Pas më shumë se dy orësh në mbledhjen e gupit parlamentar, PD vendosi që të mos e bojkotojnë Parlamentin.
Mësohet se në këtë mbledhje është diskutuar edhe djegia e mandateve të deputetëve.
Mirëpo në fund, Basha nuk ka qenë i mendimit për të bojkotuar Kuvendin, pasi rrezikon integrimin. Megjithatë, gjatë mbledhjes ka bërë të ditur se Fatmir Xhafaj duhet të largohet. “Lëvizja drejt bojkotit parlamentar në kushtet kur jemi investuar fort për hapjen e negociatave, rrezikon të devijojë vëmendjen nga çështja kryesore, që kemi një qeveri të lidhur me krimin e organizuar dhe trafikun e drogës.
Kemi një ministër të Brendshëm, vëllai i të cilit është një trafikant ndërkombëtar droge. Gjithashtu, kemi një kryeministër që është kaq i lidhur me krimin sa kalon nga një ministër i Brendshëm, pjesë e një organizate kriminale të trafikut të drogës të një ministër që ka vënë Ministrinë, policinë dhe prokurorinë në funksion të mbrojtjes së vetes dhe vëllait të tij trafikant droge. Në këto kushte, jam i mendimit të përdorim të gjitha format dhe mënyrat demokratike si opozitë me grupin parlamentar, strukturat, qytetarët për të bërë të qartë qëndrimin tonë të prerë së largimi i Fatmir Xhafajt është kusht i panegociueshëm i opozitës, veprim i domosdoshëm për hapjen e negociatave. As shqiptarët, as Europa nuk mund të pranojnë që vendi të kalojë nga policia Tahiri- Habilaj te policia Xhafaj dhe prokuroria Rama-Xhafaj”.
Në mbledhjen e grupit parlamentar, gjatë fjalës së tij, Basha këmbënguli që Xhafaj duhet të largohet nga posti i Ministrit të Brendshëm. “Fatmir Xhafaj duhet të largohet nga Ministër i Brendshëm dhe të hapë rrugën për një hetim të pavarur dhe të pandikuar nga pushteti që ai mban sot. Policia e Shtetit duhet të çlirohet nga kapja prej klanit Xhafaj, i cili zëvendësoi klanin Tahiri-Habilaj, duke vazhduar të mbrojë krimin dhe trafikun ndërkombëtar të drogës. Lufta kundër krimit dhe drogës është një kusht kryesor i hapjes së negociatave me Bashkimin Europian, plotësimi i të cilit po vazhdon t’i kërkohet me forcë qeverisë shqiptare nga qeveritë europiane”.