Prokurori i Prokurorisë së Tiranës, Gjergji Tako u përball të mërkurën më 27 prill me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK kur gjatë seancës dëgjimore që zgjati afro tre orë e gjysmë u pyet dhe dha shpjegime për gjetjet në kriterin e pasurisë dhe profesionalizmit. Ndërkohë, ai u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës.
Procesi i vetingut për prokurorin Tako po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Roland Ilia, me reatore Etleda Çiftjen dhe anëtare Pamela Qirkon. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Tonci Petkovic.
Gjergji Tako përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2004 dhe u emërua si prokuror në Prokurorinë e Lushnjës. Prej vitit 2007, ai e ushtron funksionin në Prokurorinë e Rrethit gjyqësor Tiranë.
Tako u paraqit në seancë me avokatin Robert Karati.
Makina të paregjistruara në përdorim
Për kriterin e pasurisë u relatuan gjerësisht gjetjet dhe barra e provës për automjetet e shumta që ka zotëruar dhe përdorur prokurori Gjergji Tako, një pjesë e të cilave pa disponuar dokumentacion të rregullt.
Relatorja Çiftja konstatoi se Tako ka blerë në vitin 2005 një automjet tip “Benz” në shumën 5100 euro, që sipas verifikimeve të kryera nga sistemi TIMS, ka hyrë në Shqipëri nëpërmjet Portit të Durrësit. Ajo shtoi se në dosjen e mjetit rezulton një dokument, sipas të cilit mjeti ka hyrë në Shqipëri nga pika kufitare “Tre urat” në Përmet. Sipas Çiftes, ky dokument nuk përputhet me të dhënat e sistemit TIMS.
Ndërkohë, nga verifikimi ka rezultuar se mjeti është përdorur nga prokurori Tako në kundërshtim me Kodin Rrugor, pasi nuk ka disponuar leje qarkullimi.
Pa leje qarkullimi Tako ka përdorur edhe një autoveturë tip “Volksëagen’ të blerë po në vitin 2005 për shumën 90 mijë lekë. Sipas Komisionit, kjo makinë është sekuestruar nga shteti në 2010-ën për shkak të mosshlyerjes së detyrimeve doganore në vitin 2010.
Në vitin 2016, subjekti ka blerë një tjetër automjet tip “Benz” në shumën 135 mijë lekë, që ka rezultuar se e ka përdorur nga viti 2012 pa dokumente dhe pa paguar detyrimet doganore. Sipas KPK, në përdorim e këtyre mjeteve Tako nuk ka vepruar në përputhje me etikën e magjistratit, si dhe e ka cënuar atë.
Në seancë u evidentua mosdeklarimi i përdorimit të një mjeti në vitin 2010 për të cilën ishte nënshkruar një kontratë përdorimi.
Prokurori Tako deklaroi se gjetjet për makinat ndahen në dy blloqe. Lidhur me moszhdoganimin e mjeteve dhe mosregjistrimnin e tyre, Tako i lidhi me faktin se në atë periudhë ishte e nevojshme që mjeti të hynte dhe të dilte në doganë për të verifikuar që nuk kishin probleme. Sipas tij, kjo ishte arsyeja përse ishte e vështirë të regjistroheshin automjetet.
Ai deklaroi se për këtë arsye kishte kaluar me mjetin në pikën kufitare “Tre urat” dhe sqaroi se deri në vitin 2006, kjo pikë kufitare nuk kishte qenë pjesë e sistemit TIMS. Tako pohoi se kishte kërkuar për të gjetur regjistrat manualë, por kishte qenë e pamundur. “Nuk i ka shteti shqiptar,” iu referua ai mungesës së regjistrave manualë të pikës kufitare “Tre Urat”.
“Shkelja qëndron virtuale, formale. Unë nuk kam bërë sjelljen e një gjyqtari shembullor, por nuk jam shkelës i ligjit,” dekaroi Tako dhe fajësoi një VKM të kohës për situatën. “Mendoj se shkelja është formalisht, por nuk mund të ketë masë, nuk ka peshë,” pretendoi ai duke argumentuar se nuk janë shkelje të rënda që të kenë sjellë pasoja për shtetin dhe për qytetarët.
Tako këmbënguli se nuk rezultonte të kishte shkaktuar dëm pasuror dhe se nuk kishte pasur ankesa nga qytetarët për përdorimin e këtij mjeti nga ana e tij. “Brenda shkeljes jam treguar i kujdesshëm”, theksoi Tako, duke shpjeguar se nuk kishte pasur asnjëherë ankesa nga fqinjët për zënien e parkimeve me mjetin e paregjistruar.
