Në një kohë kur nga Shqipëria janë larguar me mijëra shqiptarë, pjesa më e madhe e të cilëve të rinj dhe të reja, me mijëra mjekë e infermierë, inxhinierë apo arkitektë, njerëz të profesioneve të ndryshme, Edi Rama ka miratuar një vendim për thithjen e talenteve nga jashtë vendit, duke i afruar shtetësinë shqiptare.
Vendimi i miratuar sot nga Qeveria përcakton kriteret, procedurat e aplikimit, rregullat e kryerjes së verifikimit dhe kontrolleve, për fitimin e shtetësisë shqiptare për kontribut të veçantë në fushën e arsimit, shkencës dhe sportit.
Dhe po të analizosh me kujdes të tre fushat që Rama synon të thithë talente nga vende të tjera, ndoshta janë më të prekurat nga largimi i shqiptarëve vitet e fundit, pasi e njëjta qeveri i vrau shpresat dhe nuk i dha asnjë rrugëzgjidhje tjetër.
Mjafton të kthehen në vëmendje deklaratat e shumë sportistëve shqiptarë, të cilët nuk kishin as fusha dhe as palestra për tu stërvitur, pa përfshirë këtu mbështetjen financiare, që ishte në kufijtë e qesharakes, për të kuptuar sepse janë larguar talentet nga fusha e sportit.
Dhe po kështu edhe nga shkenca apo arsimi, ku me dhjetra të diplomuar sot i gjen në vendet më të zhvilluara të Botës duke dhënë kontributet e tyre, pasi nuk gjenin hapësira në vendin ku ishin rritur, ishin arsimuar apo kishin kaluar pjesën më të madhe të jetës.
Vendimi
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 9, të ligjit nr.113/2020, “Për shtetësinë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm dhe të ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
KREU I
PËRKUFIZIME
Për qëllime të këtij vendimi, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
a) “Program i veçantë i shtetësisë në fushën e arsimit, shkencës dhe sportit”, tërësia e dispozitave normative, e kritereve teknike mbi bazën e të cilave një kontribut i një shtetasi të huaj në fushën e arsimit, shkencës dhe sportit do të vlerësohet si kontribut me interes kombëtar për shtetin shqiptar dhe me anë të të cilit mund të fitohet shtetësia shqiptare;
b) “Kontribut me interes në fushën e arsimit”, rezultatet e dallueshme, të matshme dhe të konfirmuara nga autoriteti kompetent i vendit përkatës apo ndërkombëtar për rezultatet në fushën e arsimit;
c) “Kontribut me interes në fushën e shkencës”, rezultatet e dallueshme, të matshme dhe të konfirmuara nga autoriteti kompetent i vendit përkatës apo ndërkombëtar për rezultatet në fushën e shkencës.
ç) “Kontribut me interes në fushën e sportit”, rezultatet e dallueshme, të matshme dhe të konfirmuara nga autoriteti kompetent i vendit përkatës apo ndërkombëtar për rezultatet në fushën e sportit;
d) “Kërkesë për fitimin e shtetësisë shqiptare”, kërkesa e paraqitur nga kërkuesi për fitimin e shtetësisë, vetë ose nëpërmjet një përfaqësuesi me prokurë;
dh) “Kërkues”, çdo shtetas i huaj, i cili plotëson kriteret e përcaktuara dhe aplikon për fitimin e shtetësisë shqiptare, sipas programeve të veçanta në fushën e arsimit, shkencës dhe sportit;
e) “Vlerësim kontributi”, akti me anë të të cilit ministria përgjegjëse përcakton kontributin e kërkuesit në fushën e arsimit, shkencës dhe sportit, për t’u bërë pjesë e programeve të veçanta të shtetësisë.
KREU II
KRITERET PËR APLIKIM
Ka të drejtë të kërkojë për t’u përfshirë në programin e veçantë të shtetësisë, shtetasi i huaj (në vijim, kërkuesi), që plotëson kriteret e mëposhtme:
a) Ka mbushur moshën 18 (tetëmbëdhjetë) vjeç;
b) Ka zotësi për të vepruar;
c) Nuk ka qenë i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë në shtetin e origjinës, në Republikën e Shqipërisë ose në ndonjë shtet të tretë për vepra penale, për të cilat ligji shqiptar parashikon dënime me jo më pak se 3 (tre) vjet heqje lirie. Përjashtim nga ky rregull bëhet vetëm në ato raste kur vërtetohet se dënimi është dhënë për motive politike;
ç) Nuk përbën kërcënim për sigurinë kombëtare dhe rendin publik të Republikës së Shqipërisë;
d) Nuk figuron i regjistruar si person me rekorde kriminale në listat e organizatave ndërkombëtare partnere të sigurisë;
dh) Deklaron se do të banojë në territorin e Republikës së Shqipërisë për një periudhë prej të paktën 3 (tre) muajsh gjatë 5 (pesë) vjetëve nga aprovimi i kërkesës;
e) Disponon të ardhura dhe burime financiare të ligjshme, të mjaftueshme për jetesën në Republikën e Shqipërisë;
ë) Provon kontributin e veçantë në fushën e arsimit, shkencës dhe sportit, si dhe arritjet e veçanta të tij pranë ministrisë përgjegjëse për arsimin, shkencën dhe sportin;
f) Dëshmon arritjen e rezultateve të larta ndërkombëtare në fushën e arsimit, shkencës dhe sportit, sipas disiplinës përkatëse që përfaqëson pranë ministrisë përgjegjëse për arsimin, sportin dhe shkencën;
g) Nuk është subjekt i masave shtrënguese ndërkombëtare, të pranuara nga Republika e Shqipërisë.
KREU III
KËRKESA TË PËRGJITHSHME PËR FORMËN DHE PARAQITJEN E KËRKESËS PËR FITIMIN E SHTETËSISË SHQIPTARE
1. Kërkesa për fitimin e shtetësisë shqiptare bëhet në bazë të formularëve të kërkesës së miratuar nga Agjencia për Hartimin e Programeve të Veçanta të Shtetësisë (në vijim, AHPVSH).
2. Dokumentet shoqëruese duhet të jenë në gjuhën shqipe ose të përkthyera me vërtetim noteri.
3. Kërkesa për përfshirjen në programin e veçantë të shtetësisë paraqitet në AHPVSH, në formë elektronike ose nëpërmjet postës, nga vetë kërkuesi ose përfaqësuesi me prokurë.
4. Në çdo rast, kërkesat për fitimin e shtetësisë shqiptare të paraqitura prej përfaqësuesit me prokurë në emër të kërkuesit duhet të nënshkruhen nga vetë kërkuesi në emër të të cilit paraqitet kërkesa.
5. Në rast se rezulton që kërkesa për fitimin e shtetësisë nuk është nënshkruar nga vetë kërkuesi, kjo përbën shkak për mospranimin e saj.
6. Kërkesa për fitimin e shtetësisë shqiptare duhet të përmbajë:
a) emrin, atësinë, mbiemrin, datëlindjen, vendlindjen, vendbanimin ose vendqëndrimin e kërkuesit;
b) tregimin e fakteve dhe të rrethanave, që mbështesin kërkimin për fitimin e shtetësisë.
KREU IV
DOKUMENTET E NEVOJSHME PËR PARAQITJEN E KËRKESËS PËR SHTETËSI
1. Për të provuar plotësimin e kritereve, duhen këto dokumente:
a) Kërkesë individuale për fitimin e shtetësisë shqiptare drejtuar AHPVSH-së, nënshkruar personalisht nga kërkuesi, sipas formularit të miratuar të kërkesës;
b) Kopje e dokumentit të identifikimit;
c) Certifikatë personale e kërkuesit;
ç) Certifikatë familjare e kërkuesit;
d) 3 (tre) fotografi në format dokumenti, të cilat duhet të jenë bërë jo më përpara se 6 (gjashtë) muaj nga data e aplikimit, të marrë në plan me sfond të bardhë, të fokusuar dukshëm e qartë. Fotografia duhet të tregojë personin përballë, me shprehje neutrale dhe sytë të hapur e të dukshëm.
dh) Certifikata e gjendjes gjyqësore, e lëshuar sipas legjislacionit në fuqi, e marrë në vendin e origjinës, në vendin ku kërkuesi ka pasur qëndrim të ligjshëm për gjashtë muajt e fundit, në shtetet e treta, ku ka jetuar jo më pak se 6 (gjashtë) muaj, brenda 3 (tri) viteve të fundit;
e) Dokumente që vërtetojnë disponimin e mjeteve financiare të mjaftueshme për jetesë, si: garanci bankare, vërtetime zyrtare të ardhurash (fotokopje e noterizuar);
ë) Deklaratë se do të banojë në territorin e Republikës së Shqipërisë për një periudhë për të paktën 3 (tre) muaj gjatë 5 (pesë) vjetëve nga aprovimi i kërkesës;
f) Dëshmi për arritje të shquara në fushën përkatëse, që kërkuesi sjell për shtetin shqiptar, vërtetuar nga autoritetet kompetente, shoqëruar me kopje të çmimeve, të vlerësimeve, të titujve të ndryshëm ose çdo dokument tjetër të lëshuar nga autoritetet kompetente të vendit përkatës dhe/ose ndërkombëtar;
g) Rekomandime për merita dhe arritje të veçanta në fushën e arsimit, shkencës dhe sportit, sipas disiplinës përkatëse, si më poshtë vijon:
i. 1 (një) rekomandim nga ministria përgjegjëse për arsimin dhe shkencën të vendit të origjinës;
ii. 1 (një) rekomandim nga një institucion përkatës në fushën e arsimit, shkencës dhe sportit të vendit të origjinës;
iii. 2 (dy) rekomandime nga personalitete të fushës së sportit, të vendit të origjinës dhe/ose të shtetit shqiptar, i spikatur në disiplinën përkatëse për të cilën individi kërkon të fitojë shtetësinë shqiptare.
gj) Deklaratë se informacionet e dhëna prej tij janë të vërteta dhe të sakta, sipas formularit të kërkesës së miratuar nga AHPVSH-ja;
h) Çdo dokument tjetër provues, që vërteton plotësimin e kritereve të parashikuara në kreun II, të këtij vendimi.
2. Dokumentacioni, që i bashkëlidhet kërkesës për fitimin e shtetësisë shqiptare, duhet të jetë origjinal ose në kopje e njësuar me origjinalin për ato dokumente për të cilat është i pamundur lëshimi i dokumentit origjinal, për shkak të legjislacionit.
3. Dokumentet origjinale ose, sipas rastit, kopjet e njësuara të tyre, lëshuar nga organet shtetërore të vendit të origjinës së kërkuesit, duhet të shoqërohen nga vula apostile ose, sipas rastit, nga legalizimi i tyre, bërë nga organet kompetente, sipas legjislacionit në fuqi.
4. Dokumentacioni, bashkëlidhur kërkesës për shtetësi, duhet të jetë lëshuar brenda 6 (gjashtë) muajve të fundit, afat vlefshmërie ky i përllogaritur nga dita e regjistrimit të kërkesës pranë AHPVSH-së.
5. Kërkesat për shtetësi pranohen e përpunohen, me kusht që të jenë paraqitur sipas formës së kërkuar, të përmbajnë gjenealitetet dhe nënshkrimin e kërkuesit, si dhe të shoqërohen me dokumentet e nevojshme e mandatpagesën, sipas tarifave të miratuara.
KREU V
PROCESI I VERIFIKIMIT DHE I VLERËSIMIT TË KËRKESAVE PËR SHTETËSI
1. Pas depozitimit të kërkesës dhe të dokumentacionit, AHPVSH-ja, brenda 7 (shtatë) ditëve, bën verifikimin paraprak për plotësimin e kushteve formale të parashikuara në kreun III, të këtij vendimi.
2. Në rast se kërkesa nuk plotëson kushtet e kërkuara formale, AHPVSH-ja ia kthen atë kërkuesit për plotësimin e të metave brenda një afati prej jo më shumë se 30 (tridhjetë) ditësh.
3. Pasi AHPVSH-ja verifikon paraprakisht se kërkesa i përmbush kushtet formale për paraqitjen e saj, kryen veprimet, si më poshtë vijon:
a) Verifikon nëse kërkuesi plotëson kërkesat teknike, vlefshmërinë dhe ligjshmërinë e dokumentacionit të paraqitur;
b) Kryen verifikimet përkatëse të gjendjes gjyqësore dhe sigurisë kombëtare në mënyrë zyrtare nëpërmjet Shërbimit Informativ të Shtetit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit;
c) I kërkon në mënyrë shkresore ministrisë përgjegjëse për arsimin, shkencën dhe sportin të vlerësojë kontributin e kërkuesit në fushën e arsimit, shkencës dhe sportit sipas disiplinës që përfaqëson, duke i bashkëlidhur kopje të dëshmive dhe akteve të tjera vlerësuese të arritjeve të depozituara nga kërkuesi, dhe i kërkon, brenda 7 (shtatë) ditëve nga kërkesa për vlerësim kontributi, t’i përcjellë AHPVSH-së në mënyrë zyrtare shkresore vendimin e arsyetuar me të cilin vlerëson se kontributi i kërkuesit përbën interes për shtetin shqiptar.
4. Në rast se ministria përgjegjëse për arsimin, shkencën dhe sportin vlerëson se kontributi i kërkuesit nuk përbën ineres në fushën e arsimit, shkencës dhe sportit për Republikën e Shqipërisë, AHPVSH-ja përgatit një relacion informues drejtuar ministrit përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike për mosplotësimin e kritereve teknike nga kërkuesi.
5. Ministri përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike, pas vlerësimit të relacionit dhe konstatimit të mosplotësimit të kritereve teknike, merr vendim për refuzimin e kërkesës për fitimin e shtetësisë.
6. AHPVSH-ja njofton kërkuesin në adresën e deklaruar në formularin e kërkesës për vendimin e refuzimit të kërkesës për fitimin e shtetësisë shqiptare.
7. Në rast se ministria përgjegjëse për arsimin, shkencën dhe sportin vlerëson se kontributi i shtetasit të huaj përbën interes të veçantë për Republikën e Shqipërisë, AHPVSH-ja vazhdon me procesin e shqyrtimit të kërkesës për fitimin e shtetësisë shqiptare.
8. AHPVSH-ja, pasi shqyrton kërkesën lidhur me përputhshmërinë e kritereve teknike për fitimin e shtetësisë, vlefshmërinë dhe formën e rregullt ligjore të dokumentacionit, merr konfirmimet zyrtare të verifikimeve të sigurisë dhe pastërtisë së figurës nga autoritetet kompetente, si dhe vlerësimin pozitiv të kontributit të kërkuesit nga ana e ministrisë përgjegjëse për arsimin, shkencën dhe sportin, përgatit një relacion drejtuar ministrit përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike për plotësimin e kushteve të miratuara nga ana e kërkuesit.
KREU VI
DISPOZITA TË FUNDIT
Ngarkohen ministri përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike dhe ministri përgjegjës për arsimin, shkencën dhe sportin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletore zyrtare”.