Rritja e fortë e çmimeve gjatë muajve të fundit po rrit paralelisht edhe pritjet inflacioniste për të ardhmen, sidomos mes konsumatorëve.
Sipas Bankës së Shqipërisë, pritjet e konsumatorëve kanë regjistruar nivelin më të lartë historik, prej 7.3%. Pritjet e bizneseve dhe të agjentëve financiarë janë rritur mbi objektiv, por qëndrojnë nën normën zyrtare të inflacionit në tremujorin e parë.
Bizneset presin që inflacioni pas një viti të jetë 3.3%, rreth 0.9 pikë përqindje më shumë se pritjet që kishin në tremujorin paraardhës. Agjentët financiarë kanë rishikuar gjithashtu për lart inflacionin e pritur në të ardhmen.
Ata presin që inflacioni pas një viti të jetë 3.5%, ose 0.8 pikë përqindje më shumë se pritjet e një tremujori më parë.
Inflacioni i pritur pas dy dhe tre vitesh është përkatësisht 3.3% dhe 3.4%. Gjatë muajve të fundit, të gjitha matjet e pritjeve për inflacionin nga vrojtimet janë rritur, duke ndjekur ecurinë e inflacionit faktik, që në muajin prill arriti nivelin 6.2%, më i larti në 20 vjet.
Tendenca rritëse e pritjeve të konsumatorëve shqiptarë për çmimet në të ardhmen është në linjë me ato të konsumatorëve të Bashkimit Europian dhe vendeve të rajoni. Trajektorja e pritjeve inflacioniste ka ardhur në rritje të fortë pas muajve të parë të pandemisë.
E njëjta prirje vërehet edhe në vendet e rajonit, ku pritjet e konsumatorëve për inflacionin në të ardhmen janë rritur kryesisht në Serbi, në Mal të Zi dhe në një shkallë më të vogël në Maqedoninë e Veriut. Vlerësime të mëparshme mbi pritjet e konsumatorëve në Shqipëri për inflacionin në afat të shkurtër kanë evidentuar natyrën e tyre adaptive kundrejt vlerave të inflacionit të publikuar më parë.
Perceptimi dhe pritjet e konsumatorëve për inflacionin janë më të ndjeshme ndaj luhatjes së çmimeve të ushqimeve, duke demonstruar një korrelacionin më të lartë pozitiv me këto të fundit.
Ndikimi i pandemisë në zinxhirët e shpërndarjes së mallrave dhe së fundmi pasojat e luftës në Ukrainë kanë rritur ndjeshëm çmimet e ushqimeve bazë dhe pasiguritë në tregjet përkatëse, duke u përçuar në rritjen e shpejtë të pritjeve për inflacionin nga ana e konsumatorëve.
Të dhënat e vrojtimeve hedhin dritë mbi sjelljen e pritjeve inflacioniste të konsumatorëve, të ndara sipas nivelit mesatar të të ardhurave, nivelit të punësimit, gjinisë dhe shkallës së arsimimit.
Rezultatet tregojnë se pritjet janë në përgjithësi më të larta për individët me të ardhurat më të ulëta, shpenzimet e të cilëve janë të orientuara më shumë drejt mallrave ushqimore. Sipas punësimit, pritjet inflacioniste kanë qëndruar më lart për të papunët, gjatë gjithë historisë së matjes së tyre, ndonëse ky ndryshim është zbehur lehtësisht në vitet e fundit.
Ndërkohë, ndryshimi në tendencën e pritjeve për inflacionin ndërmjet gjinive është shfaqur vetëm gjatë pandemisë, ku femrat në përgjithësi presin çmime më të larta se meshkujt. Periudha e pandemisë ka evidentuar ndryshime në çmimet e pritura edhe ndërmjet të anketuarve me nivel arsimimi të ndryshëm, ku pritjet janë më të larta për individët në kategoritë më të ulëta të arsimimit.
/Monitor.al/