Pasi ONM kërkoi bashkimin e çështjeve të gjyqtares së Apelit Tiranë, Elbana Lluri dhe të ish-bashkëshortit të saj, gjyqtarit Gerd Hoxha, Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të administrojë si provë aktet nga fashikujt e çështjes së Hoxhës.
Në seancën e radhës në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, KPA për shqyrtimin e ankimit të Komisionerit Publik ndaj vendimit të konfirmimit të gjyqtares së Gjykatës së Apelit Tiranë, Elbana Lluri, u bë me dije një opinion i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM që kërkon bashkimin e çështjes së këtij subjekti rivlerësimi me atë të ish-bashkëshortit të saj, Gerd Hoxha, rivlerësimi i të cilit ka filluar në shkallën e dytë të vetingut një muaj më parë.
Nga sa shpjegoi gjyqtarja Lluri në qëndrimin e saj ndaj opinionit të ONM-së të mërkurën, u mësua se ishte kërkuar bashkimi i çështjeve me qëllim që të shmangej një punë e dyfishtë e Kolegjit dhe të evitohen standarte të dyfishta në shqyrtimin e ankimeve, nisur dhe nga fakti se provat kanë tendencë të jenë të njëjta. Po ashtu, ONM ka kërkuar që të paktën gjykimi të kryhet në kohë të njëjtë.
Lluri deklaroi se mbetej e hapur për çdo mënyrë të aspektit procedurial që do të zgjedhë Kolegji. Duke iu referuar dispozitave ligjore, ajo u shpreh se referimi i ONM-së nuk është ‘adekuat’, duke përfshirë edhe momentin kur po kryhet. Subjekti theksoi se nuk kishte një parashikim procedural për bashkimin e çështjeve dhe se nuk ishte aplikuar më parë në Kolegj një situatë e tillë.
“Është e pamundur për t’u aplikuar për shkak të tejkalimit të momentit procedural,” deklaroi Lluri dhe vërejti se nuk gjendeshin para dy padive që mund të bashkoheshin në një gjykim, por para dy gjykimeve dhe se tashmë ishin zhvilluar disa seanca.
Lluri theksoi se gjyqtari Hoxha nuk është më bashkëshorti i saj dhe i cilësoi shkaqet e Komisionerit për secilën çështje diametralisht të kundërta. Po ashtu, ajo vërejti se ndaj saj nuk janë ngritur shkaqe për profesionalizmin.
Pasi solli në vëmendje edhe raste të tjera të ngjashme, ku subjekte me lidhje të posaçme ishin shqyrtuar veçmas në KPK dhe KPA, Lluri u shpreh se nuk kishte asnjë qëllim për të mos iu nënshtruar gjykimit ashtu si do të vendosej prej trupës. “Por opinioni i ONM-së për bashkimin e çështjeve është i pabazuar në ligj,”theksoi Lluri.
Pasi trupi gjykues i Kolegjit u tërhoq, vendosi të marrë në cilësinë e provës aktet që janë pjesë e fashikullit të çështjes së ish-bashkëshortit të subjektit si dhe të akteve që do të bëhen pjesë e atij fashikulli gjatë gjykimit.
KPA vendosi të shtyjë seancën për t’u lënë palëve kohë të mjaftueshme për t’u njohur me provat e reja që do të administrohen nga çështja e ish-bashkëshortit të subjektit, për më datë 25 maj në orën 09:00. Gjithashtu, u kërkua që palët të shprehin qëndrimin e tyre lidhur me analizën financiare të përgatitur nga Kolegji, që është mbështetur në shkaqet e ankimit të Komisionerit.
Gjyqtarja Elbana Lluri u konfirmua në detyrë më 2 shkurt 2021, por ONM rekomandoi apelimin, duke arsyetuar se hetimi nuk kishte qenë i plotë ose ishte në kundërshtim me praktikën e vendosur tashmë nga KPA. Komisioneri Publik ankimoi vendimin e konfirmimit duke kërkuar rihetim për Llurin. /BIRN/