Nga Boldnews.al
Zyrtarisht pritet të nisin procedurat parlamentare për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit, ndërsa ky pritet të jetë procesi më qesharak i zhvilluar deri më tani, sipas skenarit dhe regjisë së Edi Ramës.
Sot deputetët socialistë kanë depozituar zarfat me formularët që përmbajnë deri në 3 emra si propozime të tyre lidhur me kandidatët e mundshëm për President, ndërsa disa qindra e-mail kanë mbërritur po në postën elektronike të socialistëve me të tjerë emra.
Nuk është çudi që emri i parë i propozuar të jetë ai I Skënderbeut të Rilindjes, jo si një propozim që ai ta marrë seriozisht, por si një shenjë besnikërie që 73 deputetët propozues kanë ndaj tij, për ta parë sa më lart në fronin e hierarkisë shtetërore.
Më pas vijohet me emrin e dytë dhe të tretë dhe pritet që në orët apo ditët në vazhdim të kemi jo 5 apo 10, por mbi 100 emra të propozuar për President, pa përfshirë këtu kandidatët e vetëofruar dhe që duket se janë në kërkim të një pune.
Në fakt Edi Rama e kishte paralajmëruar një proces të tillë javë më parë, në kuadrin e asaj që e konsideron si këshillim, por që në realitet duket se po e kthen të gjithë procedurën në një burim barcaletash.
Deri më tani mbaheshin mend dy momente në politikën shqiptare: ai i caktimit të Kryeministrit të Qeverisë së Pajtimit Kombëtar në 1997, i cili e mësoi lajmin se do të drejtonte vendin, ndërsa luante tavëll, si dhe ai i caktimit të Presidentit konsensual në 2002, i cili ishte duke luajtur domino.
Por mënyra se si Edi Rama dhe rilindja po formësojnë zgjedhjen e Presidentit në 2022 duket edhe më qesharake, duke përfshirë në “garën pa garë” emra pafund, që do të lakohen për disa ditë e javë dhe në fund do të mbeten thjesht kandidatë.
Ajo çka Rilindja e Ramës do tu ofrojë shqiptarëve në Presidencë për 5 vitet e ardhshme është modeli i njeriut të ri.
Për këtë propaganda ka nisur punën, fillimisht duke atakuar modelin Presidencial të Ilir Metës, të cilin e votuan vetë në 2017 me pretendimin “se ishim të detyruar pasi nuk kishim votat”.
Paralelisht me atakimin e modelit Meta në Presidencë, propaganda ka nisur të përcaktojë edhe identikitin e Presidentit të ri, pavarësisht emrit që do të ketë. Nuk ka rëndësi në do jetë burrë apo grua, shok apo shoqe, zotëri apo zonjë, thjesht në karrigen Presidenciale do të ulet një prej atyre që kanë kuptuar modelin e “njeriut të ri” të prodhuar nga Rilindja e Ramës.
Produkti përfundimtar do të jetë pa ngjyrë, pa ambicie, pa zë, ndoshta edhe pa veshë e sy.
Është një model i ngjashëm me çdo drejtues të Rilindjes, që kokëulur shfaqet para komandantit, që pranon edhe shakanë, edhe talljen, edhe të marrë pompën të lyejë shkallën, edhe të shfaqet me lopatë në mes të baltës, kur ka këpucët lustrafinë, edhe të japë këshilla kursimi, edhe të shfaqet duke shërbyer pjata në raste festash, edhe të bëjë sikur ndërton, por në fakt shkatërron.
Thjesht do të jetë dikush që do të ulet në kolltukun e institucionit që ndodhet në fundin e bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe do të përfitojë ofiqet që kanë pasur deri më sot të gjithë Presidentët, mundësisht duke ia ditur si nder emërimin vetëm njërit: Edi Ramës, të cilit duhet t´i thotë faleminderit çdo mëngjes.
Pra me shumë gjasa garniturës institucionale që kontrollon do i shtojë edhe Presidencën, të cilën fillimisht po e paraqet si një institucion që s´ka asnjë vlerë dhe më pas atë që konsiderohet si negociatë, ia ka besuar Taulant Ballës, Damian Gjiknurit dhe Elisa Spiropalit.
Nëse Edi Rama do të kishte realisht një interes për të zgjedhur në krye të shtetit një figurë të fortë, do të hynte vetë në proces negociatash dhe nuk do ia delegonte ato qoftë edhe formalisht Ballës, Spiropalit apo Gjiknurit.
Nga të tre emrat që përbëjnë ekipin negociator të socialistëve, vetëm Gjiknuri ka eksperiencë negociatash, edhe ato në nivel teknik që kanë lidhje me reformën zgjedhore. Balla nuk ka qenë kurrë pjesë e ndonjë ekipi negociatash, sikundër edhe Spiropali.
Në këto kushte, Edi Rama ka menduar të ulë në maksimumin e mundshëm nivelin e negociatave, pavarësisht pozicioneve që mbajnë në parti, grupin parlamentar apo qeveri emrat e propozuar.
Ai iu kthye skemës së negociatave të 2020, për reformën zgjedhore dhe ndryshimet Kushtetuese, të cilat nisën në nivel tekniko-politik dhe në fund ajo marrëveshja e arritur apo e dakordësuar u hodh në kosh, duke realizuar dy tre ndërhyrje esenciale, që i shkonin përshtat politikisht Partisë Socialiste.
Sot ai fton në negociata grupet parlamentare të opozitës, të cilave ia kujton faktin se votat i kam, por më duheni si zbukurim për të çuar në Presidencë modelin e “njeriut të ri”. Dhe mes rradhëve të opozitës ka plot modele të tilla, nëse do ti duhet të paraqesë emrin si konsensual.