AKTUALITET

Operacionet e policisë italiane zbulojnë dështimin e Shqipërisë në luftën kundër kanabisit

Nga Boldnews.al

Qeveria shqiptare nuk e pranon në asnjë moment dështimin me luftën kundër narkotikëve, pavarësisht se shifrat gjatë vitit 2017 janë alarmante. Në prezantimin e programit qeverisës për 4 vitet e ardhshme, ditën e hënë, kryeministri Edi Rama e konsideroi sukses të padiskutueshëm. Ai akuzoi opozitën dhe ish-aleatët e tij, LSI, se shpërndajnë të dhëna të pavërteta në kancelaritë ndërkombëtare për luftën e munguar kundër drogës.

Por, situata reale dëshmohet nga të dhënat e autoriteteve policore fqinje. Gjithashtu, edhe vetë statistikat e Policisë Shqiptare tregojnë mungesë totale efikasiteti në luftën kundër trafikut detar.

Gjatë vitit 2017, autoritetet italiane kanë sekuestruar rreth 30 ton kanabis, i cili mbërrinte me gomone nga brigjet shqiptare. Gjithashtu, edhe autoritetet greke kanë sekuestruar të paktën 3 ton kanabis, i trafikuar në rrugë detare.

Ndërkohë, Policia Shqiptare ka raportuar, në thuajse të gjithë rastet e evidentuara prej saj kapjen e gomoneve, ose kapjen e drogës në breg. Por, në pjesën dërrmuese të rasteve, autorët e trafikut, skafistët dhe, aq më tepër organizatorët, nuk janë identifikuar ose arrestuar.

Boldnews.al ka renditur në mënyrë të përmbledhur dështimet e mëdha të policisë shqiptare gjatë vitit 2017, duke i krahasuar ato me rezultatet konkrete të policisë italiane dhe asaj greke.

– Në 21 janar 2017, Policia e Vlorës njofton se ka kapur një skaf, i cili dyshohet për trafik narkotikësh. Nisin hetime në gjendje të lirë për dy shtetas italianë, të dyshuar për kalim kufiri. Asnjë shenjë për drogë.

– Në 25 janar 2017, Policia e Vlorës dhe Guardia di Finanzia bllokojnë një skaf në grykëderdhjen e Vjoës. Mjeti dyshohej se mund të përdorej për trafik, por nuk u gjet asnjë provë.

– Në 27 janar 2017, Policia e Shtetit dhe Guardia di Finanzia kapin një skaf me lëndë narkotike, në ujërat pranë Karaburunit. Trafikantët u larguan.

– Në 5 shkurt 2017, në Itali u kap një kamion me 8 ton drogë, e cila kishte hyrë në Shqipëri nga Maqedonia nëpërmjet pikës doganore Qafë-Thanë dhe ka dalë nga pika e kalimit kufitar në portin e Durrësit.

– Në 1 mars 2017, Policia Kufitare Vlorë ndalon një skaf në zonën e Kepit të Gjuhëzës, që mund të përdorej për trafik narkotikësh. Asnjë gjurmë për drogë dhe asnjë person i dyshuar.

– Në 24 mars 2017, në Itali u kap një kamion me shofer shqiptar, me rreth 2.2 ton kanabis në bord.

– Në 27 mars 2017, zbulohet një gomone me 750 kg kanabis në bord, në zonën e njohur si Gjiri i Anglezit, në Karaburun. Asnjë i arrestuar apo i dyshuar.

– Në 13 prill 2017 zbulohet rreth 380 kg kanabis, në bregun e Akërnisë në Vlorë. Nuk u gjet asnjë mjet lundrues dhe as personat e përfshirë në këtë trafik të mbetur në tentativë.

– Në 15 maj 2017, Policia e Vlorës sekuestron dy gomone në një magazinë pranë Pusit të Mezinit. Mjetet dyshohet se mund të përdoreshin për trafik. Por, nuk u gjet asnjë shenjë droge dhe pronarët e mjeteve lundruese u proceduan për mungesë të dokumentacionit të plotë.

– Në 21 maj 2017, Policia e Vlorës bllokon skafin e një shtetasi italian, me dyshimet se ai mund të përdorej për trafik narkotikësh. Asnjë provë dhe asnjë zbulim edhe në këtë rast.

– Në 18 qershor 2017, Policia e Shkodrës bllokon një skaf me lëndë narkotike në zonën e Velipojës. Trafikantët u larguan dhe ende nuk janë zbuluar.

– Në 5 korrik 2017, Policia e Vlorës bllokon një skaf, me dyshimet se mund të përdorej për trafik narkotikësh. Dyshimet mbetën vetëm të tilla, pasi nuk u zbulua asnjë provë kundërligjshmërie.

– Në 28 korrik 2017, Policia e Kavajës zbulon 1.3 ton kanabis në dy mjete automobilistike, të cilat rezulton se kanë dështuar për të nisur lëndën narkotike me gomone, për shkaqe mosmarrëveshjeje pazari mes trafikantëve. U arrestuan 3 persona, si edhe u zbulua një mjet tip gomone që do të shërbente për trafikun e kanabisit. Ky është i vetmi rast që është zbuluar lënda narkotike, skafi dhe janë arrestuar personat. Edhe në këtë rast, Policia i zbuloi rastësisht, pasi autorët, të cilët nuk realizuan trafikun, dëmtuan mjetet e tyre gjatë kohës që po largoheshin nga bregu.

– Në 20 gusht 2017, Policia e Vlorës zbulon një kamion me 700 kg kanabis, pranë zonën së njohur si Hidrovori, ngarkesë e cila pritej të ngarkohej në gomone. Nuk u identifikuan dhe nuk u arrestuan autorët e trafikut.

– Në 10 shtator 2017, Policia e Vlorës zbulon një sasi rreth 1 ton kanabis në zonën e Portit të Vjetër. Trafikantët u larguan me gomone dhe nuk u bë i mundur arrestimi i tyre.

Pra, sipas të dhënave të mësipërme, përveçe rastit të Kavajës, në asnjë rast tjetër, Policia shqiptare nuk ka mundur të zbulojë autorët e trafikut. Po ashtu, në pjesën dërrmuese të rasteve të raportuara zyrtarisht, bëhet fjalë vetëm për dyshime që skafet mund të përdoren për trafik, por që nuk janë shoqëruar me prova dhe fakte konkrete.

Shumë më ndryshe paraqitet situata e luftës kundër kanabisit në brigjet italiane. Më poshtë janë renditur disa nga operacionet më të suksesshme italiane gjatë vitit 2017, ndërkohë që në total, autoritetet e përtej Adriatikut flasin për rreth 30 ton kanabis sattiva të sekuestruar në total, e cila kishte si origjinë vendin tonë.

– Në 5 janar 2017, në zonën e Leçes kapet një skaf i nisur nga Shqipëria me 510 kg lëndë narkotike. Arrestohet skafisti, një shqiptar 29 vjeç

– Në datë 10 janar 2017, në zonën e Pulias, kapet skafi i nisur nga Shqipëria me 2 ton kanabis. Arrestohen dy trafikantët, një shqiptar dhe një italian

– Në 22 janar 2017, në zonën e Puljas kapet skafi i nisur nga Shqipëria me 1.3 ton kanabis. Arrestohen dy trafikantët shqiptarë që drejtonin gomonen.

– Në 8 mars 2017, Guardia di Finanzia e Barit bllokon një gomone e nisur nga Shqipëria, me 1.2 ton kanabis në bord. Arrestohen dy trafikantët shqiptarë, banues në Vlorë.

– Në 13 mars 2017, policia italiane bllokon në Puglia një gomone të nisur nga Shqipëria me 815 kg kanabis. Arrestohen dy trafikantët shqiptarë.

– Në 1 prill 2017, bllokohet në Puglia një skaf me 591 kg kanabis në bord, e nisur nga Shqipëria. Arrestohen dy trafikatët shqiptarë.

– Në 7 prill 2017, në ujërat e Italisë së Jugut, zbulohen dy skafe që ishin ngarkuar me lëndë narkotike në Shqipëri. U arrestuan disa persona.

– Në 15 maj 2017, Guardia di Finanzia zbulon një skaf në zonën Puglias, i nisur nga Shqipëria, në bordin e të cilit ishin 1710 kg kanabis. Arrestohen dy trafikantët shqiptarë.

– Në 17 maj 2017, autoritetet italiane zbulojnë një gomone të braktisur, në bordin e së cilës gjendeshin 2.2 ton kanabis. Hetimet italiane provuan së lënda narkotike kishte origjinë nga Shqipëria, por nuk u bë i mundur arrestimi i trafikantëve.

– Në 3 gusht 2017, policia italiane zbulon në zonën e Viestes një skaf të nisur nga Shqipëria. Në bord ishin 2262 kg kanabis. Arrestohen dy skafistët shqiptarë.

– Në 10 gusht 2017, Policia greke zbulon në një jaht luksoz në ishullin Kithiron një sasi prej 2 ton kanabis, me origjinë nga Shqipëria. Arrestohen dy trafikantët, një shqiptar dhe një italian.

– Në 6 shtator 2017, rreth 4 ton kanabis, e cila dyshohet se është nisur nga zona e Lezhës, zbulohet nga policia italiane në bordin e një jahti me flamur amerikan. Arrestohen 3 trafikantët shqiptarë.

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Te Fundit

To Top