Veliaj: Protesta e PD për parkun, pengon reformën në drejtësi

Bllokimi i reformës në drejtësi e çon kryetarin e Bashkisë Erion Veliaj, të mëndojë për protestën ku morri pjesë dhe Partia Demokratike. Në një intervistë për “Top Story”, Veliaj u shpreh se Partia Demokratike dëshiron që me anë të protestave të tilla të bllokojë reformën në drejtësi.

Kryetari i Bashkisë legjitimoi edhe një herë lejet që ndërtimin e këndit të lojrave në Parkun e Liqenit. Ndërsa përsa i përket ish deputetit Babasi ai u shpreh se ai po shfrytëzonte hapësirat publike të Bashkisë për të bërë protest. Sa i takon protestave për dëmshpërblimet në Bulevardin e Ri, kryebashkiaku i Tiranës theksoi se gjithçka po bëhet në zbatim të ligjit të kompensimeve që është në fuqi. Ai foli për dy alternativa që u janë dhënë qytetarëve dhe akuzoi disa prej personave që protestojnë se kërkojnë të përfitojnë edhe çmimin e tokës, ndërkohë që toka nuk është e tyre.

Lidhur me Sheshin Skënderbej, Veliaj u shpreh se ai do të rindërtohet mbi bazat e projektit që nisi zbatimin në kohën e Edi Ramës, por që pas 2011 u ndryshua nga Lulzim Basha pas zgjedhjes kryebashkiak.

Kishit premtuar se do kishit tjetër sjellje me publikun dhe qytetarët apo dhe me kundërshtarin politik…

Unë kam pasur një sjellje shumë korrekte me publikun. Jo të gjithë kënaqen nga beteja jonë. Në rastin konkret që kishim te stadium “Dinamo”, çlirimi i asaj hapësire ku ish­deputeti, i cili sot u shoqërua në komisariat për vandalizëm dhe dhunë ndaj oficerëve të Policisë, e kishte marrë si parkim të vetin. Parkingu te stadiumi “Dinamo” është pronë e Bashkisë së Tiranës. Sot Bashkia e përdor në interes të qytetarëve të saj. Ai njeri nuk është fansi im. Hapësirat publike nuk janë për të fortët e partisë. Nuk është e denjë që deputetët të mbajnë armë. Këta që kanë prirje për të shembur dhe dhunuar, të gjejnë një sport tjetër. Vetëm një kalama frikacak detyrohet të mbajë armë dhe të godasë gratë me grushte.

E keni pasur premtim tuajin në fushatën elektorale këtë park?

Absolutisht, ndërhyrjet te Parku i Liqenit, edhe shatërvani në mes të Liqenit ka qenë pjesë e fushatës.

 A kishte leje ky projekt?

Le të thyejmë disa mite me të cilat të tjerët po bëjnë politikë. Ja ku është leja e ndërtimit(tregon dokumentin) e firmosur nga sekretaria e KKT­së, e cila parashikon me ligjet e shtetit shqiptar që ka një leje.

Pra jo nga Bashkia, por nga KKT­ja…

Kemi bërë 24 dëgjesa për projektet e Bashkisë dhe buxhetin e Bashkisë në të gjitha njësitë administrative. Në momentin që Bashkia bën një investim në Parkun e Liqenit, ajo nuk mund të japë leje për parqet, prandaj vendimi është i Këshillit Kombëtar të Territorit. Parku është pronë e Bashkisë së Tiranës për të cilën Bashkia ka marrë leje që të implementojë këtë pilot. Thanë që nuk ka një vendim. Pra ka një vendim, nënshkruar nga kryetari i KKT­së, Edi Rama, më 12 shkurt dhe firmat e ministrave që kanë qenë në Shqipëri atë ditë, përfshirë edhe zotin Panariti për të cilin u spekulua.

