Synimi për të mundur politikisht Edi Ramën, është karta me të cilën ish kryeministri beson se do ta ringrejë Partinë Demokratike, e cila prej 9 vitesh ka mbetur në opozitë. Për këtë arsye “Rithemelimi” sot mbajti Kuvendin Kombëtar ë PD-së në Pallatin e Kongreseve.
Por ai i bashkoi ky Kuvend demokratët apo ishte një noterizim i përçarjes përfundimtare?
Analisti Ben Andoni tha se sfida e PD duhet të fillojë me bazën, me njohjen e saj. Në gjykimin e tij PD është oferta e vetme që vendi të ketë opozitë.
Andoni: Është realitet i momentit të PD-së, duhet të jemi koshientë për diçka, që me gjithë ato që thuhen sot ka peshë dhe konotacion jo të mirë mungesa e deputetëve. Kuptohet edhe ardhja e njerëzve të DASH në Shqipëri besoj që ka ndikuar jashtëzakonisht. Por është një realitet që duhet të pranohet, që baza e PD anon në pjesën e Grupit te Rithemelimit. Sfida e PD duhet të fillojë te baza, e para me identifikimin e tyre dhe mos ndodhë siç ndodhi ne dy Kuvendet e dhjetorit që u paraqitën numra që nuk ekzistonin. Koha do jetë ilaçi më i mirë. PD po kalon një proces jashtëzakonisht shumë të vështirë, por është oferta e vetme që kanë shqiptarët për opozitë.
Të dyja pjesët e PD-së duhet të jenë koshientë që përtej përçarjes shqiptarët presin nga ata që të jenë zëri i tyre në opozitë. Ka prishur shumë punë, paçka se zoti Berisha është karburanti kryesor që po e mban Grupin e Rithemelimit dhe po tregon që pesha e atij është e madhe nuk mund të mohohet, por ai duhet të ishte larg këtij procesi në këtë stad. Grupi i Rithemelimit duhet të merrte pak më shumë atribute dhe mos eklipsohej nga zoti Berisha. Shohim kultin e individit që sot e pashë shumë të dukshëm në PD. Edhe në PS më vjen keq ta them që ishte gati e dukshme. Shqipëria nuk ka më kohë për tu marrë me gjëra të vogla, me gjëra të cilat janë brenda PD. Ka ardhur momenti që PD duhet të gjejë elementet brenda, të gjejë rrugën e re, për arsyen e vetme që PD është komplet e depozituar në Gjykatë. Forma e organizimit sot ishte e mrekullueshme por në përmbajtje përçarja është ende shumë e dukshme.
Analisti përmendi shpalljen “non grata” si fakt i cili nuk i shërben bashkimit të demokratëve.
Andoni: Zotit Berisha i njihet ngritja e PD në këto momente, dhënia e një identiteti të ri premtues, por nuk mund ta çojë dot më përpara. Për arsyen e vetme që dosjen e parë që do ketë kryetari i ri i PD i të ardhmes do jetë dosja e vet përpara. Çfarë do bëjë me dosjen e vet? Dhe ky është një problem i madh. Vendimi “non grata” duhet të vepronte, njerëzit duhet të njihnin nga gjykatat shqiptare sa përgjegjës janë këta njerëz.
Sipas tij, peshën e shpalljes “non grata” do apo nuk do Berisha e ka ndarë me gjithë PD.
Andoni: Shpresa kryesore e PD është në artikulimet e Grupit Republikan që duket të paktën që indikatorë të ndryshëm brenda tyre mund të rishikojnë shumë gjëra nëse do vijnë në pushtet pas 2 viteve të zoti Biden. Kjo është shpresa e vetme që ka zoti Berisha. Nuk besoj dhe në atë fabulën që ai ka ngritur për sa i përket juridiksionit të Gjykatës franceze mbi DASH. Gjithë këtë peshë, që zoti Berisha pretendon se do ta mbajë vetë, duket që e ka ndarë me PD. Uroj që t’ia dalin, por nuk besoj që do jetë kaq e lehtë.
Sipas Andonit anëtarët e Grupit të rithemelimit duhet të mendojnë një strategji për të rregulluar narracionin e tyre me SHBA-në sepse nëse do vazhdojnë kështu sipas tij nuk do kenë ditë të mira përpara. Shqetësimi i Andoni është që vendi vazhdon të mbete pa opozitë në këto kushte ku ndodhet PD-ja.