Tragjedia në Teksas të SHBA ku 18-vjeçari Salvador Ramos, me armë zjarri vrau 19 fëmijë dhe 2 mësues në shkollën fillore të qytetit ka shumë dëshmitarë. Ata panë me sytë e tyre llahtarinë që ndodhi mbi nxënësit që në atë shkollë, janë nga klasa e parë deri në të gjashtën.
Mes këtyre dëshmitarëve qëlloi edhe shqiptari me origjinë nga Kosova, Fidan Mustafa, i cili nga viti 2005, jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në rrëfim për RTK ai tha se ishte e vështirë ta përshkruaje atë që kishte ndodhur.
Thotë se nuk do ta kishte menduar se dërgimi i një pice tek një klient, do të ishte shkak që ai të përjetonte si dëshmitar këtë tragjedi. Si pronar i një restoranti që shërben dhe shpërndan pica, Fidani tregon se kishte marrë një porosi nga një klient.
Klienti e ka shtëpinë afër shkollës. Ia dërgova ushqimin dhe meqë koha ishte e mirë, dritaren e veturës e kisha të hapur. Papritur kam dëgjuar krisma armësh. Aq të forta ishin krismat, sa kam menduar se po shkrepin pranë veturës sime. Dola nga vetura të shoh çfarë po ndodh. Sherifët filluan të qëllojne me armë dhe njëri prej tyre më bërtiti, që të hyj në veturë, të shtrihem e të mos lëviz.
Shkolla nga ku gjuante personi i armatosur në drejtim të sherifëve, ishte vetëm rreth 30 metra larg. Kam hyrë në veturë dhe kam qëndruar rreth 10 minuta. Paniku ishte i madh sepse shumë prej tyre kanë fëmijët në atë shkollë. Ishte e tmerrshme. Fëmijët e mësueset bërtisnin në shkollë. Dëgjoheshin të bërtiturat e tyre edhe në rrugë”, – thotë Fidani.
“Autori ka qenë nxënës i shkollës së mesme. Të premten ka pasur mbrëmjen e maturës. Mediat këtu po raportojnë se ai dhe 3 të tjerë, kishin planifikuar të sulmojnë këtë shkollë, por edhe shkollën tjetër të mesme. Dikush thotë se aktin e ka kryer për hakmarrje sepse e ka humbur vitin për shkak të notave të dobëta. Dikush tjetër thotë se ai ka pasur probleme me shkollën dhe me mësuesit, por nuk dihet saktë” – thotë ai që e mbylli me fjalët prekëse: “Edhe djali që është 5 vjeç, ishte në çerdhen që ndodhet afër shkollës dhe e ka përjetuar panikun. E dini çfarë më tha: “Babi kam shumë frikë!”.