Nard Ndoka konfirmoi në Top Story lajmin që po qarkullon nëpër portale se ai nuk do të jetë pjesë e grupit të deputetëve të Partisë Demokratike në Parlament.
Duke folur drejtpërdrejtë në lidhje telefonike me Sokol Ballën, Ndoka konfirmoi se bashkë me Dulen dhe Shehin i janë drejtuar Kuvendit me një kërkesë për të dalë nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike dhe tha se shpreson që të formojnë një grup parlamentar së bashku.
“Ne nuk jemi anëtarë të grupit paralmentar të Partisë Demokratike, bashkë me aleatët, LZHK, republikanët dhe PBDNJ”, tha ai.
Ndoka tha se kjo praktikë është zbatuar edhe në zgjedhjet e shkuara. Ai u shpreh se “ka dijeni se Basha ka dhënë miratimin për ngritjen e grupit republikan” me ndihmën e deputetëve të PD-së dhe shpreson që kjo ndihmë nga PD, për “huazimin” e katër mandateve, t’i jepet edhe atij.
“Mediu ka krijuar grupin e tij parlamentar bashkë me kolegë të PD dhe ka një mundësi që edhe unë bashkë me Shehin dhe zotin Dule të krijojmë një grup tjetër parlamentar që opozita të ketë më shumë zëra në Kuvend. Basha ka dhënë një “Ok” për grupin republikan dhe shpresoj që ta krijojmë edhe ne grupin tonë parlamentar dhe të mos ndjekë dy standarde”, vijoi ai.
Ndoka përjashtoi se kjo lëvizje do të shkëpusë atë nga koalicioni me Partinë Demokratike apo qëndrimi opozitar.
“Do të ketë harmonizim të qëndrimeve tona. Qëndrimet tona do të jenë të njësuara”, u shpreh ai.
Lidhur me votimin e Gramoz Ruçit, Ndoka foli qartë.
“Vota ka qenë e fshehtë, por unë e deklaroj që kam votuar kundër Gramoz Ruçit”, vijoi ai.