Bashkia e Durrësit shpenzoi mbi 12 milionë euro për rikonstruksionin e plagëve të tërmetit mbi ambientet e përbashkëta të qindra pallateve, por banorët dhe ekspertët ankohen se ndërhyrjet nuk po i shërbejnë rritjes së sigurisë, por zbukurimit të fasadave.
Paraditen e 16 prillit, Dhimitër Stefa dhe fqinjët e tij u mblodhën të shqetësuar në shkallët e pallatit të tyre në afërsi të stadiumit të Durrësit, për të diskutuar mbi cilësinë e punimeve të saponisura nga bashkia.
Pallati 5-katësh me tulla të kuqe është ndërtuar në vitin 1975 me kontribut vullnetar dhe pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit 2019, u klasifikua me nivel dëmi të lehtë DS1.
Suvatimi i fasadës kishte nisur prej një jave, por Stefa, 61 vjeç, është i paqartë dhe i pakënaqur.
“Asnjë nuk të jep informacion se çfarë do të bëhet,” tha Stefa për BIRN.
“Ky është maskarallëk, dy pallate më poshtë me kapotë dhe punimet e brendshme të shkallëve, edhe me bojë. Erdhi puna tani që po bëhet suvatimi i pallatit tonë, as kapotë, as shkarkimi i ujërave të shiut, as planifikim për lyerje të brendshme,” shtoi ai.
Riparimi i pallatit të Stefës është pjesë e procesit të rindërtimit në qytetin e Durrësit – më i godituri nga lëkundjet e tërmetit të tre viteve më parë. Procesi ka nisur prej shtatorit 2020, por fundi i tij duket ende larg.
Sipas të dhënave të siguruara përmes një kërkese për të drejtë informimi, qeveria shqiptare dhe bashkia e Durrësit kanë shpenzuar rreth 3 miliardë lekë [25 milionë euro] për riparimin e pallateve me nivel dëmi DS1-DS3 si dhe për riforcimin strukturor të pallateve me nivel dëmi DS4 që prej vitit 2020.
Rreth 1.4 miliardë lekë ose 46% e fondit shkoi për riparimin e ambienteve të përbashkëta të qindra pallateve me shkallë të lehta dhe të mesme dëmi (DS1-DS3) – punime të cilat u ndanë në 11 lote dhe po kryhen nga kompanitë private të përzgjedhura nga bashkia.
Qeveria shqiptare ka premtuar se procesi i rindërtimit do t’u japë zgjidhje mijëra qytetarëve që humbën shtëpitë nga fatkeqësia natyrore si dhe do të kontribuojë në rritjen e sigurisë së qindra godinave në vend.
Megjithatë, të dhënat që BIRN siguroi përmes vëzhgimeve në terren dhe intervistave me banorë dhe ekspertë të ndërtimit tregojnë se investimet po i shërbejnë estetikës së fasadave më shumë sesa sigurisë së pallateve.
“Këto në 90% të rasteve janë lyerje fasadash, rehabilitim fasadash dhe në 10% janë rikonstruksione të mirëfillta,” tha për BIRN një inxhinier ndërtimi, i cili foli në kushtet e anonimatit nga frika e penalizimit të aktivitetit të tij profesional.
“Pra, janë punime të cilat nuk synojnë riparimin e strukturës së godinës, por përmirësimin e estetikës së saj, përmes suvatimit dhe lyerjes,” shtoi ai.
BIRN dokumentoi gjithashtu në terren punime difektoze, standarde të ndryshme si dhe punë “shkel e shko” që u ka dalë tashmë boja.
Ndërkohë, Bashkia e Durrësit tha përmes një përgjigje me shkrim se ndërhyrjet po kryheshin në përputhje me aktet e vlerësimit të dëmeve.
“Procesi i vlerësimit të dëmeve është proces që ka nisur që në vitin 2019 dhe janë hartuar akte konstatimi, ekspertizat e thelluara nga Instituti i Ndërtimit Tiranë,” tha Bashkia e Durrësit.
“Hartimi i projekteve/ specifikimeve teknike është bërë në përputhje me kërkesat e akteve të konstatimit,” shtoi ajo.
Vonesa dhe defekte
Tërmeti i 26 nëntorit 2019 shkaktoi 51 viktima dhe mijëra të pastrehë të Shqipëri, ndërsa bashkia e Durrësit – qendra e dytë më e madhe e vendit – u kthye për javë të tëra në një qytet fantazmë.
Në shkurt të vitit 2022, kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako deklaroi pëmes një statusi në Facebook se kishte përfunduar riparimi i ambienteve të përbashkëta për 405 pallate me nivel dëmi DS1-DS3 dhe ishin në proces 180 pallate të tjera.
Sako shtoi gjithashtu se kishte përfunduar përforcimi dhe rikonstruksioni për 4 pallate me nivel dëmi DS4 dhe se po vijonte puna për 24 pallate të tjera.
BIRN analizoi 11 tendera dhe mori informacion nga Bashkia Durrës, duke evidentuar punimet e parashikuara për pallatet në ambientet e përbashkëta, që përfshijnë fasadën e objektit dhe kafazin e shkallëve.
Ato përqendrohen në godinat me nivel dëmi DS1, DS2 – që njihen si dëmtime të lehta në strukturën e godinave dhe DS3, që njihet si nivel i mesëm dëmi.
Procesi i tenderimit të tyre u nda në 11 lote me një vlerë totale prej 1.4 miliardë lekësh [12 milionë euro] për pallate që shtrihen nga qendra e qytetit dhe deri te njësitë administrative më të largëta.
Nga 11 lotet, nëntë u prokuruan në shtator 2020 dhe përfshinin 393 pallate, ndërsa dy të tjerat në mars 2022.
Në terren, procesi i rindërtimit u përball me shkelje të afateve të kontratave dhe amendime të tyre, duke sjellë zvarritje të ndërhyrjeve me të paktën disa muaj.
Sipas bashkisë së Durrësit, nëntë kontratat e lidhura në vitin 2020 u amenduan për arsye që lidheshin me kushtet atmosferike, me vështirësitë për të liruar katet e para të zëna nga bizneset apo me kohën e nevojshme për të identifikuar të gjitha godinat objekt të kontratave.
Si arsye të vonesave, bashkia përmend edhe situatën e krijuar me pandeminë e COVID-19 dhe pamundësinë për të gjetur banorët.
Vonesat duket se kanë sjellë një efekt domino dhe i kanë dekurajuar qytetarët që presin tashmë prej kohësh që t’u vijë radha.
Redi Myshketa, banor i lagjes 6 të Durrësit thotë se në pallatin e tij 12-katësh të klasifikuar si DS3 puna nuk ka filluar ende, ndonëse duhej të kishte mbaruar para një viti.
Pas tërmetit të 26 nëntorit, pallati i Myshketës pësoi dëme në shkallë, në fasadë dhe në muraturë. Banorët i kanë riparuar tashmë dëmet e brendshme, por fasada e pallatit ka mbetur po njësoj.
“Ka komshinj që e kanë prishur murin nga brenda, por nuk e kanë suvatuar dot nga jashtë, sepse nuk e suvaton dot nëse nuk merr skelën,” tha Myshketa për BIRN.
“Ata nuk e japin [lejen për skelën] kështu që do të presim kur të kujtohet shteti të bëjë rikonstruksionin,” shtoi ai.
Vonesat me punimet nuk janë problemi i vetëm. Në dhjetra pallate të riparuara tashmë nga bashkia, BIRN evidentoi raste ku copa të mëdha suvaje kishin rënë tashmë përtokë apo ku lagështira kishte krijuar harta mbi suvatimet e reja.
Skënder Lika banon në katin e dytë të një pallati të para viteve’ 90 në lagjen numër 18 të Durrësit, i cili u rikontruktua në fasadë dhe kafazin e shkallëve para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.
Megjithatë, një bllok suvatimi me gjatësi mbi 1 metër është shkëputur prej kohësh nga fasada dhe ka rënë përtokë.
“Ata bënë suvatim, fino dhe lyerje. Nuk marr vesht nga ndërtimi, por siç ishte është mirë,” tha Lika për BIRN.
“Pjesa lart që ka rënë nuk do ketë kapur mirë. Ra pasi e riparuan,” shtoi ai.
Sipas inxhinierit të ndërtimit me të cilin foli BIRN, defektet janë pasojë e mungesës së kushteve teknike të zbatimit. Ai vëren gjithashtu si problem kryesor neglizhimin e lagështirës përgjatë punimeve.
“Po nuk u bë hidroziolim për lagështirën, do të shpërndahet kudo. Kur lagështira është prezente, nuk ka vlerë suvatimi dhe lyerja, duhej ndërhyrë fillimisht për heqjen e lagështirës,” shtoi ai.
Arnimi i dëmeve
Pak pasi kalon kryqëzimin e stadiumit në Durrës, pallatet shumëkatëshe bartin ende plagët e tërmetit të nëntorit 2019. Më të dukshme janë tek suvatimet e pallateve të ndërtuar rishtazi, sesa në tullat e disakatësheve të përpara viteve’ 90.
Ekspertët mendojnë se procesi i rindërtimit është përballur me probleme si në vlerësimin e dëmeve, ashtu edhe në zbatimin e punimeve. Sipas planifikuesit të territorit, Artan Kacani, mënyra se si u vlerësuan dëmet nuk ishte “një recetë e duhur teknike” që përmbush pritshmëritë e qytetarëve.
“Teknikisht, godina të ndryshme kanë dëmtime nga më të ndryshmet…,” tha Kacani, ndërsa shtoi se për çdo problem do të duhej të kërkoheshin zgjidhje specifike.
“Sot ne kemi godina që paçka se mund të kenë vlerësimin DS1, bartin në vetvete probleme themelore, duke filluar edhe nga apartamentet individuale,” shtoi ai.
Edhe inxhinierët e ndërtimit me të cilët foli BIRN bien dakord se për procesin e rikonstruksionit do të duhej të specifikoheshin problemet konkrete që kishte secila godinë. Ata vërejnë se ndryshe nga kjo praktikë, në dokumentet e tenderave gjendet numri total i godinave dhe një udhëzues tip për ndërhyrjet.
Në terren, procesi i rindërtimit përkthehet shpeshherë në ndërhyrje kakofonike dhe arnime të dëmeve të shkaktuara nga tërmeti.
BIRN vëzhgoi disa blloqe banimesh të riparuara në lagje të ndryshme të Durrësit dhe dokumentoi se shumica e ndërhyrjeve lidhen me suvatimin e fasadës së pallateve; në disa raste me izolim dhe sistem kapotë dhe në raste të tjera me proces të thjeshtë.
Standarde të ndryshme janë ndjekur gjithashtu me ambientet e shkallëve, ku të çarat e krijuara nga tërmeti herë janë riparuar dhe herë të tjera jo.
Në terren mungojnë gjithashtu tabela të punimeve dhe mungesa e specifikimeve teknike ka krijuar konfuzion mes banorëve. Në varësi të cilësisë së punimeve, disa banorë shprehen të kënaqur dhe të tjerë të zhgënjyer.
Në një tjetër pallat 5-katësh pranë stadiumit të Durrësit, Dashuria, një grua në pension është falenderuese për punimet.
“Kanë pasur krisje muret, suvatimet, i kanë gërryer, i kanë suvatuar, i kanë lyer me bojë, me rrjetë, me të gjitha siç i takon. Edhe fasadën jashtë komplet, i kanë bërë izolim me tapë se këto kanë qenë në tullë komplet pallatet këtu,” tha ajo për BIRN.
Ndryshe mendon Julinda Capari, e cila banon prej 32 vitesh në një pallat 4-katësh që mban numrin 1015 në zonën e Shkozetit. Pallatet në këtë bllok banimi janë suvatuar dhe lyer vetëm në njërën anë të fasadës që sheh nga rruga kryesore, ndërsa në pjesën e pasme dallohet ende boja e vjetër dhe të çarat e tërmetit në kafazin e shkallëve.
“Të gjitha këto [dëmtimet e suvatimit] nga tërmeti janë, është edhe një copë e madhe diku më poshtë. Një herë të bie tërmet, bëhen prapë,” tha Capari, duke treguar me gisht të çarat në mure.
Në pallatin fqinj me Caparin, 62-vjeçarja Safete Zylyfi thotë se zyrtarët e bashkisë u premtuan rikonstruksionin para zgjedhjeve të përgjithshme, por ende nuk është bërë asgjë.
“Kryetarja e bashkisë erdhi e pa atë [pallati përballë] kur i mbaroi suvatimi. Duhej që edhe ne të na e suvatonin, se tha do i bëjmë të gjitha me radhë, edhe nuk u bë ashtu. U bë vetëm njëra, se si ishte plani nuk e di, vetëm atje u suvatua,” shton 62 vjeçarja.
Banorë të tjerë si Dhimitër Stefa ankohen se mungesa e transparencës dhe e informacionit krijon hapësira për abuzime. 61-vjeçari thotë se riparimet do të duhej të shoqëroheshin me tabela informuese, ku të shënoheshin të gjitha punimet e parashikuara për të shmangur konfuzionin.
“Këto janë investime publike që i bën bashkia e Durrësit dhe firma duhet të jetë transparente dhe të nxjerrë një tabelë aty, ku të thotë se do të kryhen këto punime,” tha Stefa i zhgënjyer.
“Le të shkruajnë apriori 40 pallate, por edhe punimet që ne ta dimë,” përfundoi ai. /BIRN/