Gazetari Blendi Fevziu u shpreh mbrëmjen e sotme në emisionin “Të Paekspozuarit” se nuk besonte se Lulzim Basha mund të ishte një kandidat për President.
“Basha humbi zgjedhjet 1 muaj më parë, doli i 3-ti, s’ka sens që të jetë kandidat për President. Vërtet në Shqipëri posti i Presidentit nuk është aq i rëndësishëm, por duhet një figurë që përfaqëson shtetin”, tha Fevziu.
Ai tha se shpresonte që në postin e Presidentit të vihej një grua. “Do të dëshiroja të ishte një grua Presidente, mundësisht jo e angazhuar politikisht”, tha Fevziu.
I pyetur lidhur me negociatat mes PS dhe opozitës, ai tha se nuk ka kuptim të bëhen negociata, pasi socialistët i kanë votat.
“Posti i Presidentit nuk është plaçkë që mund të negociohet. Për çfarë i duhen negociatat PS-së kur i ka votat për zgjedhjen e Presidentit”, tha Fevziu.













