Dështimi i Ramës/ Përtej të gjitha.. Shqipëria humbi shansin për hapjen e negociatave

Nga Boldnews.al
Java që u mbyll shënoi dështimin më të madh të qeverisë “Rama” në rrugën drejt Bashkimit Europian. Këshilli Europian nuk e përfshiu në rendin punimeve të samitit çështjen e hapjes së negociatave me vendin tonë, duke vendosur që hapja e negociatave me Shqipërinë do të shqyrtohet pas një viti, në qershor 2019.

Ky rezultat i dështuar, e detyroi Kryeministrin Edi Rama të rimarrë në dorë rolin e propagandistit, duke sajuar ngjarje dhe zhvillime, me të cilat synon të krijojë bindjen se, së pari negociatat u hapën dhe, së dyti, se jeta politike vazhdon normalisht.

Në realizim të qëllimit të tij, më së pari, Rama bëri një shoë të shkurtër në Parlament. Ai qëndroi rreth 10 minuta, ku ironizoi e kritikoi opozitën e cila, sipas tij, nuk e kupton procesin e integrimit dhe më pas u larguar, në tentativë për të mos u përballur me opozitës parlamentare.

Më pas, nëpërmjet Taulant Ballës, sajoi një makinacion, sipas të cilit e lidh kryetarin e Partisë Demokratike, Lulëzim Basha, me një familjar të personave të shpallur në kërkim për trafikun e 3.4 milionë eurove, të zbuluara në fillim të javës në Portin e Durrësit. Balla, nga ana e tij, është i dyshuari kryesor i opozitës si personi që kishte dhënë “garanci” për trafikun e shumës së madhe të parave, të cilat po mbërrinin në Shqipëri për llogari të një bande kriminale me qendër në Elbasan.

Në vijim të tentativës për të shmangur vëmendjen nga dështimi përballë Bashkimit Europian, qeveria “Rama” dërgoi në Parlament një projekt-ligj me urgjencë, për shëmbjen e Teatrit Kombëtar dhe kalimin e pronës publike në qendër të Tiranës, në favor të një firme ndërtimi shumë pranë qeverisë.

Në fundjavë, nëpërmjet një skenari të dobët, Edi Rama dhe ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, organizuan një ceremoni urgjente për dekorimin e ambasadorëve shqiptarë, që ushtrojnë detyrën në vendet e BE-së, të cilët ishin kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë.

Ambasadorët në Hollandë, Luksemburg e Francë u nisën me urgjencë prej selive të tyre për në Tiranë, për të qenë pjesë e teatrit politik të Edi Ramës, i cili po i dekoronte, pavarësisht se roli i tyre jo vetëm që ishte i dështuar, por, për më tepër, përgjegjësia nuk ishte aspak e tyre për këtë dështim.

Të gjitha këto çështje periferike, kanë shërbyer si “kocka” për median, kryesisht të kontrolluar nga qeveria, për të shmangur vëmendjen nga problemi themelor politik shqiptar-humbja e shansit për të kapur trenin e radhës për në Bashkimin Europian.

Ethet e tifozërisë së Kampionatit Botëror, i cili po zhvillohet këto ditë, nuk e kanë ndihmuar Edi Ramën që të shpëtojë nga “kryqëzimi publik” lidhur me dështimin e tij në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, në forcimin e shtetit ligjor, në uljen e azil-kërkuesve, në sigurinë për pronën, për shëndetësinë, për arsimin, e të tjerë aspekte të jetës publike.
Janë të gjitha këto çështje, të cilat Këshilli Europian ia vendosi sërish në tavolinë Shqipërisë për të treguar se ka vullnetin për t’i përballuar deri në vitin e ardhshëm. Edi Rama e di dhe makina e tij e propagandës e di shumë mirë se cila është e vërteta.

Ai tashmë ka dy zgjidhje kryesore; të largohet ose të vijojë rrugëtimin e tij të dështuar. Opsioni i parë, dorëheqja, duket tërësisht e pamundur. Ai do të vijojë të ndjekë rrugën e tij, pavarësisht kostove në dëm të qytetarëve shqiptarë. Ndaj, zgjidhja qëndron në anën tjetër të politikës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *