kryetari i Komisionit të Ligjeve, doktor në “Krimet mjedisore”, Ulsi Manja, deklaroi se ky organ (KED) duhet të nisë funksionin e saj, pra shqyrtimin e kandidaturave për në Gjykatën Kushtetuese, pasi anëtarët e tij të kalojnë me sukses procesin e Vetingut.

Kjo deklaratë e dr. Manjës, në fakt, nuk gjente asnjë mbështetje ligjore ose, më saktë, hartuesit e ligjit kanë qenë konfuz në shkrimin e tekstit të ligjit, një mënyrë e mirë për të hapur debate, kur gjithnjë fitojnë përfaqësuesit e maxhorancës.

Neni 284 i ligjit “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, në pikën 9 të tij, parashikon: “Anëtarët e Këshillit të Përkohshëm të Emërimeve në Drejtësi i nënshtrohen rivlerësimit me përparësi”. Pra, vetëm kaq. Nuk thuhet askund që KED-ja të nisi punën “pas kalimit të vetingut të anëtarëve të tij”.

Nëse Këshilli i Emërimeve në Drejtësi do të kishte nisur punën që në muajin Mars, atëherë, me shumë mundësi, në tavolinën e deputetëve tashmë do të ishin emrat e kandidatëve të Gjykatës Kushtuese, gati për t’u votuar. Ndërkohë, paralelisht me përzgjedhjen e kandidatëve për në Kushtetuese, anëtarët e KED të vijonin të ishin nën procesin e Vetingut.

Por, dr. Ulsiu e lexoi ligjin sipas mënyrës së tij, vendosi veton në mbledhjen e parë të Këshillit të Emërimit në Drejtësi dhe tashmë jemi në një fazë që as vetë Manja nuk e ka të qartë se kur do të zhbllokohet. Kjo, edhe për faktin se vetë dr. Ulsiu është i bindur që sistemi i drejtësisë nuk është në kolaps.

Disa ditë më parë, ai doli para mediave dhe e deklaroi i bindur se “nuk ka asnjë ngërç në institucionet e drejtësisë”, por u largua me shpejtësi kur gazetarët e pranishëm e pyetën se “çfarë do të thotë për Manjën dhe maxhorancën zhbërja e Gjykatës Kushtetuese dhe bllokimi total i Gjykatës së Lartë”.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, me shumë mundësi, do të dojë kohë të konstituohet, përsa kohë që, deri më tani, janë shkarkuar 3 nga 9 anëtarë të tij dhe ndërkohë 5 janë në pritje të procesit të Vetingut.

Edhe nëse dalin me sukses anëtarët e mbetur të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, ata do të duhet të presin që të plotësohen edhe vakancat e krijuara tashmë brenda radhëve të tij. Anëtarët e shkarkuar nga Vetingu do të duhet të zëvendësohen nga të tjerë, të cilët, pasi të zgjidhen me short, do të duhet të kalojnë në procesin e rivlerësimit kalimtar.

Në rastin më të mirë, edhe nëse këto procedura do të vijojnë shumë shpejt, sërish ato nuk do të mund të arrijnë të përmbyllen deri në fund të vitit, kohë kur i mbaron mandati 1-vjeçar Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Në fund të vitit 2018, Kuvendi do të zhvillojë shortin e radhës për të zgjedhur anëtarët e rinj të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, të cilët sërish do të duhet të kalojnë vetingun, para se të konfirmohen në detyrë e më tej të caktojnë kandidatët për në Gjykatën Kushtetuese.

Një rreth i tërë vicioz, të cilit nuk i gjendet filli, vetëm e vetëm për faktin se dr. Ulsi Manja e lexoi ligjin sipas optikës së tij.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *