Pasuria/ Artan Broci rritej në detyrë, bashkëshortes i shtoheshin milionat

Nga Boldnews.al

Artan Broci, anëtar i Gjykatës së Lartë dhe aktualisht drejtues i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, rezulton të jetë ndër gjyqtarët më të pasur në Shqipëri. Pjesa më e madhe e pasurisë së tij është krijuar nga të ardhurat e bashkëshortes e cila, çuditërisht, ka rritur fitimet nga “Noteria” në progresion gjeometrik me rritjen në karrierë të Artan Brocit.

“Boldneës.al” ka siguruar deklaratat e pasurisë ndër vite të Artan Brocit, në të cilat konstatohet lehtësisht se ai ka disa burime alternative, përveç pagës së tij si gjyqtar, për të siguruar një jetë shumë herë më komode se kolegë të tij, por edhe pjesës më të madhe të qytetarëve shqiptarë.

Artan Broci ka dy apartamente dhe një zyrë, nga të cilat deklaron se merr të ardhura qeraje që në deklaratën e parë të pasurisë, në vitin 2003. Por, ajo që fat i madh në familjen Broci janë fitimet e bashkëshortes, Irma Broci, nga aktiviteti privat i noteres.

Deri në vitin 2008, kur Artan Broci ishte gjyqtar në Gjykatën e Tiranës, bashkëshortja e tij ka deklaruar fitime në vlerën e rreth 2 milionë lekë të reja në vit. Pra, pak a shumë rreth 150 mijë lekë të reja në muaj. Një shifër e mirë për mesataren e pagave në Shqipëri, por gjithësesi jo aq sa për të siguruar një jetë luksoze.

Në vitin 2008, Artan Broci emërohet gjyqtar në Apelin e Tiranës. Paralelisht me këtë ngritje në detyrë, gjithnjë sipas deklaratave të pasurisë, rriten edhe të ardhurat e noterisë së bashkëshortes.

Për periudhën 2008-2011, bashkëshortja e gjyqtarit deklaron të ardhura në një mesatare 25.-3 milionë lekë të reja, pra me një rritje të konsiderueshme nga vitet e kaluara, kur Artan Broci ishte gjyqtar në shkallën e parë.

Prej vitit 2012, kohë kur Artan Broci emërohet anëtar i Gjykatës së Lartë, aktiviteti “Noteri” i bashkëshortes së tij shënoi një kapërcim galopant në të ardhurat vjetore. Kështu, në vitin 2013, noteria kishte krijuar 4 milionë lekë të reja të ardhura; në vitin 2014, krijoi 4.6 milionë lekë të ardhura; në vitin 2015, bashkëshortja e tij arkëtoi 5.2 milionë lekë të reja dhe në vitin 2016, po 5.2 milionë lekë të reja.

Pra, koha kur Artan Broci u emërua në Gjykatën e Lartë, paralelisht u shtuan mbi 200 përqind të ardhurat e bashkëshortes së tij në aktivitetin privat “Noteri”. Natyrisht, e gjithë kjo mund të jetë rastësi, por gjithësesi faktet janë kokëfortë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *