Nga Boldnews.al
Këshilli i Rregullimit të Territorit (KRRT), nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama, ka miratuar në 26 Prill 2022 lejen e ndërtimit për “Turbikë eolike, Bashkia Pukë”, me subjekt shoqërinë “Ventus” shpk.
Kompania “Ventus” është në pronësi të “Fidalba” dhe kjo e fundit ka për pronar 40-vjeçarin nga Tirana, Elman Abule.
Biznesmeni Abule ka shtetësi belge dhe është përfshirë prej gati një dekade në botën e tregtisë, kryesisht në aktivitetin e metaleve.
Ai ka ruajtur një profil të ulët publik. Megjithatë, në media është publikuar një foto e tij, në aeroportin e Romës, në shoqërinë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Foto është publikuar në disa media dhe vërtetësia e saj nuk është kundërshtuar, të paktën publikisht, nga asnjë prej dy subjekteve të saj.
Nga pamjet në foto, e cila besohet se është shkrepur në vitin 2019, dallohet se Veliaj dhe Abule kanë njohje të konsiderueshme dhe se udhëtimi i tyre duhet të ketë qenë për qëllime turistike, nisur nga çantat e shpinës që kanë me vete.
Kompania “Ventus” shpk që ka përfituar lejen për turbinën eolike është krijuar në Tetor të vitit 2018 dhe objekt i aktivitetit të saj është, ndër të tjera, edhe ndërtimi i impianteve të prodhimit të energjisë elektrike nga era.
Vetëm pak muaj para themelimit të kompanisë, e konkretisht në Qershor të vitit 2018, Këshilli i Rregullimit të Territorit miratoi “Planin e përgjithshëm Vendor të Bashkisë Pukë”, ku parashikohet ndër të tjera edhe investimi në impiante të prodhimit të energjisë elektrike me anën e erës.