EKONOMI

Shëndetësia falas?! Shqiptarët shpenzuan 62 milion euro në spitalet private për 2016

Biznesi i spitaleve private ka vijuar të shënojë rritje edhe në vitin 2016, ndonëse me ritme më të ngadalësuara. Pjesa më e madhe e tyre janë ende në fazë humbjeje. Shpenzimet për frymë në spitalet private në Shqipëri ishin rreth 22 euro në vit…

Biznesi i spitaleve private në Shqipëri ka vijuar rritjen edhe gjatë vitit 2016, ndonëse me ritme të ngadalësuara, teksa shumë shqiptarë duket se kanë preferuar alternativën e kurimit privat, përballë shërbimeve të dobëta, apo të munguara që ofron sot sistemi shëndetësor shtetëror.

Sipas të dhënave nga bilancet përkatëse, 7 spitalet dhe klinikat kryesore private në vend, Spitali Amerikan, Hygeia Hospital – Tirana, Salus, Spitali Gjerman (Cardio & Diagnostic Center Hamburg / TIR), Klinika Gjermane e Syrit, Spitali Europian, Spitali Privat i Zemrës, kanë qarkulluar në total rreth 8.4 miliardë lekë, apo rreth 62 milionë euro, me një rritje prej 16% në raport me 2015-n. Rritja e të ardhurave të spitaleve private është ngadalësuar në raport me vitin e mëparshëm, kur ishte 21%.

Ndonëse një pjesë e këtyre parave janë rimbursuar nga shteti (p.sh., hemodializa), përqindja më e madhe ka ardhur nga xhepat e shqiptarëve të pakënaqur me sistemin shtetëror shëndetësor, edhe pse paguajnë sigurime e duhet të marrin shërbimin falas.
Vetëm në Spitalin Amerikan, individët kanë paguar për t’u kuruar në vitin 2016 rreth 3.1 miliardë lekë, apo rreth 23 milionë euro, sipas të dhënave nga bilanci i vetë spitalit.

Shuma e shpenzuar në spitalet private është gati sa një e treta e buxhetit total të shëndetësisë. Sipas të dhënave zyrtare, buxheti i shtetit ka shpenzuar në vitin 2016 (me paratë e taksapaguesve) rreth 31 miliardë lekë për planifikim, menaxhim, administrim, shërbimet e kujdesit parësor dhe pagat e personelit.
E panjohur mbetet shuma që shqiptarët shpenzojnë për t’u kuruar jashtë vendit, ku destinacionet kryesore mbeten Turqia, Greqia, Italia etj.

Biznesi i spitaleve private është zhvilluar ndjeshëm pesë vitet e fundit dhe zgjerimi i tyre vijon. Megjithatë, një pjesë e madhe e tyre vijojnë të jenë me humbje, edhe pse ka kaluar cikli trevjeçar, kur përgjithësisht sipërmarrje të tilla fillojnë e japin fryte.

Sipas një studimi të Korporatës Financiare Ndërkombëtare (bazuar në analizat që ajo ka bërë për kreditë e dhëna për spitalet private në vende të ndryshme të botës), investimet në spitale, me 100 deri në 200 shtretër kanë në përgjithësi një periudhë ku shpenzimet barazohen me të ardhurat (break even point) prej rreth tre vitesh. Raporti thekson se optimizmi i tepërt nga investitori apo huamarrësi është i zakonshëm në këto lloj investimesh (numri i pacientëve, të ardhurat, përfitueshmëria)./ Monitor.al

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Te Fundit

To Top