Deputeti i PD, Ervin Salianji ka folur për mediat para mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD, të thirrur nga Enkelejd Alibeaj, por që nuk njihet nga Komisioni i Rithemelimit.
Salianji ka kritikuar deputetin Enkelejd Alibeaj duke e akuzuar këtë të fundit se ulej me kryeministrin Edi Rama për emrin e Presidentit, ndërsa nuk ulej me kryesinë e partisë apo me grupimin tjetër, për të zgjidhur krizën e brendshme që e ka zanafillën muaj më parë.
“Siç e shikoni ka një përpjekje në kulisa skizofrenike për ta ndarë PD-në në dy pjesë. Nuk hyj tek ata deputetë që duan këtë ndarje. Kam folur me Alibeajn që mbledhja të jetë e përbashkët dhe është e papranueshme që ndërkohë që pranon të ulet në tavolinë me Ramën mos të pranojë të ulet me deputetët e PD.
Siç kam komunikuar me dy palët edhe para jush duhet të them se grupi duhet të mblidhet brenda rregullores, po ashtu edhe kryesia.
Të gjithë deputetët duhet të ulen dhe t’i japin zgjidhje krizës në mënyrë që mos të shpërndahet fokusi nga lufta ndaj Edi Ramës”, tha Salianji.














