Raporti i FMN: Tatimi progresiv i qeverisë nuk dha rezultat, problem klima e biznesit

“Niveli i taksave në Shqipëri është mbi mesataren e Ballkanit, por kufijtë e taksave janë relativisht të lartë. Ka hapësirë për të ulur pragun tatimor zero për tatimin mbi të ardhurat personale”, thuhet në raportin e Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Ky raport u publikua dje me konkluzionet e diskutimeve që zhvilloi me Qeverinë shqiptare. Fondi mbështet përpjekjet e Qeverisë për rritjen e të ardhurave, por rekomandon se ka hapësirë për ndryshime të taksave.

Në zbatimin e reformave, ndërkombëtarët vlerësojnë zbatimin e reformës së energjisë dhe pensioneve, por rekomandojnë një sërë reformash për përmirësimin e klimës së biznesit.

TAKSAT

Bordi Drejtues i Fondit Monetar Ndërkombëtar mbështet përpjekjet e Qeverisë për rritjen e të ardhurave, por kërkoi që të kufizohen përjashtimet e taksave dhe trajtimet preferenciale. Fondi Monetar jep rekomandim për uljen e pragut deri në të cilin tatimi mbi të ardhurat është zero. “Niveli i taksave në Shqipëri është mbi mesataren e Ballkanit, por kufijtë e taksave janë relativisht të lartë. Ka hapësirë për të ulur pragun tatimor zero për tatimin mbi të ardhurat personale”, thuhet në raport. Në letrën e mirëkuptimit që Qeveria i drejton Bordit Drejtues të FMNsë, thekson vetëm angazhimin e autoriteteve për të mos bërë përjashtime tatimore, ndërsa nuk flet për angazhim konkret në uljen e kufirit të pragut të tatimit. “Prioritetet e politikave gjatë dymbëdhjetë muajve të ardhshëm do të vazhdojnë me konsolidimin fiskal, ruajtjen e stabilitetit të sektorit financiar për të ringjallur rritjen e kredisë, si dhe zbatimi i reformave. Ne angazhohemi për të mos dhënë ndonjë përjashtim tjetër tatimor apo norma preferenciale taksash, pa u konsultuar me FMN­në. Kjo plotëson përpjekjet që synojnë zgjerimin e bazës tatimore”, thuhet në letrën e Qeverisë.

REFORMAT

FMN thekson se reformat e mëtejshme për përmirësimin e klimës së biznesit dhe rritjen e konkurrueshmërisë janë kritike. Bordi veçoi me rëndësi zbatimin e reformës gjyqësore, reformën e pronës, përmirësimin e infrastrukturës dhe rritjen e eksporteve, të cilat do sillnin përmirësim në klimën e biznesit. Fondi përgëzoi qeverinë për ecurinë e reformës të pensioneve dhe sektorit të energjisë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *