Ekskluzive/ Saimir Tahiri dhe Orest Sota, pushime bashkë në Mal të Zi

Nga Boldnews.al

Saimir Tahiri dhe Orest Sota, djaloshi të cilit iu gjetën 863 mijë euro dhe patentat e skafit të ish-ministrit të Brendshëm në makinë, kanë pasur njohje të ngushtë me njëri-tjetrin.

Në dosjen hetimore kundër Saimir Tahirit, pjesë të të cilës “Boldnews.al” i ka siguruar në mënyrë ekskluzive, jepen edhe detaje konkrete mbi lidhet e ish-ministrit me Orest Sotën.

Ata të dy, bashkë me persona të tjerë, kanë qenë për pushime në Mal të Zi vetëm pak muaj para se Orest Sota të arrestohej nga Policia e Elbasanit.

Prokuroria për Krime të rënda thotë se, gjatë hetimit të kësaj çështjeje, kanë rezultuar të dhëna ku evidentohet se gjatë muajit Korrik dhe Gusht të vitit 2017, shtetasi Saimir Tahiri ka bërë pushime jashtë vendit, në shtetin e Malit të Zi dhe Itali, shoqëruar nga familjarët e tij, si dhe disa persona të tjerë, kryesisht punonjës policie dhe njëri prej tyre është shtetasi Orest Sota. Në këtë udhëtim shtetasi Saimir Tahiri ka përdorur për disa ditë një mjet lundrues privat ose turistik, duke qënë dhe vetë drejtuesi dhe kapiteni i këtij mjeti lundrues.

Orest Sota u arrestua në nëntor 2017, pra pak kohë pas pushimeve me Saimir Tahirin, pasi i iku me shpejtësi një post-blloku policor. Pasi u ndalua nga policia, në mjetin e tij u gjetën rreth 863 mijë euro, si edhe patentat e skafit në emër të Saimir Tahirit dhe bashkëshortes së tij.

Orest Sota deklaroi se shuma e parave ishte e tija dhe se po i çonte tek një kompani çeliku, për të kryer disa pagesa për llogari të biznesit të babait të tij. Ndërsa për patentat e Tahirit, ai deklaroi se ato ishin harruar në automjet nga shoferi i ish-ministrit të Brendshëm, Gentian Çaka, i cili ishte shok me Orest Sotën.

Këto deklarime nuk bindën prokurorët e Krimeve të Rënda, të cilët kanë dyshime të forta se shuma e konsiderueshme e parave është e shtetasit nën hetim, Saimir Tahiri. Ky dyshim përforcohet akoma më shumë kur, nga të dhënat e autoriteteve të huaja, provohet se ndërmjet Tahirit dhe Orest Sotës paska pasur një lidhje shumë të ngushtë.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *