Bjanka Ceka, një konsulente biznesi, pedagoge, një influencer, prej tri vitesh është shpërngulur në Londër së bashku me bashkëshortin e saj, një ish – ambasador i suksesshëm, duke lënë pas një eksperiencë të bukur dhe unike në vendet arabe.
Nga Londra, në një intervistë Bjanka rrëfen mbi jetën e re në Londër, eksperiencën e të jetuarit në botën arabe si dhe angazhimet më të fundit dhe projektet e afërta…
Bjanka Cenka prej tre vitesh je vendosur në Londër, mund të më thoni cilat janë angazhimet tuaja aktualisht?
Ju falënderoj për ftesën në këtë intervistë! Revista Elite prej vitesh tashmë në treg e ka vërtetuar seriozitetin e punës profesionale që ju si staf keni bërë! Gjithashtu me keni pëlqyer gjithmonë sepse jeni nga të paktët media në treg që keni vendosur mos të bëni kompromise me cilësinë dhe etikën e gazetarisë ndaj për mua dhe bashkëshortin tim, është një privilegj të jem në faqet e kësaj reviste. Londra ka qenë një ëndërr për mua pasi im shoq i cili shumë vite më parë kish jetuar e studiuar atje ma ka përshkruar së pari eksperiencën e tij në atë vend dhe për mua ka qenë një dashuri platonike që në moshën 20 vjeçare. Më në fund pas shumë përpjekjesh para 3 vitesh u përputhen kushtet që familjarisht të zhvendosemi atje dhe unë të kem mundësinë të bëj atë që di të bëj më së miri, konsulenten në fushën e biznesit. Përveç kësaj jam e angazhuar si pedagoge në një “Internacional College” dhe kryesisht bëj trajnime për studentët e rinj të cilët duan të bëjnë specializime në fushën e biznesit (business tutor).
Si po ju duket jetesa e re në Londër?
Fillimet nuk kanë qenë të thjeshta sepse ishte një vend i ri me një kulturë ndryshe nga ajo që unë isha mësuar, më shumë burokraci në procedura dhe me rregulla strikte dhe të qarta për çdo qytetar! Kjo në fakt ishte nga gjërat që më ka pëlqyer por në praktikë nuk qe e thjeshtë për tu aplikuar edhe pse tani jam mësuar dhe më vjen shumë natyrshëm. Është pikërisht ky sistem strikt që bën diferencën në rregullin dhe disiplinën e këtij vendi! Londra konsiderohet metropol me një miks të larmishëm kulturash dhe njerëz që vinë nga e gjithë bota për të punuar dhe për një jetesë më të mirë. Ajo që më ka bërë përshtypje është bashkëjetesa pothuajse në harmoni të plotë dhe pa paragjykime midis këtyre kulturave të ndryshme. Paragjykimi nuk ekziston të paktën në sipërfaqe dhe çdo njeri është i lirë të bëjë punën dhe jetën që dëshiron pa u cënuar dhe pa u paragjykuar për kulturën, racën, besimin fetar apo gjëra të tjera të kësaj natyre. Gjithashtu doja të shtoja se nëse Londra do kish pasur dhe klimën e duhur do kish qenë vendi ideal, edhe pse një i tillë nuk ekziston.
Mund të më thoni cili është shkollimi juaj dhe eksperienca juaj?
Unë kam studiuar për degën biznes që në shkollë të mesme, më pas bachelor dhe MBA, në Mbretërinë e Bashkuar. MBA është kualifikimi më i lartë që mund të marrësh në degën e Administrim Biznesi. Ky kualifikim është i përshtatshëm për nivelet më të larta hierarkike si Ceo apo CFO në korporata ndërkombëtare zakonisht. Megjithatë unë kam zgjedhur të jem konsulente e jashtme për të pasur më shumë indipendencë dhe kreativitet. Projekti më i fundit që kam pasur dhe për të cilin jam shumë krenare ka qenë marketimi i një fushate të rëndesishme MBA event që organizohej nga Universitetet më prestigjoze në botë si UCL, “London Business School”, “Warwick Business School”, “Hult University”, etj. Unë kisha një rol të rëndësishëm si konsulente e jashtme në marketimin e kësaj fushate nëpërmjet kanaleve të ndryshme të marketingut të jashtëm. Kjo gjë më bën të ndihem shume krenare dhe është një plus shumë i madh në CV-në time për të ardhmen. Eksperienca ime më e gjerë në 10-të vitet e fundit është në business start up dhe sipërmarrje kryesisht në Shqipëri por edhe në UK.
Çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje aty?
T’ju them të drejtën më ka bërë përshtypje disiplina qytetare në përgjithësi dhe respektimi i rregullave me përpikmëri! Absolutisht që kjo është mundësuar falë aplikimit të suksesshëm të sistemeve të ndryshme qoftë në administratë, infrastrukturë, shëndetësi apo fusha të tjera! Këto sisteme absolutisht nuk janë perfektë dhe kanë hapësira pafund për përmirësim, por që janë goxha të avancuar në krahasim me sistemet e vendeve në zhvillim. Është pikërisht sistemi i suksesshëm dhe politikat e përshtatshme mendoj unë faktori kyç që edukon dhe reformon qytetarët e një vendi dhe që si pasojë sjell dhe zhvillimin e shumëkërkuar. Por ka dhe diçka që nuk më pëlqen shumë, janë distancat, të cilat bëjnë që të humbasësh shumë kohë dhe mos të arrish të përmbushësh axhendën e planifikuar. Unë akoma nuk jam përshtatur dot me metrotë edhe pse shumë njerëz këtu i konsiderojnë jetike dhe shumë praktike, mua më stresojnë dhe më ulin produktivitetin. Ndoshta kam parë shumë filma, por se di pse nuk ndihem e sigurtë në to edhe pse janë shumë të sigurta dhe çdo gjë është e monitoruar me kamera 24 orë.
Është Londra vendi ideal për ju, për të jetuar dhe punuar, përse?
Siç e theksova dhe më lart mendoj që një vend ideal për të jetuar nuk ekziston… Unë më shumë se gjysmën e jetës e kam jetuar jashtë vendit tim dhe kam pasur fatin të jetoj në shumë vende dhe të mësoj nga kulturat e larmishme të tyre. Nuk e di nëse Londra do të jetë destinacioni im i fundit, por di që aty kam gjetur veten më shumë se në çdo vend tjetër! Liria dhe të drejtat e individit respektohen më shumë se në çdo vend, gjen pak nga të gjitha kulturat, meritrokracia gjithashtu funksionon, mundësitë janë të shumta për këdo që do të rritet dhe zhvillohet, barazia gjinore është fakt e shumë gjëra të tjera pozitive. Sigurisht po flas në parim dhe në nivel shumë përgjithësues sepse dihet që perfeksioni nuk ekziston dhe t’ia nisësh nga e para në një vend të ri nuk është asesi e thjeshtë por as e pamundur!
Bashkëshorti juaj, Edmond Caca është shquar për një ambasador i cili në Tiranë ka sjellë mjaft investitor të rëndësishëm…
Kjo nuk është një përgjigje që mund të jepet shkurt dhe më e mira do ishte t’i bëhej atij një intervistë të veçantë, por meqenëse po më drejtohet mua kjo pyetje po i them dy fjalë. Edin si Ambasador ajo që e ka karakterizuar gjithmonë ka qenë modestia e tij dhe pragmaticiteti. Ai nuk ka qenë kurrë zyrtari klasik i cili vesh një kostum dhe ushtron detyrën që i jepet. Edi ka përveshur mëngët dhe është dhënë me mish e me shpirt për të dhënë kontributin e tij për vendin… Unë nuk kam parë zyrtarin tek ai por njeriun… Ajo që më ka pëlqyer tek bashkëshorti im edhe pse shumë i ri në moshë mbante postin e Ambasadorit, por nuk etiketohej si një zyrtar statik, por gjithmonë fliste e punonte në fushën e diplomacisë ekonomike. Meraku i tij i vetëm ishte përmisimi i infrastrukturës në Shqipëri dhe gjithmonë pa reshtur ka lobuar për thithjen dhe nxitjen e investimeve të huaja në vendin tonë. Ajo që vlen të përmendet dhe ku Edi ka dhënë kontributin e tij janë grandet e shumta për Shqipërinë si ndërtimi i bulevardit të ri i Tiranës, bypassin e Vlorës, Durrësit dhe gjithashtu ura në Shkodër. Përveç kësaj të gjitha kontaktet e tij personale në botën arabe (pasi ka kryer dhe shkollën e lartë në vendet e gjirit) i shfrytëzonte që ata të lidheshin me Shqipërinë dhe të investonin këtu. Shumë prej elitës së bizneseve Arabe kanë investuar në vendin tonë në Turizëm, Prona të patundshme, agrikulturë e më gjerë falë kontributit të tim shoqi.
E vizitoni shpesh Shqipërinë? Çfarë ju mungon nga Tirana?
Nuk jam shkëputur akoma përfundimisht nga Tirana dhe se besoj se do ta bëj sepse kam akoma angazhime të miat atje. Vij relativisht shpesh në Tiranë dhe kënaqem pafund sa herë që vij por edhe lodhem shumë sepse koha është shumë e kufizuar për të mbyllur takimet e punës dhe takimet me miqtë. Unë kam qenë gjithmonë një njeri shumë social dhe shpeshherë nuk arrij dot t’i takoj të gjithë miqtë e mi dhe ndihem keq për këtë gjë sepse e di që dhe ata mund të mërziten pakëz, por uroj që të më mirëkuptojnë. Ajo që më mungon nga Tirana është pikërisht jeta sociale dhe distancat e vogla që ta lehtësojnë këtë gjë… Në Londër takohemi me miqtë kryesisht vetëm në fundjavë dhe e gjithë java është punë dhe familje! E kundërta ndodh në Shqipëri siç të gjithë e dinë qe jemi ballkanas dhe qejfli të kafeneve (qesh).
