AKTUALITET

Saimir Tahiri mori letër nga Çapjat: Qazim Sejdini ka krijuar një grup kriminal

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafa, përmendi me emra dy grupet më të fuqishme rivale të Elbasanit. E bëri dje në parlament kur u vu nën akuzë nga opozita se po favorizon njërën prej tyre, të lidhur ngushtësisht me kryetarin e bashkisë, Qazim Sejdinin.

“Kam kërkuar të analizojnë jo thjesht dhe vetëm ngjarjen e ndodhur, sikurse është pasqyruar në media, e cila ka në vetvete problematikat e saj, por një analizë shumë më të plotë që të nxjerrë në pah shkaqet e vërteta të situatës kriminale lidhur me këto dy grupe kriminale, Çelaj dhe Çapja, në mos gaboj.”

Ministri nuk gaboi. Ai e ka në tavolinën e tij të gjithë infomacionin me dosjet e dy grupeve që veprojnë prej më shumë se 1 dekade në Elbasan. Me shprehjen “në mos gaboj” tentoi të tregonte se emrat e përvetshëm s’janë objekt i tij, por është situata ajo që e detyron të veprojë dhe presioni i opozitës ai që e bën t’ua përmendë emrat ndër dhëmbë. Por kjo është një histori tjetër, që lapsi.al po e investigon.

Ministri i Brendshëm është në dijeni të faktit se Qazim Sejdini, kryetari i Bashkisë së Elbasanit, ruhet me eskortë prej fundit të vitit 2016. Ka dijeni në detaje për arsyet, sepse urdhëri ka dalë nga zyra e tij kur në të qëndronte Saimir Tahiri.

Një burim konfindencial tha për lapsi.al se në nëntor të 2016, në zyrën e Saimir Tahirit ka mbërritur një letër nga fisi Çapja që i shpjegonte të gjithë lidhjen e Qazim Sejdinit me një grup të fuqishëm kriminal në trafikun e drogës dhe që vihej nën akuzë për disa vrasje.
Antarët e tij i këkronin të hetonte këtë grup kriminal si përgjegjës për masakrën e fillim-shkurtit 2016 me 3 të vrarë e 8 të plagosur nga fisi i tyre.
“Ky grup – shkruhet në letër – ka lidhje familjare me Qazim Sejdinin dhe gëzon mbështetje dhe mbrojtje të fortë politike prej tij”.

Fisi autor i kësaj letre ishte pjesë e një spiralje hakmarrjesh, që në më shumë se 1 dekadë ka shkaktuar 11 viktima në përplasjen me fisin Mema.
Përmendja e Qazim Sejdinit e bënte politikanin lokal potencialisht shenjestër të tij.

Saimir Tahiri i kërkoi pa vonesë Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Haki Çakos, që të garantonte sigurinë e Sejdinit. Një eksortë vazhdon ta ruajë ende edhe sot “Lalën e Elbasanit”, njëriun më të pushtetshëm të këtij qyteti.

Por kush janë dy grupet kriminale që po dominojnë sot edhe debatin politik dhe cilat janë lidhjet e tyre me politikën? A është e implikuar policia, siç akuzon opozita?

Fisi Çapja nisi të shfaqej me vrasjen e Sokol Çapjas në vitin 2005 nga nipërit e Fadil Memës, një ish –punonjësi policie që u ekzekutuar në vitin 2015, në Torino të Italisë.Ai konsiderohej si shkaku i konfliktit të përgjakshëm që zgjati plot 10 vjet dhe me vrasjen e tij u duk se fisi Çapja e mbylli misionin hakmarrës.

Por masakra e ndodhur më 3  shkurt të vitit 2016 ndaj Çapjave, me 3 të vrarë e 8 të plagosur, e rindezi sërish hasmërinë e vjetër. Dy muaj më vonë, në prill, vritet Sajmir Beqiri, 51 vjeç, nip i Fadil Memës. Ekzekutohet në një karburant, pasi ishte ndjekur me makinë. Çapjat e lidhën me hakmarrjen e vjetër masakrën e shkurtit.
Në qershor plagoset në një atentat duke lëvizur me një makinë të blinduar në Elbasan Florenc Çapja.

Prej kësaj ngjarje Çapjat e ndryshojnë objektivin. Sapo vunë ne dijeni Saimir Tahirin për dyshimet që kishin ndaj grupit që drejtohej nga Suel Çela dhe Sokol Sanxhaktari, dhëndrri i Qazim Sejdinit, një grup i policisë kriminale u dërgua për t’i mbajtur nën vëzhgim Çapjat.

Po në nëntor mes policisë dhe disa antarëve të fisit pati një përplasje me armë. Tre personat e arrestuar deklaruan se nuk i kishin njohur policët. “Ata nuk kishin asnjë shenjë dalluese dhe qëlluan me armë për të na vrarë”, deklaruan në polici.

Lapsi.al zbuloi në atë kohë se nga vendi ku qëlluan policët u gjetën gëzhoja kallashnikovi. Por asnjë armë  e tillë nuk u gjet në duart e policëve. Një iniciativë për të hetuar se si u gjetën mbi 30 gëzhoja të armës së fuqishme nën këmbët e policëve dhe rreth makinës së tyre, u mbyll në rrethana misterioze.

Në letrën drejtuar Saimir Tahirit, fisi Çapja e njoftonte se nën presionin e Qazim Sejdinit, policia mund të ishte kompromentuar.

Ngjarja e ndodhur më 18 shtator, 11 ditë më parë, ku një makinë e blinduar goditi makinën e nëndretjorit të policisë së Elbasanit, i ka shtuar dyshimet për kompromentimin e uniformave blu. Sepse asnjë polic, 12 të tillë ishin në vendin e ngjarjes dhe me armë në dorë, nuk lëvizi asnjë hap për ta ndaluar autorin.

Në rastin e Çapajve, policia kishte shkëmbyer zjarr me të për disa minuta me radhë, pa u stepur si në rastin e 12 policëve, që sipas PD u gjendën përballë Suel Çelës dhe Sokol Sanxhaktarit, dhëndërrit të Qazim Sejdinit. Kjo ishte arsyeja, sipas saj, që audi i zi i blinduar nuk u ndalua.

Një hetim po kryhet për veprimet e policëve.

Por PD pretendon se grupi kriminal ka mbështetjen e vetë Ramës, ndaj policia nuk lëvizi as gishtin e vogël. “Kë ke në prehër ti që ke frikë të përmendësh togfjalëshin; organizatat kriminale të Elbasanit? Krimi i organizuar në Elbasan që e menaxhon Qazim Sejdini yt, për hesapin tënd”, iu drejtua Lulzim Basha kryeministrit të vendit në parlament, akuza për të cilat nuk mori përgjigje.

Shkaqet e përplasjes me dy bandave, siç thotë ministri Xhafaj, janë të panjohura për policinë. Por dy grupet dyshohet se veprojnë në trafikun e lëndëve të forta narkotike dhe Elbasani konsiderohet si nyje e këtij trafiku mes lindjes dhe vendeve të BE. /Lapsi.al

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Te Fundit

To Top