Ai vijoi mbrojtjen duke shtuar se publiciteti i keq do të kishte qenë nëse do të kishte kryer aksident dhe do të ishte bërë publik fakti se mjeti kishte qenë i paregjistruar. Sipas tij, kjo shkelje nuk mund të shkaktonte shkarkimin e tij.
Për mjetin tjetër të sekuestruar nga policia pretendoi se ishte përdorur nga një shtetas tjetër.
Lidhur me gjetjet e tjetra, që Tako i konsideroi të grupimit të dytë që kishte të bënte me përdorimin, theksoi se mosdeklarimi i kësaj të drejte nuk mund të sillte shkarkimin.
Prokurori Tako ka përdorur edhe një automjet të sekuestruar gjatë një ngjarje kriminale, të poseduar nga Prokuroria e Tiranës. Në seancë u evidentua se këtë mjet subjekti e ka përdorur me autorizim të drejtuesit të Prokurorisë së Tiranës së vitit 2016.
Vëzhguesi ndërkombëtar, Tonci Petkovic e pyeti nëse mjeti i marrë në përdorim nga prokuroria ishte i regjistruar dhe nëse ishin paguar sigurimet.
Tako shpjegoi se mjeti kishte qenë fillimisht në përdorim të SHISH dhe në vijim ishte poseduar nga Prokuroria e Tiranës. Ai argumentoi se e kishte përdorur mjetin me qëllim që ta mirëmbante, pasi nëse qëndronte i parkuar do të amortizohej.
Ai sqaroi se i kishte paguar vetë sigurimet, si dhe kishte kryer investime për mirëmbajtjen në shumën rreth 110 mijë lekë. Ndërsa pranoi se mjeti nuk ishte i regjistruar pasi gjendej në regjimin e sekuestrimit.
Petkovic evidentoi edhe faktin se mjeti ishte sekuestruar gjatë një ngjarje kriminale. Ai e pyeti prokurorin Tako nëse Benz-i në fjalë ishte provë materiale që kishte të bënte me atë ngjarje apo ishte pronë e SHISH. Tako shpjegoi se mjeti ishte përdorur prej SHISH-it, që në vijim e kishte dorëzuar më Prokurorinë e Tiranës.
Vëzhguesi Petkovic e pyeti Takon nëse e konsideronte dinjitoze për një prokuror përdorimin e një mjeti të sekuestruar në një ngjarje kriminale. Tako theksoi se në raste të tilla shteti ia lë mjetin në përdorim një personi të tretë, që nuk është i afërm.
“Nuk e kuptoj përse të mos jem unë kur ia kam rritur vlerën sendit. Është viti i gjashtë që e përdor,” pohoi Tako dhe shtoi se përse nuk i shtrohej edhe policisë dilema e dinjitetit.
“Jam brenda parametrave të pranueshëm. Nuk e cënoj besimit e publikut. Nuk ndihem krenar, por jo deri në atë pikë sa të kem cënuar besimin e publikut,”, shtoi Tako.
Për disa makina të tjera të blera dhe të përdorura nga subjekti nuk janë gjetur probleme gjatë hetimit administrativ.
Si burime krijimi për një apartament me sipërfaqe 57.1 m2 në Tiranë, të blerë në vitin 2004 për çmimin 3.4 milionë lekë, prokurori Tako ka deklaruar të ardhurat nga shitja e një banese nga familjarët në Përmet; të ardhurat e prindërve nga puna në vite dhe interesat nga ish-firmat piramidale; të ardhura të të atit nga një autoshkollë; si dhe ato nga bursa në Shkollën e Magjistraturës.
Çiftja sqaroi se për pagesën e këstit të parë në shumën 1.7 milionë lekë në vitin 2004 ka rezultuar balancë negative në shumën 200 mijë lekë, pasi nuk janë arritur të provohen me dokumentacion të ardhurat e babait të subjektit nga autoshkolla. Po ashtu ka rezultuar pamundësi për pagesën tjetër, pasi ka rezultuar se është kryer 10 ditë para shitjes së shtëpisë në Përmet.
Prokurori Tako deklaroi se kishte dorëzuar prova nga institucione shtetërore dhe dëshmitarë që sipas tij vërtetojnë ekzistencën e autoshkollës dhe kërkoi që të ardhurat të përllogariten sipas ligjit.
Ai pretendoi se në kontratën e shitjes së apartamentit në Përmet përcaktohej se vlera ishte paguar përpara nënshkrimit të kësaj kontrate dhe kërkoi që të konsideroheshin si burim për këstin e dytë.
Për një apartament të blerë nga subjekti në Tiranë për shumën 38 mijë e 760 euro, si dhe për mobilimin e kësaj banese ka rezultuar balancë negative në shumën totale 270 mijë lekë. Po ashtu, nga hetimi ka rezultuar se subjekti nuk ka pasqyruar në deklaratën veting dhe në ato periodike detyrimin e mbetur shoqërisë në shumën 4000 euro, të shlyer në 2019-ën.
Tako pranoi se kishte pasaktësi në mosdeklarimit e detyrimit të mbetur në shumën 4000 euro, por ai vërejti se kishte deklaruar shlyerjen e pjesës tjetër.
Komisioni konstaton se subjekti ka paguar me vonesë detyrimet për të ardhurat nga qiraja e një apartamenti në shumën totale 573 mijë lekë. Tako këmbënguli se e kishte deklaruar këtë marrdhënie dhe se nuk kishte pasur asgjë për të fshehur.
Profesionalizmi
Nga burimet arkivore ka rezultuar se prokurori Tako është penalizuar me vërejtje me paralajmërim për shkarkim nga puna në vitin 2005, për shkak të mosveprimeve në hetimin e një çështjeje penale për kontrabandë.
Në një prej tre çështjeve të zgjedhura nga subjekti ka rezultuar se nuk janë analizuar elementët e veprës penale. E njëjta situatë paraqitet edhe në dy prej pesë çështjeve të shortuara.
Tako deklaroi se kishte vijimësi në vendimet e tij lidhur me hapësirën që i jepte cilësimit juridik. “Jo se nuk e di, por ashtu e mendoj. Ngaqë vlerësoj të jetë i kuptueshëm për qytetarin,” pohoi Tako dhe shtoi se i jepte më shumë hapësirë faktit.
Në një tjetër dosje është konstatuar se subjekti nuk ka marrë deklarimet e bashkëshortes së një personi të vetëvrarë, si dhe ka vendosur të mos regjistrojë procedim penal me argumentin se nuk është konsumuar vepra penale. Tako deklaroi se ishin pyetur dy të afërm dhe se ata nuk kanë shprehur ndonjë informacion lidhur me bashkëshorten e të ndjerit. Në vijim ai shtoi se kishte kontaktuar me bashkëshorten e viktimës, por ajo nuk kishte shprehur ankesë me mjete juridike.
Sipas relatores, Tako rezulton të ketë vendosur mosfillimin e hetimit për tre kallëzime për falsifikim të aktit të ekspertimit, pa kryer asnjë veprim hetimor për të konkluduar nëse ekspertimi ka qenë i rremë ose jo. Subjekti i cilësoi kallëzime të tilla si një plagë që kanë dëmtuar drejtësinë. “Bëjnë kallëzime për faksifikim të akteve të ekspertimit që të bllokojnë proceset civile,” argumentoi ai dhe shtoi se vendoste mosfillim në rastet kur gjykata i kishte pranuar aktet e ekspertimit.
Nga hetimi ka rezultuar se Tako ka pushuar edhe një denoncim të kryer nga një shoqëri që pretendonte se në një procedurë prokurorimi ku kishte marrë pjesë, shoqëria tjetër fituese kishte përdorur dokumente false lidhur me trajnimin e punonjësve. “Vendimi i pushimit është marrë pa u administruar provat e nevojshme,” pohoi Çiftja.
Tako deklaroi se në raste të tilla pushohej ose pezullohej hetimi me qëllim që të mos cënoheshin afatet. Ai sqaroi se trajnimet e punonjësve të shoqërisë së kallëzuar ishin kryer në Holandë e për rrjedhojë do të duhej kohë për procedurën e letër-porosisë.
Në një prej denoncimeve, Tako akuzohet se ka shmangur në mënyrë të qëllimshme përgjegjësit e veprës penale. Sipas KPK, subjekti nuk ka arsyetuar për vdekjen e viktimës, për aktin mjeko-ligjor dhe për mosveprimet e të pandehurve në kundërshtim me procedurat mjekësore.
Tako u shpreh se ndihej krenar për hetimin që kishte kryer në këtë çështje. Ai u shpreh se kishte qenë këmbëngulja e tij që mjekët ligjorë kishin analizuar në vijim situatën e dëmtimit që kishte sjellë pasojën e vdjekjes për të ndjerën.
Në përfundim, prokurori Gjergji Tako kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 29, maj në orën 09:45. /BIRN/