EKONOMI

Gazi shtrenjtohet me 20 lekë edhe për industrinë, rrit kostot në përpunim dhe furrat e bukës

bombola

Rritja e çmimit të gazit me mbi 18-20 lekë për litër veç të tjerash është shndërruar në një kosto të papërballueshme për industrinë e përpunimit dhe për disa biznese të mesme, sidomos linjat e prodhimit të bukës.

Adi Haxhiymeri nga Fabrika e miellit “Bloja” tha se një pjesë e industrisë përdor si lende të parë gazin e lëngshëm. Rritja e menjëhershme gati me 20 lekë për litër ka rritur kostot dramatikisht.

Rritja ishte më shumë se 25 për qind. Ai pohoi se qeveria ka marrë vendimin që akciza të rritet vetëm për përdoruesit e automjeteve dhe jo për përdoruesit industrial. Pas energjisë elektrike gazi është lënda e parë që përdoret më së shumti edhe nga një pjesë e industrisë e cila e përdor për ngrohje dhe funksione te tjera.

Edhe furrat e bukës janë të prekura nga ky fakt. Shumë prej tyre kanë shmangur përdorimin e energjisë elektrikë duke përdorur furrat e pjekjes me gaz, për të shmangur kostot e larta të përdorimit të elektricitetit. Por tani duken pa zgjidhje, pasi edhe çmimi i gazit ka pësuar rritje drastike.

Industria shqiptare e përpunimit për të tretin vit radhazi po përballet me kosto në rritje për shkak të keqfaturimit të energjisë elektrike, rritjes së taksave dhe rritjes se tarifave dhe taksave vendore.

Më 1 janar 2017 , hyri në fuqi Paketa e re Fiskale, e cila rriti me 8 lekë për litër akcizën për gazin që do të përdornin automjetet. Por, si gjithnjë, tregu reagoi me rritjen e çmimeve uniform për te gjitha kategoritë e konsumatorëve.

Një litër gaz kushton aktualisht mesatarisht 62 lekë për litër në pikat e karburantit nga 43-52 lekë që ishte në dhjetor 2016. Çmimi ofrohet i njëjtë si për automjete edhe ndaj familjarëve dhe industrive.

Por rritja e taksave duket se nuk është shkaku i vetëm. Temperaturat e ulëta të këtyre ditëve dhe lajmërimet për ditë më të ftohta në vijim e kanë rritur dukshëm kërkesën për gaz e për rrjedhojë, distributorët po e shfrytëzojnë këtë situatë duke rritur çmimin. /Monitor/

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


Time limit is exhausted. Please reload CAPTCHA.

Te Fundit

To Top