Prokurori i Krujës Bujar Memia vijoi edhe të martën më 10 maj me paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare duke i përmbyllur ato dhe kërkoi shpalljen absolutisht të pavlefshëm të vendimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, KLP për shkarkimin e tij nga detyra dhe kthimin e çështjes së vlerësimit disiplinor për rigjykim. Edhe përfaqësuesit e Inspektorit të Lartë të Prokurorisë, ILD dhe ata të KLP-së paraqitën bisedimet përfundimtare dhe kërkuar lënien në fuqi të shkarkimit të Memisë, duke theksuar se ai ka cënuar besimin e publikut tek drejtësia me qëndrimet e tij pasive kundrejt lirimit të disa të dënuarve.
Në seancën e një dite më parë, për më shumë se 7 orë, Memia paraqiti një sërë kërkesash që u konsideruan prej trupës gjykuese si abuzive dhe me qëllim zvarritjen e procesit, si dhe renditi pyetjet që u kishte drejtuar ILD-së dhe KLP-së për çdo pikë të vendimit të shkarkimit duke dhënë edhe qëndrimin e tij.
Bujar Memia u shkarkua nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë më 31 mars 2021 me kërkesë të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë me argumentin se kishte qëndruar pasiv ndaj vendimeve të gjykatës për lirimin me kusht të të dënuarve për vepra të rënda penale, Ilir Paja dhe Hekuran Billa. Ky i fundit u ekzekutua pak kohë pas lirimit, më 11 qershor 2020.
Memia e ricilësoi të martën si një komplot ndaj tij, procedimin disiplinor të filluar nga ILD. Ai pretendoi se gjithçka ishte ngritur mbi shpifje dhe të dhëna të rreme, se nuk ishte njohur me rezultatet e hetimit, si dhe nuk i ishte dhënë e drejta për t’u mbrojtur.
Ankuesi këmbënguli se gjithmonë kishte vepruar bazuar në ligj, në prova dhe në bindjen e brendshme. Sipas tij, nuk mund të cënohet pavarësia e magjistratëve në vendimarrjen e tyre. Memia risolli si shembull rastin kur kishte ankimuar vendimin për lirimin me kusht të Genc Tafilit, i dënuar për vrasjen e ish-drejtuesit të Policisë së Shkodrës, Arben Zylyftari. Sipas tij, në këtë rast kishte pasur bindjen e brendshme për të kryer ankimin, ndryshe nga rastet e hetuara nga ILD dhe KLP, kur nuk ka kryer ankim. “Jam shkarkuar për ushtrimin e një të drejte”, deklaroi ndër të tjera Memia dhe pretendoi se ILD kishte vepruar në kundërshtim me kushtetutën në fillimin e hetimit disiplinor ndaj tij.
Ai u shpreh në seancë se qëndrimi në rastin e Tafilit dhe në raste të tjera për persona me rrezikshmëri të lartë, kur kishte kryer ankim ndaj vendimit të lirimit apo kur kishte urdhëruar ndalimin e tyre, vendosin në rrezik.
Po ashtu, Memia deklaroi se nuk kishte qenë ai palë në proceset për të cilat janë konstatuar shkelje, por kishte qenë IEVP-ja përkatëse. Ai vijoi se vendimet e arsyetuara i ishin njohur pasi kishin kaluar afatet e ankimit dhe kishin marrë formë të prerë.
Sipas ankuesit, relatorja e çështjes në Komisionin Disiplinor pranë KLP-së, Esmeralda Keshi(Cami) kishte qenë zëvendësuese pas largimit të një anëtari tjetër të Këshillit, si dhe në kushtet e konfliktit të interesit pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kishte dërguar për inspektim në ILD një çështje të hetuar prej saj.
Ankuesi solli në vëmendje të Kolegjit edhe qëndrimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për gjyqtaren e Durrësit Anita Mici. Në vendimin e Komisionit thuhet se qëndrimi pro i gjyqtares për lirimin e parakohshëm të kreut të bandës së Durrësit, Lulzim Berisha, vlerësohet si një çështje që i përket Gjykatës së Lartë dhe ILD-së.
“Nuk kam cënuar asnjë ligj dhe asnjë vendim unifikues. […]Kuptohet qartë se as shkelje të lehta nuk kam bërë”, deklaroi Memia dhe e konsideroi antikushtetues vendimin e KLP-së duke argumentuar se aty nuk gjendet arsyetim për provat dhe pohimet e tij. Ankuesi pretendoi se në hetimin e tij disiplinor ishin paraqitur të dhëna fiktive dhe konsideroi se kjo situatë përbën cënim të procesit të rregullt ligjor.