Protesta ka filluar ditën e Shën Valentinit…

Nëse deputetët e PD­së nuk do të dilnin për Shën Valentin, nuk do ta kishin vënë re punën që po bëhej për parkun e lojërave. Kemi kthimin e përgjigjes nga ministri Lefter Koka, i cili shprehet se edhe pse ne e kemi një vlerësim të ndikimit në mjedis për shkak se nuk po ndërtohet pallat, është dhënë aprovimi, pra leja mjedisore. Kështu që ka rënë çdo alibi për t’u kapur pas një historie që nuk ekziston. Ne trashëguam nga Bashkia e Tiranës një plan të rregullimit të Tiranës i firmosur nga dhëndri i ish­kryeministrit, Jamarbër Malltezi, ai që sot xhironte se kush deputet ishte më i zellshmi për të rrahur gratë e Policisë Bashkiake. Ai ka firmosur mbi planin që është miratuar dhe ne po e ndalojmë së zbatuari, ishte leja për pallatin 17­katësh te diga e Liqenit. Bashkia po e lufton në gjykatë këtë leje dhe do luajë çdo gur për ta rrëzuar. Lulzim Basha ka dhënë leje për 220 mijë metra katrorë ndërtime, 17­katësh, kundër vendimit të Komitetit të Digave dhe sot protestojnë dhe bëhen merak për këndin e lojërave të fëmijëve në parkun e Tiranës. Sot protestojnë për këtë park lojërash njerëz që fëmijët e tyre i kanë jashtë shtetit, ata që dhanë leje për një 17­ katësh.

Çfarë do të thotë që kjo leje është e kushtëzuar?

Nuk është fare e kushtëzuar. Ne kemi pasur një vendim të KKT­së, i cili i hap rrugë Bashkisë që të bëjë këtë investim në momentin që ka dorëzuar planet dhe skicat. Në momentin që dorëzohen planet dhe skicat, merret leja e zbardhur. Kështu që nuk ka asnjë kushtëzim dhe si çdo leje, fillimisht merret vendimi dhe pastaj bëhet zbardhja. Këto janë ligjet e urbanistikës.

Leja është marrë më 12 shkurt, ndërsa në tabelë shkruhet 10 shkurt…

Si çdo vend ku punohet, fillimisht merret leje sheshi dhe pastaj leje zhvillimi. Bashkia ka dhënë lejen e sheshit, që do të thotë se i lejon investitorit ta rrethojë territorin, të vendosë sinjalistikën e punimeve. Kjo ka qenë leje e sheshit të Bashkisë dhe pas 2 ditësh ka ardhur leja e zhvillimit nga KKT­ja. U kanë rënë të gjitha alibitë dhe këta nuk janë nga ata njerëz që respektojnë ligjin, e shkelin me të dyja këmbët, si edhe sot që shkuan në protestë me pistoletë dhe patllake në brez dhe thanë se ishte këllëf celulari. Këta njerëz që vranë me plumba 4 njerëz në bulevard, mendoni se u djeg barku për ligjin?! Epoka e gurit përfundoi kur njerëzit thanë se nuk do të zihemi më me gurë, por do të bëjmë shtet dhe qytete, civilizim dhe institucione. Edhe këta kaubojsat me patllake apo këllëf celulari, siç i thonë ata ndryshe pistoletës, duhet të kuptojnë se epoka e gurit ka mbaruar. Kjo do të thotë që qoftë te Bulevardi i ri e qoftë te Liqeni ka shtet. Këta në fakt e bëjnë gjithë këtë gjurulldi që të mos bëhet Reforma në Drejtësi. Këta e bëjnë që ai komisioneri i Bashkimit Europian t’i gjejë në sherr e prej këtij sherri, medemek, na arrestuan çunat…

Mendoni se ka prapavijë politike ky sherr?

Jam 100% i sigurtë. Ti mendon se u bë dashnor i mjedisit Çim Babasi që shkatërroi të gjithë malet e Skënderbeut në Krujë dhe i ktheu në gropa gëlqereje?! Jo, kjo është me axhendë! U duhet një sherr!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here