Gjermania vjet hapi njohjen e dëftesave të lirimit vetëm për shqiptarët. Nga kjo fëmijët shqiptarë përfitonin një vit dhe nuk kanë më nevojë të bëjnë vitin shtesë për konvertimin e gjimnazit. Dhe mund të hyjnë direkt në universitet.
Afati për mbërritjen e dokumentave të aplikimit në Gjermani ështe dt 15 Korrik. Në mungesë të diplomës mund të bashkohet aplikimit certifikata e notave.
Sot jemi 6 korrik e premte dhe nuk është lëshuar asnjë certifikatë notash.
Tani ta bëjm llogarinë sikur certifikatat të dalin të Hënën. Të hënën ështe data 9. Pasi të merren certifikatat duhet minimuni katër ditë të mbyllen të gjitha procedurat.
Certifikata çohet në DAR për vërtetim në Ministrinë e Arsimit. Tek Drejtoria Arsimore Rajonale (DAR) çohet dorazi dhe merret po ashtu dorazi. Edhe nëse kjo procedurë realizohet brenda ditës, maturantët sërish kanë një ditë më pak në dispozicion.
Pasi tërhiqet nga Ministria e Arsimit, certifikata niset me postë në Ministrinë e Jashtme për legalizim. Te ky institucion niset me postë dhe merret prap te posta, por pas 2 ditësh. (Minus dy ditë)
Më pas duhet ta çosh tek përkthyesi i licencuar për përkthim e tek noteri për noterizim. (Po i japim një ditë). Mbas tërë kësaj xhiroje e bashkon me aplikimet dhe e poston. Duhet ta nisësh me datë 12 korrik që të mbërrijë në datën 15 në Berlin.
Deri në datën 12 janë gjithsej 3 ditë në dispozicion. Prindërit po bëjnë ecejakje nga oborret e shkollave te Ministria e Arsimit.
Certifikatat janë formularë që i kanë shkollat por duhen plotësuar me të dhënat për notat. Këto të dhëna janë te portali i Ministrisë së Arsimit që nuk është hapur ende. Që shkollat të hedhin të dhënat duhet të hapet portali, që shkollat të lidhen me portalin dhe të hedhin notat e të printojne certifikatat.
Sikur i gjithë ky proces të çlirohet të hënën dhe të ecë si kompjuter nuk bëhet dot që fëmijët të dorëzojnë aplikimet deri në datën 15 korrik.
Dhe pyetja që shtrohet tani është: Janë thjeshtë “derra” apo po e bëjnë qëllimisht që të furnizojnë universitetet private këtu me studentë të cilëve iu mohohet mundësia përmes burokracive për të studiuar në një Universitet prestigjioz në Europë?