Në përfundim, Memia kërkoi konstatimin absolutisht të pavlefshëm të vendimit të KLP-së dhe rikthimin për rigjykim po në Këshill.
Përfaqësuesit e KLP-së dhe të ILD-së i kundërshtuan si të pabazuara pretendimet e prokurorit Memia. Ata vërejtën se shkeljet e rënda të magjistratëve janë të parashikuara në kushtetutë, ndërsa shkeljet e tjera janë deleguar për zgjidhje në ligj të posaçëm.
Po ashtu, u konstatua moszbatimi i vendimeve unifikuese nga ana e Memisë në çështjet ku janë gjetur shkelje. Përfaqësuesit e KLP-së theksuan se nuk qëndron pretendimi për dënimin pa ligj për shkak të shfuqizimit të dispozitave për shkeljet e magjistratëve nga ana e Gjykatës Kushtetuese, pasi vendimarrja ishte bazuar në nenin 140 të Kushtetutës.
Për bindjen e brendshme, përfaqësuesit e KLP-së argumentuan se ajo shërben si një urë lidhëse mes faktit dhe asaj që duhet provuar. Ata theksuan se është parimi i barazisë së armëve që garanton çdo palë që të ketë mundësi të barabarta për të paraqitur prova dhe qëndrime. “Prokurori ka detyrim kushtetues të garantojë hetimin penal”, pohoi njëri prej përfaqësuesve të KLP-së dhe shtoi se qëndrimi pasiv i Memisë ka cënuar besimin e publikut tek drejtësia.
Nga KLP u kundërshtuan edhe pretendimet për antikushtetueshmërinë e vendimit të shkarkimit si pasojë e mungesës së arsyetimit, duke u argumentuar se nuk mund të arsyetohet lidhur mbi çdo pretendim të palëve. Përfaqësuesit e KLP-së këmbëngulën se arsyetimi i vendimit është i bazuar në Kodin e Procedurës Administrative.
Po ashtu, u kundërshtua dhe pretendimi se Cani ishte anëtare zëvendësuese në Komisionin Disiplinor duke sqaruar se pasi ajo kishte marrë mandatin, ishte shtyrë me një muaj seanca dëgjimore dhe se vendimi ishte marrë e komunikuar brenda afateve.
Përfaqësuesit e KLP-së u ndalën në vijim në themelin e çështjes. Sipas tyre, gjatë shqyrtimit të kërkesës për lirimin me kusht të Ilir Pajës nuk ishte paraqitur në seancë kërkesa për marrjen si provë të aktit të ekspertimit mjeko-ligjor lidhur me gjendjen shëndetësore të të dënuarit. “Prokurori është shprehur se e lë në çmim të gjykatës dhe nuk është bërë ankim”, pohuan ata.
Lidhur me lirimin me kusht të Hekuran Billës u evidentua se Memia nuk ka treguar vigjilencë lidhur me përfitimin e dyfishtë të uljes së dënimit, si i paraburgosur dhe si i dënuar. Sipas KLP-së, nuk është verifikuar as përllogaritja e periudhës së dënimit që nevojitet për lirimin me kusht. Në vijim u tha se ankuesi ka dështuar të konstatojë se nga ligji “Për amnistinë” nuk mund të përfitojnë të dënuarit nga autoritetet e drejtësive të vendeve të tjera.
“Prokurori duhet të luajë rol aktiv, kontrollues dhe të japë arsye objektive”, deklaroi një prej përfaqësuesve të KLP-së dhe shtoi se Memia nuk ka kryer hetimin e nevojshëm nëse Billa ishte riedukuar.
Qëndrime të ngjashme u mbajtën edhe nga përfaqësuesit e ILD-së, që theksuan se Memia me vetëdije nuk ka mbajtur qëndrim ligjor për lirimet me kusht, objekt të hetimit disiplinor dhe se ka cënuar besimin e publikut tek drejtësia.
Në përfundim, relatorja e çështjes Albana Shtylla deklaroi se trupi gjykues mori vendim të tërhiqet në dhomë këshillimi për vendimarrjen përfundimtare. Ajo shtoi se në ditët në vijim palët do të njoftohen për datën e shpalljes së vendimit. /BIRN/