Nga Andi Bushati
Edi Rama nuk po planifikon të arrestojë Sali Berishën ashtu sikurse i bëri thirrje SPAK nga asambleja socialiste. Tani për tani ai nuk ka plan të tillë as për Ilir Metën, që e përcaktoi si njeriun që gjithë shqiptarët duan ta shohin përpara drejtësisë.
Aq më pak i interesojnë gjyqtarët dhe prokurorët, të cilët vettingu i nxori nga sistemi, por drejtësia e re po i lejon tu gëzohen, si qytetarë të lirë, favoreve të trashëguara nga e shkuara.
Kushdo që e njëh sadopak karierën politike të Edi Ramës e ka të qartë se ai është gati manjak në moslënien e gjurmëve në zezonat që projekton. Motoja hidh gurin e fshih dorën është një nga devizat e tij politike, njësoj sikurse ka bërë me shumë akte madhore të qeverisë së këtyre 9 vjetëve, për të cilat në fund ka vënë të nënshkruajnë zv kryeministrat.
Pra, nëse vertet do të qe duke planifikuar ndonjë ndëshkim juridik për rivalët e vet politikë ai nuk do ta bërtiste me të madhe nevojën e hetimeve për Berishën dhe Metën, ashtu sikurse bëri të shtunën e shkuar në mbledhjen e partisë së tij. Ai do të vepronte nën rrogoz nëse do të kishte vërtet këtë qëllim…
Po atëherë pyetjet që shtrohen janë: pse lëshoi kryeministri të gjitha ato batare ndaj SPAK? Pse veshi kostumin aspak komod për një lider demokrat, të atij që sulmon “drejtësinë e pavarur”? Pse preferoi të bëjë rolin e viktimës duke u ankuar se prokurorët dhe gjykatësit specialë po gjuajnë vetëm një lloj peshku, duke harruar peshkaqenët?
Shumë gazetarë, kritikë të qeverisë e mbi të gjitha opozitarë, foltoristë apo anti-berishistë qofshin, e shpjeguan këtë skandal në komunikimin publik të shefit të qeverisë me frikën e tij se mos SPAK del nga kontrolli dhe vazhdon e prangos ndonjë nga ministrat e tij për afera si ajo e inceneratorëve. Sipas tyre, njerëzit e kryeministrit janë të përfshirë në aq shumë skandale apo grabitje, sa popullimi i burgjeve me ta shton probabilitetin që dikush të pendohet apo të rrëfehet.
Logjikisht një pandehmë e tillë ka një bazë reale. Duke u hequr si lideri i një shumice të cilës po i bihet në qafë, duke nënvizuar asimetrinë në goditejen e korrupsionit të rilindasve dhe harrimin e pushtetit të vjetër, shefi i qeverisë ushtron një lloj trysnie. Dhe nëse sadopak ajo ndikon që prokurorët të mos ndërmarrin ndonjë veprim të ri, apo ndërkombëtarët të mos rrisin presionin për arrestime të tjera, ky do të qe një efekt kolateral që Rama do e mirëpriste.
Por, praktikisht nuk është kështu. Pandehma e shumë opozitarëve se kryeministri vepron kështu nga frika është paradoksale. Ajo bie ndesh me akuzat dhe bindjen e predikuar prej tyre se, në fakt, ai e ka kapur dhe e kontrollon drejtësinë.
Kujt rrëfimi i duhet besuar, atij të një autokrati që e ka tredhur SPAK-un, apo atij të një demokrati që tutet nga ligji?
Historia e deritanishme i jep të drejtë rrëfimit të parë. SPAK i ka shërbyer pushtetit si një qen besnik. Duke hequr nga duart dosjet vjedhjes së votave në Durrës e Dibër; duke mbyllur me një paturpësi ulëritëse skandalin e grabitjes të të dhënave të 900 mijë qytetarëve shqiptarë; duke mos hetuar krimin e përgjakshëm elektoral të Elbasanit, madje duke pranuar në gjirin e vet prokurorin që fshehu provat e krimit për të mbrojtur PS-në, ai i ka dhënë tashmë provat e nënshtrimit. Edhe në ndonjë arrestim të bujshëm, si ai i ish ministrit Koka apo ato të tenderit të uniformave, prokurorët politikë qenë kujdesur ta informonin shumë më parë pushtetin, në mënyrë që ti shkaktonin sa më pak dëme atij. Pra, gjendja është e qartë: Rama e ka nën kontroll SPAK-un për çështjet e mëdha dhe i lejon atij ta nxjerri këmbën nga rrethi duke i hedhur ndonjë viktimë të pambrojtshme.
Po atëherë kthehemi tek pyetja fillestare: pse i duhet ta sulmojë një organizëm që e ka nën kontroll?
Përgjigjja është e thjeshtë: pikërisht për të krijuar idenë e kundërt. Për të krijuar tek ndëkombëtarët dhe shqiptarët alibinë se “heronjtë e fëmijëve tanë” nuk janë levat besnike të një pushteti të korruptuar. Po të dëgjosh me vëmendje fjalimin e kryeministrit në asamblenë e socialistëve, ai përshkruhet i gjithi nga ankesa ndaj padrejtësisë. Aty jepet tabloja e rilindasve të mërzitur që akuzojnë shefin e tyre se SPAK po tregohet selektiv duke goditur vetëm ata, aty shtjellohet ideja se të gjithë krimet e kundërshtarëve politikë mbeten të pa hetuara, aty edhe njerëzit e drejtësisë ndahen në blu dhe mavi, sipas gadishmërisë të prokurorëve për ty marrë me ta.
Kësaj alibie i shërben edhe thirrja e vrazhdë “mjaft u morët me ne, tani është koha të hetoni Metën dhe Berishën”. Sa do që në pamje të parë kjo frazë duket kërcënuese, theksi real i saj është manipulativ. Ai nuk shenjon burgun, por do të instalojë idenë e pafuqisë të Ramës mbi SPAK. Dhe duhet pranuar se deri diku ia ka arritur qëllimit me sukses. Shumica e kritikëve të kryeministrit, që prej të shtunës, më shumë po komentojnë frikën e tij imagjinare nga prokuroria e posaçme, sesa kapjen reale të saj nga qeveria. /Lapsi.al