Laçi e ka mbyllur me barazim përballë Vllaznisë në “Loro Boriçi”, në një ndeshje që nuk shkoi më shumë se 0-0 .
Pas ndeshjes trajneri i kurbinasve Shpëtim Duro u shpreh i kënaqur me performancën e skuadrës, por edhe më pikën e marrë ndaj shkodranëve.
Ndër të tjera Duro shpjegoi edhe arsyet se pse u ul përsëri në krye të kurbinasve.
“Jam shumë i kënaqur me performancën e skuadrës, në të gjithë aspektet. Rezultat i pranueshëm, pasi luanim me Vllazninë në Shkodër, një rival direkt i yni.
Ne kemi kontingjent të mirë futbollistësh, kemi 17-18 lojtarë që mund të luajnë, por jam i shqetësuar, kemi 2-3 dëmtime, pasi kemi ndeshjen e Kupës të mërkurën.
Çfarë duhet të ndryshojmë? Asgjë, barazimi ishte shumë me vlera përballë një kundërshtari direkt. Fitorja do ishte ideale, mundësia ishte, por ka ngarkesë psikologjikë për të gjithë skuadrat që nuk po fitojnë.
Sot pashë një skuadër që veproi ashtu siç kishim punuar këto ditë, në të gjithë aspektet. Vllaznia është skuadër me potencial, ishim përgatitur të bllokonim pikat e tyre të forta si Latifi, Aralica apo Hakaj në krah. Pikë pozitive sot.
Rikthimi te Laçi? Nuk ishte zbutje. E kam thënë që arritëm rezultate historike në Europë, luftuam për titullin vjet, ndërtuam skuadrën gjatë verës. Ishin disa probleme që prishëm bashkëpunimin. Duke pasur parasysh që skuadra është ajo që ndërtova gjatë verës, kjo ishte arsyeja që u riktheva.
Për mua është pozitive, rikthimi tregon vlerësim, drejtuesit besuan sërish tek unë. Është vlerësim për mua, tani duhet të përqendrohemi te këto ndeshje.
Ndeshja e Kupës? Sakrifikova disa lojtarë sot. Ishte një ndeshje shumë e rëndësishme, humbja do ngjiste Vllazninë. Më shqetësojnë dëmtimet, të shohim nesër gjendjen e Mazrekajt dhe Malotës.
Sa na vë në presion afrimi i Partizanit? Ka fituar Partizani sot? Gëzohem edhe për Partizanin, njësoj siç gëzohesh edhe ti (i drejtohet Ledio Panos)”, përfundoi trajneri i Laçit.