Si kalon koha juaj e lirë?
Përpiqem gjithmonë të krijoj sado pak kohë të lirë për veten… megjithëse çdo kohë të lirë që kam e shfrytëzoj për të kaluar kohë me tim bir i cili është në një moshë pak para adoleshencës, moshë delikate. Përpiqem gjithmonë të jem aty për ta dëgjuar dhe për të bërë rolin e prindit por edhe të mikes së tij më të mirë, sipas rastit. Çdo pjesë tjetër e kohës së lirë e kaloj duke lexuar… leximin e kam ushqim të shpirtit dhe etja për dije më ka shoqëruar gjithmonë madje mund të them që është një nga burimet më të rëndësishme frymëzuese për mua. Librat të cilat lexoj më shpesh janë të natyrës psikologjike, ekonomike dhe spiritualë.
Cilat janë hobet dhe pasionet tuaja?
Udhëtimet janë hobi im. Duke qenë natyrë eksploruese dhe hulumtuese nuk kishte se si të ishte ndryshe. Falë Zotit përputhemi shumë dhe me tim shoq në këtë drejtim dhe mund të them që nuk kursehemi kur vjen puna tek udhëtimet. Sa herë që kam nevojë për një restart dhe motivim udhëtoj dhe mund të them që nuk do mundja të qëndroja më shumë se 2-3 muaj pa ndonjë udhëtim qoftë edhe 2 ditor. Ndërsa pasioni im prej vitesh tashmë është estetika! Ekskluzivisht për revistën tuaj po tregoj që se fundmi kam themeluar një biznes distribucioni të produkteve dhe pajisjeve estetike të cilin kisha kohë që e planifikoja por pandemia bëri që ky projekt të shtyhej. Kjo është fusha ku unë e gjej veten më së shumti sepse ndërthuren 2 pasionet e mia biznesi, estetika dhe konsulenca gjithashtu.
Ajo çka vlen për tu theksuar është se ju jeni dhe një zonjë me stil dhe sharmë sa rëndësi i kushtoni vetes tuaja për të qenë sa më në formë ?
Ju falënderoj për vlerësimin. Patjetër që i kushtoj shumë rëndësi aq sa ka raste që dhe pse mund të kem pasur një ditë tepër të ngarkuar, nuk para i bëj skip ushtrimeve, madje ushtrohem dhe në 11-12 të natës kur nuk gjej hapësirë gjatë ditës! Ushqehem shëndetshëm dhe mundohem të marrë çdo nutrient të domosdoshëm për organizmin, gjithashtu fle minimalisht 7 orë. Kjo është një disiplinë e përditshme që unë kam dhe jam shumë strikte me veten në këtë drejtim, jo vetëm për të qenë në formë të mirë fizike, por edhe për anën psikologjike që është më e rëndësishmja.
Planet dhe angazhimet tuaja për dhjetë vitet e ardhshme?
Jam një natyrë shumë e mbyllur në këtë drejtim dhe më pëlqen të flas vetëm pasi planet të jenë vënë në jetë! Sigurisht që planet janë të shumta, por së fundmi e frymëzuar dhe nga libri më i fundit që kam lexuar jam në fazën që po shijoj ato që kam arritur. Ambiciet e njeriut nuk kanë fund sado që të ketë arritur, ndaj është shumë e rëndësishme të shijosh procesin dhe të jetosh të tashmen. Ky është një mesazh që e kam me shumë dëshirë ta jap sepse ndjej shumë presion ndaj rinisë sot për arritje me fraza në dukje motivuese, që ju mund të arrini çdo gjë nëse ia vini qëllim vetes. Kjo për mendimin tim është më shumë një propagandë materialiste që e nxit njeriun të jetë i fokusuar së tepërmi tek ambiciet dhe arritja e qëllimit me çdo kusht, duke lënë pas dore atë që është më e rëndësishme të qenurit njeri mbi të gjitha. Patjetër që po, me shumë punë dhe vullnet njeriu mund të arrijë objektivat që i ka vënë vetes por duhet të kuptojë që nuk duhet të harrojë të jetojë gjatë këtij procesi, ta shijojë çdo moment, çdo arritje sado e vogël apo e madhe të jetë, të jemi bashkëpunues, të suportojmë të tjerët etj… Mund të duket klishe, por është shumë e vërtet sepse si qenie sociale që jemi vetë përmbushjen e gjejmë tek marrëdhëniet e shëndetshme, qoftë në familje apo në rrethin shoqëror. Të krijosh marrëdhënie të shëndetshme dhe një nivel të mirë empatie është një nga ambiciet më të rëndësishme që njeriu duhet t’i vërë si qëllim vetes.
/Revista Elite/