Përballja gjyqësore mes organit të akuzës dhe dy mjekëve të maternitetit “Koço Gliozheni”, të akuzuar për “mjekim të pakujdesshëm” me pasojë vdekjen e Dorjana Hakës, është zvendosur në Gjykatën e Apelit Tiranë.
25-vjeçarja, bashkëshorte e portierit të Partizanit, Alban Hoxha, humbi jetën pas një komplikacioni shëndetësor disa ditë pasi kishte kryer një lindje me operacion në maternitet.
Por vendimi i Shkallës së Parë të Gjykatës së Tiranës, që i shpalli fajtorë mjekët, por i dënoi me nga 400 mijë lekë gjobë, është ankimuar në Apel.
Mësohet se dy të pandehurit, Petrit Rexhepi dhe Elona Burba, kanë depozituar ankim në lidhje me vendimin.
Bluzat e bardha kërkojnë prishjen e vendimit të Shkallës së Parë dhe pushimin e çështjes në ngarkim të tyre.
Sakaq raportohet se ankim për vendimin që dënoi me gjobë dy mjekët kanë depozituar edhe përfaqësuesit e Prokurorisë.
Prokuroria pretendon në ankim se Gjykata e Shkallës së Parë ka gabuar kur dënoi vetëm me gjobë mjekët e akuzuar. Prokuroria këmbëngul në dënimin e tyre me nga 5 vjet heqje lirie, si fajtorë për akuzën e “mjekimit të pakujdesshëm”.
Ende nuk është përcaktuar data e seancës së parë të këtij shqyrtimi në Gjykatën e Apelit Tiranë.