Organizatat mjedisore kanë përshëndetur rezolutën e PE-së për progresin e Shqipërisë në vitin 2016, ku i kërkohet qeverisë së kryeministrit Edi Rama pezullimi i projekteve energjetike dhe krijimi i Parkut Kombëtar të Vjosës.
Në rezolutën e PE-së për Shqipërinë shprehet shqetësim mbi politikën energjetike të ndjekur nga qeveria për ndërtimin e hidrocentraleve dhe i sugjerohet Tiranës të marrë në konsideratë ndërtimin e parkut të Vjosës, në të gjithë gjatësinë e lumit, si dhe braktisja e projekteve për të ndërtuar hidrocentrale në rrjedhën e tij.
“[Vlerësimi] i ndikimit mjedisor të hidrocentraleve shpesh herë nuk bëhet siç duhet dhe në përputhje me standardet Evropiane dhe legjislacionin e BE; [PE] këshillon qeverinë të konsiderojë krijimin e Parkut Kombëtar të Vjosës në të gjithë gjatësinë e saj dhe të braktisë planet për ndërtimin e hidrocentraleve të reja në lumin e Vjosës dhe degët e saj,” shkruhet në rezolutë.
Vjosa është një ndër lumenjtë e fundit të egër në Europë, që ka vlera të mëdha natyrore për Ballkanin dhe kontinentin.
Pavarësisht premtimit elektoral të kryeministrit Rama për shpalljen e Vjosës Park Kombëtar dhe ndalimin e ndërtimit të hidrocentraleve, në korrik 2015 Këshilli i Ministrave i hapi rrugën procedurës për dhënien me koncesion të hidrocentralit të Poçemit.
Në nëntor 2016, Ministria e Energjisë njoftoi dhënien e lejes për ndërtimin e hidrocentralit dhe nënshkrimin e kontratës me kompaninë turke “Kovlu Energji”.
Rekomandimi i PE-së mbështet dhe nga kryetarët e bashkive të luginës së Vjosës, të cilët ndërkohë janë shprehur pro shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës dhe kundërshtojnë ndërtimin e hidrocentraleve.
“Një park i tillë i një lumi të egër do të ishte i pari në Evropë dhe nuk do të ruante vetëm jetë-gjatësinë e Vjosës por do të ofronte mirëqenie banorëve të luginës”, tha Olsi Nika, koordinator i fushatës “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës” nga EcoAlbania.
Rezoluta e hartuar nën drejtimin e parlamentarit gjerman Knut Fleckenstein, bën thirrje gjithashtu për përmirësimin e cilësisë së raporteve të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis sipas standardeve të BE-së.
Sipas Eco Albania këto raporte kanë cilësi të ulët, ku kryesisht ndikimet e hidrocentraleve nuk bëhen siç duhet apo keq interpretohen. Organizata mjedisore ve në pah së në në rastin hidrocentralit të Poçemit, i cili planifikohet të ndërtohet në lumin e Vjosës, raporti i VNM-së të paraqitur nga kompania turke është komplet një farsë.
Sipas Ulrich Eichelmann, koordinator i fushatës “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës” në organizatën austriake Riverwatch, 60 % e tekstit në VNM-në e miratuar për HEC-in Poçem është kopjuar fjalë për fjalë nga raporte të tjera dhe ndikimet mbi gjallesat përrreth nuk janë vlerësuar aspak
“Prandaj ne kemi hapur një proces gjyqësor kundër këtij projekti në Gjykatën administrative në Tiranë. Ky raport i BE, na vjen në ndihmë dhe mbështet banorët e prekur,” shprehet Eichelmann.
Organizatat EcoAlbania nga Shqipëria, Riverwatch nga Austria dhe EuroNatur nga Gjermania, si dhe 38 banorë të zonave të prekura kanë paditur Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë, Ministrinë e Mjedisit dhe Agjencinë Kombëtare të Mjedisit dhe kërkuan pavlefshmëri absolute të procedurave koncensionare, si dhe konstatimin si të paligjshëm të kontratës së lidhur me shoqërinë “Kovlu Energji” për HEC-in në Poçem.
Paditësit e konsiderojnë ndërtimin e hidrocentralit si plan për shkatërrimin e Vjosës dhe kërkojnë përmes padisë ‘pezullimin e çdo vendimi apo premtimi për këtë hidrocentral’.