Kryeministri Edi Rama u ka bërë dje thirrje drejtorëve rajonalë të Zyrave të Punës që të mos pranojnë asnjë ndërhyrje nga deputetët apo nga zyrtarët e tjerë për të punësuar persona të paaftë.
Gjatë një takimi të zhvilluar me dyer të mbyllura në Kryeministri, shefi i qeverisë u ka lënë porosi drejtorëve të Zyrave të Punës që ta informojnë me mesazhe për çdo ndërhyrje për punësimet.
Për Kryeministrin, personat që do të punësohen duhet të kenë për bazë vetëm aftësinë dhe performancën individuale dhe jo teserën partiake. “Mos bëni punën e asnjë punonjësi të paaftë, por t’i shkarkoni pa marrë parasysh asnjë bindje politike apo kush e ka sjellë në punë. Merrni për bazë vetëm aftësinë dhe performancën individuale dhe nëse një ministër apo deputet ndërhyn për 1 punonjës të vetëm të paaftë, më çoni me sms emrin e deputetit apo ndërhyrjes”, mësohet të jetë shprehur Rama gjatë takimit pa media.
Më tej, Kryeministri u ka kërkuar drejtorëve të Zyrave Rajonale që të mbajnë ritmin e punësimit dhe të arrijnë objektivat e vendosura, në të kundërt do të ketë shkarkime. Kreu i qeverisë tha se për këtë muaj nuk do të kishte shkarkime të drejtorëve, sipas tij kjo nuk do të thotë që s’do ketë muajin tjetër.
“Faleminderit që më kursyet sikletin që të më duhej të shkarkoja ndonjë këtë muaj, por kjo nuk do të thotë që do ju fal muajin tjetër…e di që jeni zgjuar. Mbani ritmin”, mësohet të jetë shprehur Rama.
QËNDRIMI
Pas këtij takimi pa praninë e mediave, zëvendësministrja e Financave, Dajna Sorensen, ka njoftuar se Zyrat e Punës kanë kaluar targetin e vendosur për këtë 3- mujor. “Gjatë muajit maj janë realizuar 3296 punësime. Krahasuar me 2314-n që ishte targeti i Zyrave të Punës për këtë muaj. Do doja të nënvizoja se zyra e Kukësit, e Pogradecit, Sarandës, zyra me treg relativisht pune, kanë bërë një punë fantastike. E tejkaluan targetin e tyre me 4-fish dhe 5-fish. Të gjitha Zyrat e Punës e kanë arritur targetin për këtë muaj. Në total, për periudhën mars-prill-maj numri i vendeve të punës që janë ndërmjetësuar nëpërmjet Zyrave të Shërbimit Kombëtar të Punës ka arritur në shifrën e 10800 personave, të cilët kanë përfituar dhe janë punësuar nëpërmjet Zyrave të Punës. Në total, Zyrat e Punës për këtë vit kanë një target prej 25 mijë punëkërkuesish, të cilët do të asistohen prej tyre” ka thënë Sorensen.
Zëvendësministrja e Financave tha se janë ndihmuar dhe familjet që dolën nga skema e ndihmës ekonomike për t’u punësuar në sektorin privat. “Janë 560 familje, të cilat kanë përfituar nga Shërbimet e Zyrave të Punës dhe aktualisht kanë të ardhura më të larta, sepse persona në këto familje tashmë janë të punësuar nëpërmjet Zyrave të Punës. Zyrat e Punës punojnë fort për t’i shkuar më pranë biznesit dhe për të identifikuar vende të lira pune. Në marsprill-maj janë 22 mijë vende pune, të cilat janë identifikuar pranë sektorit privat”, ka thënë Sorensen.