Bllofi i qeverisë dhe i ambasadorit Lu me hetimet për të dorëhequrit nga Vetingu

Nga Boldnews.al

Prokuroria për Krime të Rënda ka vendosur të mos fillojë procedimin penal për ish-anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, Besnik Imeraj, i kallëzuar për probleme me pasurinë.

Ndaj gjyqtarit Imeraj nuk ka pasur asnjë të dhënë publike për përfshirjen e tij në korrupsion apo në fshehje pasurie. Gjithësesi, emri i tij u referua në Prokuori nga Komisioni i Vetingut, pasi ai dha dorëheqjen nga funksioni dhe, rrjedhimisht, edhe nga procesi i rivlerësimit të pasurisë dhe figurës së tij.

Besnik Imeraj dha dorëheqjen, bazuar në të drejtën e tij kushtetuese, para se ndaj tij të kishin dalë konkluzionet e procesit të Vetingut. Për këtë arsye, po në bazë të ligjit, Komisioni i Vetingut vendosi të ndërpresë procesin e nisur ndaj tij.

Pak ditë pas dorëheqjes së Imerajt, një tjetër ish-funksionar i lartë, ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, deklaroi zyrtarisht se nuk do të ishte më pjesë e sistemit të drejtësisë. Njëlloj, edhe për Llallën, u ndërpre procesi i Vetingut.

Por këto dorëheqje nuk iu pëlqyen aspak dy personazheve, të cilët e konsiderojnë veten si “baballarë” të Reformës në Drejtësi në Shqipëri-kryeministrit Edi Rama dhe ambasadori amerikan, Donald Lu.

Fillimisht ishte diplomati Lu, i cili, pas këtyre dorëheqjeve, u shpreh se “…pavarësisht se u larguan nga Vetingu, ata nuk do t’i shpëtojnë ndjekjes penale…”. Kjo deklaratë e ambasadorit u huazua edhe nga Kryeministri, i cili në takime të ndryshme publike kërcënonte se gjyqtarët dhe prokurorët që do të dorëhiqeshin, nuk do të shpëtonin nga hetimi për “zullumet e tyre”, sipas Ramës.

Pas këtyre deklaratave, menjehër u angazhua Komisioni i Vetingut, i cili referoi në Prokurorinë e Tiranës materialet kundër Besnik Imerajt. Prokuroria e kryeqytetit vendosi mosfillimin e procedimit, pasi nuk konstatoi asnjë vepër penale.

Por, në të njëjtën ditë që Prokuroria e Tiranës vendosi mosfillimin e hetimeve, Policia e Shtetit referon në Prokurorinë për Krime të Rënda materiale për dyshime për korrupsion kundër Imerajt. Duket qartë që ky referim i Policisë është bërë me shumë nxitim, pasi, brenda dy javësh, edhe Prokuroria për Krime të Rënda vendosi mosfillimin e hetimeve ndaj ish-anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.

Pak më ndryshe qëndron çështja për ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla. Komisioni i Vetingut, pavarësisht deklaratave të ambasadorit Lu, nuk u ndikua për të kallëzuar penalisht Llallën. Por, atë që nuk arriti ta bënte me Komisionin e Vetingut, Donald Lu e arriti nëpërmjet Kryeprokurores së Përkohshme, Arta Marku.

Kjo e fundit urdhëroi nisjen e hetimit për Llallën për “fshehje pasurie” dhe disa vepra të tjera që lidhen me paratë, në bazë të …informacioneve mediatike. Adriatik Llalla ka qenë prej vitesh subjekt i deklarimit të pasurive, si edhe ka qenë në proces Vetingu. Pra, të dhënat e tij pasurore kanë qenë të gjitha të administruara në institucionet publike. Por, Arta Marku u detyrua të urdhërojë nisjen e hetimit, në bazë të indicjeve mediatike, të cilat, në fund të fundit, bën publike të dhënat që vetë Llalla i ka dorëzuar në institucionet përkatëse.

Të paktën, vetëm duke iu referuar kallëzimeve për këto dy raste, është lehtësisht e kuptueshme se Drejtësia e Re është një mekanizëm në dorë të kryeministrit dhe, për disa kohë edhe të ambasadorit Lu, për ta shfrytëzuar për qëllimet e tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *