“Partia Demokratike është e gatshme të marrë peshën për të larguar Durrësin, durrsakët dhe shqiptarët nga buza e greminës ku i ka sjellë “Rilindja” e mashtrimeve. Por që të ndodhë kjo, duhet që durrsakët e shqiptarët të shprehin vullnetin e tyre të lire, e të pa kërcënuar.” Kështu është shprehur kryetari i PD-së, Lulzim Basha, në një takim sot me të rinjtë e Durrësit.
“Zgjedhje të lira dhe të ndershme, – theksoi Basha, – është apeli me të cilin shqiptarët bashkohen në 18 shkurt. Kështu askush nuk ka pse të largohet më nga Durrësi e nga Shqipëria, për mungesë shprese dhe mundësie. Në këtë mënyrë, fati i çdo qytetari do të përcaktohet nga vetë ata sepse me zgjedhje të lira dhe të ndershme, qytetarët do të zgjedhin ndryshimin, do të zgjedhin një qeveri që qeveris për ta dhe jo për xhepat e një grushti hajdutësh dhe banditësh.”
Mesazhi i plotë i Lulzim Bashës sot në Durrës
Më ka ftuar sot Forumi Rinor i Degës së Durrësit në përgatitjet që po bëjnë për protestën mbarë popullore të datës 18 shkurt.
Bashkë diskutuam për gjendjen ku është katandisur Durrësi e në veçanti rinia e Durrësit. Ky qytet i cili ka një histori mijëra vjeçare me të cilën krenohet e gjithë Shqipëria, ka një qytetari të rrallë, Durrësi i gëzimit të verës me të cilën ne shoqërojmë gjithmonë kujtimet tona, ne që s’jemi durrsakë, që mezi prisnim që të vinim këtu, sot është një qytet i depresuar psiqikisht, ekonomikisht dhe në çdo rrafsh tjetër.
Në Durrës si kudo në Shqipëri, shpresa dhe mundësia për të nesërmen është vrarë nga një kastë e korruptuar që shikon vetëm xhepat e vet dhe ka braktisur interesat e qytetarëve të Durrësit, ka braktisur interesat e durrsakëve. Nuk i shërbehet më as punësimit, as infrastrukturës, as shëndetësisë, as arsimit, i shërbehet vetëm xhepave të Vangjush Dakos dhe bandës kriminale që e solli dhe e mban në pushtet. I shërbehet vetëm xhepave të Edi Ramës dhe banditëve me të cilët mendon se do të diktojë zgjedhjet e ardhshme.
Ndaj sot, ne do t’i japim një mesazh gjithë qytetarisë durrsake, gjithë durrsakëve, e në vecanti të rinjve. Një mesazh jo përmes patriotizmit fals dhe retorikës boshe apo gënjeshtrës, por përmes zgjidhjeve konkrete që unë dhe Partia Demokratike kemi e do të vëmë në jetë për rininë me anulimin e ligjit për arsimin e lartë, me investime në Universitetin e Durrësit dhe gjithë sistemin arsimor të Durrësit. Me mundësinë për mijëra të sapo diplomuar durrsakë që të kryejnë stazhe njëvjeçare me pagesë nga buxheti i shtetit, në këtë mënyrë, të aftësohen e të bëhen pjesë e tregut të punës. Me taksa të ulëta, me rritje të investimeve publike që hapin vende pune dhe me shpenzime sociale që të rrisim pensionet dhe t’i japim ndihmë ekonomike gjithë familjeve që kanë nevojë për të.
Partia Demokratike është e gatshme të marrë peshën për të larguar Durrësin dhe durrsakët nga buza e greminës ku i ka sjellë “Rilindja” e mashtrimeve të 300 mijë vendeve pune, të shëndetësisë falas dhe abuzimeve të velës së betonit 6 milion dollarë, të ajrit që ndotet, të Durrësit që përmbytet, të shëndetësisë që nuk funksionon. Por që të ndodhë kjo, duhet që durrsakët të shprehin vullnetin e tyre të lirë e të pa kërcënuar, e të pa mashtruar. Zgjedhje të lira dhe të ndershme është apeli me të cilin shqiptarët bashkohen në 18 Shkurt.
Në këtë mënyrë askush nuk ka pse të largohet më nga Durrësi e nga Shqipëria, për mungesë shprese dhe mundësie. Në këtë mënyrë, fati i çdo qytetari do të përcaktohet nga vetë ata sepse me zgjedhje të lira dhe të ndershme, qytetarët do të zgjedhin ndryshimin, do të zgjedhin një qeveri që qeveris për ta dhe jo për xhepat e një grushti hajdutësh dhe banditësh.
Nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme me banda dhe kriminelë. Nuk do të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme me politikanë të korruptuar, por do të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme sepse shqiptarët nuk do të falin askënd që dëshiron të mbajë peng Shqipërinë duke mbajtur peng zgjedhjet. Askush nuk do ta gëzojë as edhe një ditë vetme një pushtet të tillë.
Ndaj bashkohemi të gjithë më 18 Shkurt në Tiranë, jo për një parti politike, jo vetëm për një axhendë politike, por për qëllimet e mbarë shqiptarëve. Ndryshim sepse kështu nuk çohet më jeta. Ndryshim, sepse Shqipëria nuk mund të vazhdojë më kështu. Ata që nuk duan ndryshim, duan ta mbajnë Shqipërinë kështu se për ta është mirë. Ata ndërtojnë vela 6 milion dollarëshe dhe fusin 3 milion në xhepat e tyre, me beton.
Ata marrin koncesione qindra milion dollarëshe, rinia rri rrugëve. Nuk mund të vazhdojë më kështu. Shqipëria do ndryshim. Ndryshimi vjen përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe rinia durrsake është gati për të garantuar që zëri i atyre që sot nuk dëgjohen, të kumbojë më 18 Shkurt dhe, me 18 Shkurt do kumbojë zëri i shumicës dërrmuese të shqiptarëve që sot nuk dëgjohen për shkak të propagandës dhe mashtrimit qeveritar.
Shqiptarët e braktisur nga qeveria do të marrin fatin e tyre në dorë. Shqiptarët e braktisur nga qeverisja do të diktojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, unë i garantoj ata se do të kenë një qeverisje të qytetarëve një qeveri të qytetarëve, një kryeministër të qytetarëve.