Bob Dylan vazhdon heshtjen për Nobelin, e heq nga faqja zyrtare

Bob Dylan jo vetëm që nuk ka reaguar pas çmimit Nobel që iu dha për letërsi, por ai ka hequr edhe njoftimin se është pikërisht ai laureati i këtij çmimi prestigjoz.

E shkruajtur me fjalë të thjeshta “Fitues i Çmimit Nobel për Letërsi”, nuk figuron më askund dhe ai mbetet thjesht Bob Dylan në faqen e tij zyrtare të internetit.

Të gjitha përpjekjet për ta kontaktuar kanë dështuar. Edhe ato të bëra nëpërmjet bashkëpunëtorëve të ngushtë kanë patur të njëjtin rezultat. Kantautori ka preferuar të heshtë.

Nuk është hera e parë që Dylan zhduket nga vëmendja e publikut, pikërisht kur ai është më shumë në qendër të tij. Në korrik të vitit 1966, ai pësoi një aksident në kulmin e famës. Për muaj e muaj ai qëndroi heshtur, ndërsa më pas e theu atë duke pranuar që ishte lënduar nga goditjet, por më shumë sesa aq, ai dëshironte vërtetë që të qëndronte larg njerëzve, mediave, zërave.

Tani është Akademia Suedeze e Shkencave ajo që pret gjurmë nga Bob Dylan. Kantautori i famshëm amerikan ka vazhduar me axhendën e tij të koncereteve pa lënë vend për më shumë komente, por vetëm ka preferuar të performojë në skenë.  Ndërkohë, ka patur edhe zëra të shumtë kritikë mbi meritën e teksteve të tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *