Lamtumirë Juventus, kjo është e gjithë karriera e Gigi Buffon

Të analizosh karrierën e Gigi Buffon është si të rrëfesh 22 vite jetë. Të flasësh për historitë e një vendi, që ai e dërgoi në majën e botës në 2006-ën.

Rekorde të shkërmoqur, triumfe të paharrueshme dhe shumë Juventus. Klubi që Gigi nuk e braktisi as pas çështjes “Calciopoli” dhe rënies në Serinë B.

Është e pamundur të përmblidhet një karrierë, që do të mbetet e papërsëritshme. Më poshtë janë renditur 10 momentet që kanë shënjuar karrierën e tij.

19 NËNTOR 1995: Debutimi në seria A — Ka qenë një ndeshje Parma-Milan dhe portieri titullar i emilianëve, Luca Buçi, ka qenë i dëmtuar. Trajneri Nevio Scala mori vendimin të mos aktivizonte portierin e dytë, Alessandro Nista, por 17-vjeçarin Buffon. Gigi ka qenë më i miri në fushën e lojës në të parën nga 168 ndeshjet e luajtura me verdheblutë.

29 TETOR 1997: Debutimi me komëtaren— Pasi ka kaluar me radhë ekipet e moshave të “axurrëve”, duke filluar nga ai Under 15, Buffon ka debutuar në një ndeshje Rusi-Itali, e mbyllur në barazim 1-1 dhe e vlefshme për fazën kualifikuese të Francë ’98. Cesare Maldini e aktivizoi në vend të Pagliuca-s, i cili u dëmtuar gjatë ndeshjes dhe u zëvendësuar në minutën e 32-të të pjesës së parë.

1998/99: TROFETË ME PARMËN— Sezoni i parë me trofe ka qenë 1998/99: te Parma e Alberto Malesani-t, ku luante me lojtarë si Thuram, Cannavaro, Veron, Chiesa dhe Crespo. Emilianët kanë fituar Kupën UEFA në 1998-ën, duke mundur ekipin e Marseille në finale dhe Kupën e Italisë pas një përballje të dyfishtë legjendare me Fiorentina-n.

VERA E 2001: Nga Parma tek Juventusi— Ka qenë një verë e bujshme në merkato për Juventusin. Moggi ka shitur Zidane te Real Madrid për 150 miliardë lireta, duke vendosur një rekord absolut në atë kohë, dhe e ka investuar atë shumë për të marrë Thuram, Salas, Nedved dhe Buffon, i paguar 75 miliardë lireta. Numri 1 fitoi 9 tituj në Serie A me bardhezinjtë (plus 2 të hequr), 6 Superkupa të Italisë dhe 5 Kupa të Italisë.

28 MAJ 2003: Finalja e Mançesterit—Ka qenë një finale e gjitha italiane, me Milan që ka sfiduar Juventus. Pasi arriti të eliminonte Barcelona-n dhe Real Madrid-in, Juventus ka shkuar te penalltitë, që 7 vite më parë e kishin shpërblyer në finalen e fituar kundër Ajax. Gigi ka pritur penalltite e Seedrod dhe Kaladze, por Dida ka bërë më mirë dhe kupa i ka shkuar kuqezinjve (2-3). Buffon është shpallur lojtari më i mirë i Champions League, portieri i parë që ka marrë një vlerësim të tillë.

9 KORRIK 2006:Italia kampione bote — Pas një ecurie të çmendur, kombëtarja e Marcello Lippi-t ka mundur Francën në finale me penallti 6-4 (1-1 koha e rregullt dhe shtesa). Një sukses që ka ardhur edhe falë një pritje të jashtëzakonshme të Gigi-t pas një goditje me kokë të Zidane. Ajo ka qenë edhe pritja simbol e atij Botërori.

VERA E 2006-ës: Ferri i “CALCIOPOLI”-t – Në 2005-ën dhe në 2006-ën (Fabio Capello, trajner) Buffon ka fituar titullin në kampionat me një nga ekipet më të forta të të gjithë kohërave të Juventusit. Por, për shkak të “Calciopoli”-t, titulli i parë është hequr dhe i dyti i është dhënë Interit. Juventus është dërguar në Serinë B me një penalizim prej 9 pikësh dhe Gigi, bashkë me Del Piero, Trezeguet, Nedved dhe Camoranesi, ka pranuar të luajë në kategorinë e dytë të futbollit italian në sezonin 2006-07. Ky ka qenë gjesti që e ka kthyer në një legjendë para syve të popullit bardhezi.

6 MAJ 2012: Kthimi te suksesi — Juventus e ka nisur sezonin nga një vend i shtatë dhe jashtë kupave të Europës. Por në stol është ulur një trajner që ka rindezur entuziazmin e tifozëve: Antonio Conte. Më pas ka ardhur edhe shtëpia e re, “Juventus Stadium”. Bardhezinjtë, dy javë para fundit të kampionatit, kanë fituar në Cagliari dhe kanë siguruar titullin, duke i hapur rrugën një dominimi që vazhdon akoma sot. Juventus ka rilindur gjashtë vite pasi kishte prekur fundin.

Gigi kapiten — Në finalen e Kupës së Italisë, atë të luajtur në 20 majin e 2012-ës kundër Napoli-t, është mbyllur karriera e Del Pieros me fanellën e Juventus dhe ka filluar ajo e Buffon, i cili është bërë zyrtarisht kapiten dhe një vit më pas, në 2013-ën, ka fituar titullin e parë me shiritin në krah.

Mallkimi i Champions — I vetmi peng në karrierën e Buffon do të mbetet mungesa e triumfit në Champions, edhe pse ka shkuar shumë afër realizimit të ëndrrës në katër sezonet e fundit. Në 2015-ën, Juventus është mundur në Berlin nga Barcelona, pasi Tevez humbi rastin për të dërguar shifrat në 2-1 për bardhezinjtë. Në 2017-ën ka ardhur humbja 4-1 e pësuar në finalen e luajtur në Kardif kundër Real Madrid.

E fundit në Champions ka qenë 11 prillin e kaluar, kundër Real në “Bernabeu”, e mbyllur me ulërima në fytyrën e arbitrit Oliver, i cili ka dhënë një penallti të diskutueshme në fundin e ndeshjes dhe ndëshkoi me kartonin e kuq portierin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *