Manjani thirrje Metës: Mos firmos marrëveshjes për detin me Greqinë, përndryshe…

Sipas shumë burimeve, vizita e papritur ditën e djeshme e kryeministrit Edi Rama në Presidencë dhe takimi 40-minutësh me presidentin, Ilir Meta, ka pasur si pikë kryesore Marrëveshjen me Greqinë. Pak kohë më parë, Presidenti dha plotfuqishmërinë, për vijim e negociatave të marrëveshjes. Në rastin e një firmosje të kësaj marrëveshje delikate, sërish kërkohet plotfuqishmëria e kreut të shtetit. Kjo ka qenë edhe emergjenca dhe arsyeja “madhore” e kësaj vizite të Edi Ramës, së cilës i ka paraprirë edhe miklimi që i ka bërë ai Ilir Metës, duke e konsideruar si “presidenti më i mirë, që pas vitit 1990”.

Në një kohë që Gjykata Kushtetuese është jashtë funksionit, firma e Ilir Metës merr një rëndësi fondametale për planin e Edi Ramës. Në këtë linjë, ish ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, njëkohësisht një nga eksponentët e lartë të LSI ku Meta ka qenë kryetar, i ka bërë sot një thirrje publike presidentit, për mos dhënien e kësaj plotfuqishmërie. Në shënimin e tij për këtë çështje Ylli Manjani shkruan, se nuk mund të këtë marrëveshje për sa kohë që në vend nuk ka Gjykatë Kushtetuese.

”Është kjo gjykatë që vlerëson kushtetutshmërinë e marrëveshjeve, por ajo nuk ekziston! Ndaj s’mund të ketë marrëveshje me askënd! Aq më tepër një marrëveshje për de-limitim kufinjsh”, shkruan ai sot në facebook.

Shkrimi i plotë i ish-ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani

Plotfuqishmëri për marrëveshjen e detit?! Në mënyrë absolute jo! Kjo do ishte pjesë e tradhëtisë ndaj vendit. Republika e Shqipërisë për turpin e vet, nuk është në pozita kushtetuese të nënshkruajë marrëveshje ndër-shtetërore me askënd, sepse:

NUK KA GJYKATË KUSHTETUESE!

Është kjo gjykatë që vlerëson kushtetutshmërinë e marrëveshjeve, por ajo nuk ekziston! Ndaj s’mund të ketë marrëveshje me askënd! Aq më tepër një marrëveshje për de-limitim kufinjsh! Pu pu pu pu….

Me gjithë respektin, por: As qeveria, që ka treguar qartë që shet çdo gjë e gjithkënd, për pushtetin e Xhafallarëve e as Ramallarëve; As Presidenti, që ende nuk ka asnjë fjalë për keqqeverisjen; Nuk janë garanci për kushtetuetshmërinë e marrëveshjeve ndër-shtetërore!

Edhe sikur të dy këto institucione të ishin 100% qelibar, prap nuk janë garanci në kuptimin Kushtetues! Kjo garanci sipas Kushtetutes jepet vetëm nga Gjykata Kushtetuese!Si në çdo vend tjetër të botës. Kujtoj që edhe në shtetin e ri të Kosovës, ishte Gjykata Kushtetuese që i dha garancinë përfundimtare marrëveshjes me Malin e Zi!

Republika e Shqipërisë nuk e jep dot këtë garanci kushtetuese qytetarëve të saj! Kulmi! Marrëveshja e detit nuk është as kontratë koncensioni e as vendim qeverie që prish e ndreq ndërtesa publike, apo që pezullon çertifikatat e pronësisë!!!

Nëse duan të bëjnë ndonjë gjë të hajrit, të publikojnë rezultatin e negociatave dhe një hartë që del nga këto. Të ftojnë opinionin dhe specialistët të japin vlerësimet e tyre, deri sa vendi të ketë një Gjykatë Kushtetuese! Të “përfitojmë” nga kjo gjë absurde! Ndryshe, çdo gjë tjetër është Tradhëti ndaj vendit!

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *