NGA BOLDNEWS.AL
Dimër si ky nuk kishim parë. Por ama as kryebashkiak që gënjen non stop nuk kishim parë. Tanimë nuk kuptohet dhe nuk dihet më, nëse Erion Veliaj u votua si kryebashkiak për të bërë ndonjë punë apo për të gënjyer nga mëngjesi deri në darkë.
Mjafton të shohësh deklaratën e fundit të kryebashkiakut Veliaj mbi ngrohjen në shkolla dhe punës së madhe që ai ka bërë mbi këtë çështje. Në fakt duhet të jesh faqezi të dalësh të deklarosh gjëra të tilla. Duhet të jesh i paskrupullt që të gënjesh prindërit, të cilët çdo ditë i marrin e i mbledhin si zogjtë e vegjël fëmijët e tyre nga shkollat pa ngrohje të Tiranës.
Ky debat është shumë i thjeshtë, le të dalë një prind e të kundërshtojë këto rreshta për shkollat të cilat janë në qendër të kryeqytetit. Nga një vëzhgim i thjesht rezulton se: Shkolla “11 Janari” (Edit Durham), “Emin Duraku”, “26 Nëntori”, “Vasil Shanto”, “Jeronim De Rada” janë pa ngrohje. Jo vetëm kaq. Prindërit e këtyre shkollave kanë blerë këto ditë furnela, rezistenca dhe gjithfarë mjetesh të tjera për të ngrohur ambientin ku fëmijët e tyre marrin dije.
Janë mësuesit së bashku me nxënësit në këto shkolla që për të mos sëmurur fëmijët e tyre kanë investuar në blerje aparaturash për nxehje.
Situata është e rëndë edhe dramatike në këto shkolla të cilat ndodhen në qendër të ish bllokut komunist, bash mu në qendër të Tiranës. Stafi i Bashkisë dhe kryebashkiaku vallë do të na mbushë mendjen se ka çuar ngrohje në periferi dhe në fshatrat e kryeqytetit. Për shembull Kryebashkiaku Erion Veliaj mund të gënjejë për shkollën “Sabaudin Gabrani” ku kaldaja ndizet 30 minuta në mëngjes dhe pastaj nxënësit kërrcasin dhëmbët nga të ftohtët, por të paktën kaldaja ndizet për të justifikuar me qindra litra naftë të tenderuara nga miqtë e kryebashkiakut.
Në shkollën “Emin Duraku” edhe perdet i kanë vendosur prindërit me kontribute vullnetare. Mësimi sot në vitin 2017 bëhet ende me turne ndërsa Veliaj pushton ekranet për punë të cilat as i ka bërë dhe si duken gjasat as ka ndërmend ti bëjë.
Kjo situatë është në të gjitha shkollat, shembulli i mësipërm tregon se aty ku pretendohet që kryebashkiaku ka bërë namin situata është zi. Ndërsa aty ku ai s’ka vënë fare dorën në zemër situate është po kaq zi. Daljet me lajme të montuara propagandë e pastër për investimet në shkolla janë ligjërimet e radhës për klientët e pushtetit që vjedhin taksat tona.
Fjalët dhe propaganda e Erion Veliajt nuk ngrohin fare. Me siguri kryebashkiaku nuk shpërndan kaseta për qytetarët e Tiranës pasi askush nuk bën pazar me fëmijët e tij. Ai me siguri u drejtohet socialistëve dhe nostalgjikëve të dikurshëm në rrethet e largëta. Aty me siguri injoranca është e madhe dhe njerzit e kësaj sëre mendojnë se Erion Veliajn e sulmojnë se e kanë inat. Sigurisht përgjegjës për situatën e shkollave në Tiranë e kanë të tre kryebashkiakët e fundit të kryeqytetit, por po meremi me këtë të fundit se ky vetëm gënjen.
Por e sfidojmë Kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj të nxjerr një prind qoftë edhe punonjës bashkie të pranoj që në shkollat e mësipërme fëmija i tij ngrohet. Ajo që dëgjojmë çdo ditë kur shkojmë të marim fëmijët nga shkolla janë mallkimet e socialistëve dhe sharjet e demokratëve mbi kryebashkiakun kryemashtrues të Tiranës.
(Boldnews.al)