Berisha: Opozita më shumë se bojkot, Rama thirri vrasësin për të na sfiduar

Ish-kryeministri Sali Berisha është prononcuar pas miratimit të akteve normative nga parlamenti duke deklaruar se parlamenti firmosi nekrologjinë politike të krimit dhe kriminelëve brenda tij. Edhe njëherë Berisha ka ripërsëritur akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar kreun e meduzës së krimit të organizuar në Shqipëri.

“Kjo ishte një arritje e madhe për përpjekjen tejet të vështirë për luftën kundër krimit të organizuar me pushtet. Ju e vutë re, se njeriu që mungoi në parlament, njeriu që me tërbim u largua nga salla ishte Edvin Kristaq Rama, ishte kreu i meduzës së krimit të organizuar të Shqipërisë. Ishte njeriu, i cili nuk mund të ishte kurrsesi në parlament, sepse kishte dhënë me dhjetëra e qindra zotime se ky ligj, se ky protokoll, se ky amandament nuk do ndodhte kurrë por ja që qëndrimi i palëkundur e parimor i opozitës, mbështetja e fuqishme ndërkombëtare, mendjet e arsyeshme edhe brenda krahut tjetër, se aty një pjesë janë të inkriminuar ndërsa pjesa tjetër është tërësisht e lirë, bëri që më në fund Parlamenti të firmosë nekrologjinë politike të krimit dhe kriminelëve brenda kësaj salle”, tha Berisha.

I pyetur për braktisjen e seancës së sotme nga deputetët e PD-së menjëherë pas votimit, Berisha tha se axhenda e opozitës është dekusarizimi.

“Axhenda jonë është dekusarizimi, një axhendë e cila është në interesin jetik të çdo foshnje, të çdo nëne, të çdo prindi, të çdo fëmijë, të çdo të moshuari. Janë kusarët këtu në parlament që po thithin si shushunja gjakun e të varfërve shqiptarë duke përdorur imunitetin e parlamentit”, tha ai.

Ish-kryeministri ka folur për një qëndrim të opozitës më shumë se bojkoti.

“Edhe më shumë se bojkot. Mos e quani bojkot por quajeni më shumë se bojkot pasi të gjitha opsionet janë të hapura, sepse këtu këto ditë ka ndodhur zhvillimi më dramatik në këtë parlament. Edi Rama thirri vrasësin për të sfiduar opozitën”, deklaroi Berisha.

Pyetjes nëse lënia e mandateve është një opsion, Berisha iu përgjigj se ‘është i hapur dezintegrimi parlamentit’.

(Boldnews)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *